MENU
klinika

Rritet kredia në lekë

Sa % e portofolit është në monedhën vendase?

12.02.2019 - 14:57

Në disa të dhëna të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në dhjetor të 2018, kredia në lekë ishte rreth 62.7% të totalit të kredisë.

Sipas këtyre të dhënave, kreditimi i individëve po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut.

Pesha e kredisë në lekë është rritur me 3.5 % pikë përqindjeje.

Kredia në lekë për segmentin e individëve u rrit me mbi 10% për vitin e kaluar, ndërsa ajo në valutë me më pak se 3%.

Normat e ulëta të interesit të kredisë për individë, si dhe politikat e ndjekura nga bankat prej disa vitesh për kreditimin e individëve në monedhën në të cilën kanë të ardhurat, mendohet se janë faktorët kryesorë që po e mbështesin këtë zhvendosje.

Rritja e kredisë në lekë, të paktën te individët, është një nga rezultatet më të prekshme të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Arsyeja kryesore që i ka shtyrë individët drejt huamarrjes në valutë në të shkuarën ka qenë çmimi më i lirë i kredisë.

Por, ngushtimi i ndjeshëm i diferencave të interesave ka bërë që individët të mos kenë stimuj domethënës për ta marrë kredinë në një monedhë tjetër nga ajo e të ardhurave.

Në fund të vitit të kaluar, diferenca në interesin mesatar mes kredive në euro dhe atyre në lekë për individët ishte rreth 0.5 pikë përqindje.