MENU
klinika

Rrëfimi i Lenjanit

“Sala na thoshte mua e Canës: Vamos Albania!”

07.02.2019 - 15:17

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani, duke folur për Gazetën Express, ka rrëfyer të kaluarën e përbashkët në Nantes me futbollistin e zhdukur, Emiliano Sala, të cilin e kishte shok të mirë.

Po bëhen gati tri javë prejse Emiliano Sala është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Bota e futbollit vazhdon të jetë i shokuar dhe i solidarizuar me futbollistin argjentinas, rasti i të cilit ka shkaktuar pikëllim në gjithë botën.

Natyrisht, përveç familjarëve, të trishtuar me fatin e keq të 28-vjeçarit kanë mbetur edhe shumë shokë të tij, të cilët kanë pasur rast të luajnë bashkërisht futboll.

Njëri ndër ta është shqiptar. Fjala është për Ermir Lenjanin, i cili nga viti 2015 deri në vitin 2016, ka luajtur bashkë me argjentinasin e humbur në Nantes.

Pjesë e këtij ekipi francez ishte edhe ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, që po ashtu e ka njohur mirë sulmuesin, i cili firmosi në Premier League, por pa mundur të luajë.

Lenjani e Cana kanë shprehur pikëllim të madh për rastin e argjentinasit. Lenjani e ka rrëfyer të kaluarën e tij me Emiliano Salan.

Emiliano ka qenë luftëtar i madh. Ai ka qenë një person shumë i ëmbël në çdo bisedë me mua dhe shokët tjerë të ekipit.

Në dy vitet e fundit pati sukses në Nantes dhe arriti të transferohet në Cardiff, duke e realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në Premier League”, – shprehet Lenjani.

Sala shpeshherë iu drejtohej Canës dhe Lenjanit me thirrjen “Vamos Albania!”, që në shqip nënkupton “Përpara Shipëria”.

“Kur kemi shkuar unë dhe pastaj Lorik Cana në Nantes, nuk kemi pasur nevojë t’i tregojmë se prej nga jemi dhe që luajmë për Kombëtaren e Shqipërisë.

Në seancat stërvitore thoshte “Albaniaaa, Vamos”. Ishte punëtor i madh në stërvitje dhe në ndeshje. Ishte person shumë pozitiv. Dilnim me të, rrinim me të dhe me shokë tjerë të ekipit”, – rrëfen Lenjani.

Krahas mërzisë, mesfushori kosovar i Kombëtares së Shqipërisë ende shpreson që Sala të gjendet i gjallë. (Gazeta Express)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN