Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko iu uroi mirëseardhjen biznesmenëve të Samitit të Dytë të Diasporës, i cili po zhvillohet në Tiranë.
Majko deklaroi se ky samit është vendi ku takohen të gjithë shqiptarët, pavarësisht trevave apo shteteve ku jetojnë dhe veprojnë. Ndër të tjera, ministri nënvizoi faktin se gjatë ditës së nesërme të gjithë të pranishmit do të diskutojnë jo si qeveritarë, por si njerëz, që parashtrojnë objektivat se ku duhet të shkojnë.
“Këtu sot kemi nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Nesër do të jetë një ditë e veçantë. Kjo është një shtëpi e veçantë, kjo është shtëpia e mbretit, por sot mbreti jeni ju. Sot kemi nevojë të veçantë që nesër të diskutojmë, jo si qeveritarë, por si njerëz se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë. Mirë se vini në shtëpinë tuaj”, tha Majko.
Me ngërçin politik të krijuar në vend, ministri Majko ka hedhur hapin e parë për të zbutur kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Në axhendën e diskutimeve, Lulzim Basha do të flasë i dhjeti, ndërsa fill pas tij do të flasë kryeministri Edi Rama, që është i njëmbëdhjeti.