MENU
klinika

Kërkesa e Prokurorisë

Seanca te Krimet e Rënda/ Tahiri përplaset me prokurorët: Keni trafikuar…

06.02.2019 - 10:43

Në gjykatën e Krimeve të Rënda sot po zhvillohet seanca për ish-ministrin Saimir Tahirin.

Tahiri është paraqitur sot në seancë, ndërkohë që prokurori i çështjes ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Arsyeja pse prokurori bëri këtë kërkesë, ishte fakti se sipas tij gjatë seancës do të paraqiteshin materiale me përmbajtje konfidenciale.

Kjo kërkesë ka irrituar ish-ministrin, i cili e ka kundërshtuar menjëherë duke ironizuar organin e akuzës.

Tahiri gjithashtu lëshoi akuza kundër Prokurorisë duke thënë se i ka shpërndarë lajmet me SMS.

“Për çfarë sekreti flisni kur unë këtu kam mesazhet se si prokuroria ka trafikuar pa fund lajme për dosjen time.

Nuk ka mbetur asnjë sekret, nuk e kuptoj pse duhet të jetë me dyer të mbyllura. Gjatë hetimeve kanë dal të gjitha materialet në media.

Nuk e kuptoj se çfarë sekret ruhet këtu. Prokuroria i ka çuar lajmet me SMS në media”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë që Gjykata ka vendosur që mediat të largohen nga salla, seanca gjyqësore po vazhdon me dyer të mbyllura.