MENU
klinika

Ekspozitë në Cesena

Sekrete/ “Fletoret e burgut” të filozofit marksist!

09.02.2019 - 11:25

Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë në Itali, është e pamundur të mos jetë përballur në dyqanet e shitjes së librave me emrin e Antonio Gramshit, eseistit e mendimtarit të famshëm italian.

Së fundmi, pranë Bibliotekës Malatestiana në Cesena, deri më 31 mars 2019, do keni mundësinë të shijoni nga afër ekspozitën me fletoret origjinale të shkruara nga intelektuali simbol i antifashizmit.

Në Italinë fashiste të 4 qershorit 1928, Antonio Gramshi, politikan, filozof, shkrimtar, gazetar, kritik letrar dhe eksponent i shquar i Partisë Komuniste Italiane, gjithashtu Sekretari i Partisë Komuniste Italiane, u dënua nga Gjykata Speciale për Mbrojtjen e Shtetit për idetë e tij dhe veprimtarinë e tij politike kundër opozitës ndaj regjimit totalitar të Duçes.

Ky vit shënon përvjetorin e 90-të, në të cilin filozofi dhe politikani sard filloi në shkurt 1929, gjatë burgosjes së parë në burgun e Turit dhe më pas, në një klinikë në Formia për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij fizike, deri në hartimin e atyre dorëshkrimeve, që më vonë gradualisht do të bëheshin të famshme me emrin “Fletoret e Burgut”.

Për të festuar këtë ngjarje themelore për historinë e shekullit të njëzet dhe për historinë e letërsisë italiane dhe ndërkombëtare, nga e enjtja 17 janar deri të dielën 31 mars 2019, do të jetë e mundur të admirohet në Cesena ekspozita e vogël, por e rafinuar “Gramshi –fletoret e burgut dhe revistat e zbuluara”.

Ekspozita e dokumenteve të çmuara origjinale të Gramshit u mundësua falë angazhimit të institucioneve të ndryshme: para së gjithash nga Fondacioni Gramshi i Romës, i cili përfitoi nga bashkëpunimi i Shoqatës MetaMorfosi të Romës dhe të Fondacionit RDS të Cesena, me ndihmesën e rajonit Emilia-Romagna dhe Bashkia e Cesenas.

Ekspozita, pas Romës, Cagliarit, Torinos dhe Londrës dhe, para se të zbarkojë në Moskë, do të bëjë një ndalesë edhe në qytetin romanjol pranë selisë prestigjioze të Sallës San Giorgio të Bibliotekës Malatesta, një tempull laik i librave dhe prej vitit 2005 shpallur monument “Kujtesë e Botës” nga UNESCO.

Mbi të gjitha ekspozita fokusohet në tridhjetë fletoret e Gramshit të hartuara midis viteve 1929 dhe 1935, të cilat janë pasuruar, duke pasur parasysh zbulimin e fundit bërë në fillim të vitit 2018, edhe me dy fletoret marrë në Turi, në vitin, 1933 të papërdorura ndonjëherë, duke u shfaqur kështu për herë të parë për publikun.

kolana e librave

Në këtë ekspozitë do të keni mundësinë e rrallë për t’u gjendur ballë për ballë me dorëshkrimet origjinale të mendimtarit antifashist dhe të sodisni kaligrafinë e tij të imët, por gjithnjë të organizuar dhe të rafinuar, madje edhe sot duket e lehtë për t’u lexuar.

Në fletoret e ekspozuara mund të gjeni shënime, përkthime dhe mendime që analizojnë “çështje” nga më të ndryshmet jo vetëm politike, por edhe sociale, ekonomike dhe filozofike, duke na treguar në këtë mënyrë temperamentin e tij interesant dhe aftësinë e tij për të analizuar dhe për të kritikuar. Përmbajtjet pas kësaj do të grupohen dhe do të publikohen.

Për të përfunduar ekspozitën, siç thuhet edhe nga Pietro Folena (Presidenti i Shoqatës MetaMorfosi), do të ketë edhe fletore dhe revista, disa të gjetura vetëm para një viti në papafingon e shtëpisë së Ghilarzës (ku banoi derisa vdiq motra Teresina Gramsci Paulesu ), të cilat tregojnë formimin kulturor të këtij mendimtari të jashtëzakonshëm të shekullit të njëzet “Ka më shumë se 280 numra, të grumbulluara ndërmjet viteve 1907 dhe 1914, që i përkasin gazetave dhe periodikëve të ndryshëm: Le cronache letterarie, La Lupa, Il Marzocco, Patria, Piemonte, L’Unità –Problemi della vita italiana dhe La Voce.

Për të bërë homazhe në qytetin që e strehoi, një pjesë e vogël e ekspozitës dëshiron të hedhë dritë mbi një aspekt më pak të njohur të Gramshit, që në mënyrë të tërthortë e lidhin atë me qytetin e Cesenan. Në fakt, ai kultivoi simpati dhe admirim për kritikun dhe shkrimtarin nga Cesena, Renato Serra.

Aty janë ekzpozuar edhe dy tekste të shkruara nga Serra, Letrat dhe Shkrimet Kritike, të cilat vijnë nga biblioteka personale e Gramshit.

Vdekja e parakohshme e kritikut romanjol, që ndodhi në korrik 1915 në frontin karstik të Luftës së Madhe, shenjtëroi figurën e “lexuesit provincial” me një artikull të botuar në nëntor të të njëjtit vit në të përjavshmen Il Grido del Popolo me titullin emblematik “drita që u shua”: një lamtumirë e sinqertë e dedikuar për intelektualin e humbur kohët e fundit, madje duke shkuar aq larg sa të emërojë atë “me të vërtetë një mjeshtër, siç do të thoshin grekët”.

Në Itali Antonio Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simbol i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit.

Më 27 prill 1938, tri ditë pasi mbaroi dënimin Antonio Gramshi dha frymën e fundit. Shkaku i vdekjes mbeti i pasqaruar.