MENU
klinika

"Zoti më mori e ma dha sërish jetën"

Shpëtim Saraçi i zhgënjyer, plot arsye për tu larguar nga Shqipëria

20.02.2019 - 20:34

Shpëtim Saraçi, një ndër kompozitorët e parë më të njohur shqiptarë, i lindur më 19 Prill 1970.

Saraçi, vlerësohet se arriti të sillte një frymë të re emancipimi në muzikë pas viteve ’90.
Pas një karriere të gjatë e të suksesshme, në gusht të vitit të kaluar kompozitori vendosi të largohej nga Shqipëria.
Por Shqipëria, vendi i tij, dhe vetë shqiptarët mbeten një arsye që ai kthehet sërish në Shqipëri.

Shpëtim Saraçi së bashku me bashkëshorten, Mira Koçi, përmes një muzike të freskët, do të sillnin një erë të re, duke bërë për vete publikun shqiptar.

Shumë këngë të tij kanë qenë fituese në festivalet e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Emrin e tij e mbajnë dhjetëra këngë e qindra orkestracione. Ka qenë Drejtor Artistik i Festivalit të RTSH-së në disa edicione, ndërsa ka qenë një nga emrat kryesorë të disa spektakleve në televizionet shqiptare.

shpetim-saraci-konica.al

Për largimin e tij ai shprehet duke lënë të kuptohet se në Shqipëri nuk mori kurrë atë çfarë në të vërtetë priste.

“Di që edhe pse punova me shpirt e pasion për rreth 30 vite në Shqipëri, prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe”.

Veç sfidave në karrierë, një nga më të rrezikshmet që kompozitori i njohur mund të ketë kaluar mbetet edhe sëmundja e tij, prej së cilës fatkeqësisht mori dhe goditjen më të forte të ishemisë cerebrale.

U kurua në SHBA. Një periudhë që do të provonte veten dhe miqtë.

Edhe pse nuk do të qe e lehtë, u ngrit sërish, duke rifilluar punën.

Në prononcimet e tij për sëmundjen, përjetimin dhe gjendjen e tij shëndetësore për të shuar kuriozitetin e publikut dashamirës ai thotë:

“Ishemitë janë të çuditshme. Janë goditje të cilat mund të vijnë një pas një por mund të të vijnë dhe përnjeherësh. Mua më ndodhi kjo e fundit, e fuqishme fare.

shpetim-saraci-konica.al

Kam pasur emocione të jashtëzakonshme para se të më ndodhte ishemia celebrale. Ishte koha kur vajza do të nisej për studime në Amerikë. Si çdo baba, që ka me vajzat një lidhje fantastike, edhe unë po e përjetoja shumë emocionalisht ikjen e saj prej shtëpisë, ikjen aq larg. Shprehesha çdo ditë me miqtë ndërsa Mirës, bashkëshortes, nuk i thoja asgjë sepse s’doja ta ngarkoja atë më shumë. Kam pyetur më mbrapa mos kjo ngarkesë ndikoi për atë goditje që mora, por më thanë që gjithçka mund të jetë dhe krejt rastësi. Ajo që don të ndodhë ndodh dhe kaq.”

Duke kujtuar momentin kur pësoi goditjen ai përmend detaje të cilat, në mungesë të fatit do ta kishin çuar drejt një goditjeje fatale edhe për jetën. Fatmirësisht Saraçi tregon se e mira ishte në anën e tij.

shpetim-saraci-konica.al

“Isha duke pirë birrë me dy shoket të mi kur ndjeva që më erdhi një zhurmë e llahtarshme pas veshit të djathtë. Nuk e ekzagjeroj aspak kur them e llahtarshme, sikur të ishin hapur me zë të lartë 200 radio përnjeherësh. Nuk e kuptoja dot fare se çfarë ishte. Pastaj nuk po dëgjoja më dot veten fare kur flisja. Mbaj mend që pas kësaj jam rrëzuar. Më kanë dërguar direkt në spital. Kur ndodh një gjë e tillë, personi që merr goditjen nuk duhet të lëvizet nga vendi, pasi përbën një rrezik fatal. Ndërsa mua më lëvizën me taksi, as me ambulancë jo dhe më çuan të më bëjnë rezonancë magnetike. U bë dhe gabimi tjetër në spital që më kthyen me kokë poshtë për të më bërë provën e veshit të mesëm. Me të gjitha këto unë kam kaluar fare pranë rrezikut të madh, por jo, qëllova me fat. Më çuan më pas në Gjermani me barrelë e u ktheva prej andej me këmbët e mia e për mua kjo ishte tepër.”

Duke e konsideruar si një mrekulli që s’mundej kurrsesi të ndodhte ndoshta me vullnetin njerëzor, ai shprehet se zoti mund ta kishte marrë e kthyer sërish në jetë.

Teksa lajmi për largimin e tij drejt SHBA-ve, bëri bujë, kur kompozitori shpjegonte arsyet që e shtynin drejt këtij vendimi, dukej jo pak i zhgënjyer:

“Ajo që është e sigurt, është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë… Për të tjerat, çdo gjë është fakultative. Di që departamentin e punës në RTSH që drejtoja, na e shkrinë (një redaksi me traditë 55-vjeçare) në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri (ku pësova edhe trauma shëndetësore, që mund të më kushtonin edhe jetën) prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”.

/ Bionelda Skonja