Ilir Muharremi, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe i specializuar për artet pamore jep një kritikë shkencore të specializuar dhe një vlerësim për skulpturat në Kosovë. Ai mundohet të përafrojë qasjen teorike, këndvështrimin modern me atë praktik të kohës sa dhe qasjen normative të të bërit art, të ndërtimit të figurave kombëtare në skulpturë sa dhe shkon në elementin e detajeve të tyre, problemet. Për të, arti pamor i skulpturave dhe sidomos shtatoreve në Kosovë ka probleme. Ku i sheh ai këto probleme? Për më shumë në lidhje me mangësitë e busteve ai shprehet:
Nga Ilir Muharremi
Defekt në shtatoren e Skënderbeut në Prishtinë
Në Kosovë si duket disa nga artistët nuk janë të aftë t’i shprehin gjendjet shpirtërore të njerëzve heronj, të cilët dhanë vërtetë jetën për këtë vend. Kryeqyteti si dhe qytetet e tjera janë të mbushura me skulpura. Sa i plotësojnë kriteret si nga ana estetike po ashtu edhe historike, biografike? Sa i afrojnë me karakteret origjinale? Sa janë moderne apo kanë një realizëm socialist?
Pyetja që me vije është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Problemi tjetër që duhet të ngritët është pse gjithmonë Skënderbeu mendohet në kalë, kur ai qe edhe strateg i mirë, mendimtar, intelektual, nuk ishte vetëm luftëtar siç e përshkruan historia shqiptare apo siç e punojnë skulptorët shqiptarë. Ndoshta një ditë do ta zbresim nga kali ta punojmë me ndonjë libër ose duke biseduar.
Duhet të sqarohemi që në fillim, se ky nuk është shkrim historik apo ndonjë teori e thatë që tenton të njollosë historinë, por një vështrim, analizë rreth monumentit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Prishtinë tek i cili çdo ditë gjejë diçka tërheqëse interesante. Pse heroi në atë monument është më i madh se kali, kur dihet që kali është më i madh se njeriu, në përmasat trupore. A paraqitet Skënderbeu si figurë legjendare? A duhet të jetë tokësor në raport me kalin? A është proporcionalisht i punuar gabim nga skulptori? A rriten qëllimisht përmasat apo përzihet ana mitike me atë reale të njeriut? Mitit është mit dhe në vete nuk ruan ndonjë saktësi shkencore, kurse kalimi i Skënderbeut në figurën reale ashtu siç ishte kjo, është më e rëndësishme. Këtë e bëri profesori Oliver Jens Schmitt në librin e tij. Në libër Skënderbeu zbret nga lartësitë legjendare, bëhet personazh tokësor.
Kurse skulptura e Skënderbeut në Prishtinë e punuar nga J. Paco në material bronz si duket më shumë ka të bëjë me pjesën legjendare të tij se skulpturës realiste me përmasa të sakta. Nëse bëjmë një matje të thjeshtë përmes njësive matëse të barabarta, lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë, kurse njeriun nga pjesa e sipërme e kokës gjerë te gishtërinjtë e këmbës, vërejmë më të plotë dhe më të madh figurën e Skënderbeut sesa atë të kalit. Ana artistike proporcionale nuk është e saktë me përmasa reale.
Pyetja që me vije është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Nëse kali i tij që 1.73 më i lartë siç mendohej, ka mundësi që Skënderbeu të jetë më i shkurtë, por jo shumë më i lartë se kali në imazhin e shtatores, ndonëse kjo na pëlqen të gjithëve ta parafytyrojmë. E vërteta është se njeriut nuk mund të jetë më i lartë se kali.
Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë është kopje e atij në Krujë, i ulur në kalë, derisa kali ngritë këmbën e djathtë, po ashtu edhe Skënderbeu me dorën e djathtë mban shpatën, kokën e ka të kthyer kah armiku ngaqë përballet me një ushtri shumë më të madhe. Ndodhet i pa frikësuar në betejë. Përveç që i jepet rëndësi figurës së Skënderbeut, duhet t’i jepet edhe figurës së kalit sepse kali përdoret si simbol që ka shoqëruar heroin. Barleti e thekson se kali qe i një race të zgjedhur dhe pas vdekjes së Skënderbeut nuk pranoi t’i hipte tjetër njëri, andaj dhe ngordhi.
Efektin e shikueshmërisë së Skënderbeut i cili në Prishtinë ndodhet në gropë e në Krujë në kodër, dukshëm zbehë pjesët proporcionale ndërmjet heroit dhe kalit. Në Krujë ky monument vështrohet nga poshtë-lartë, edhe nga anash, pastaj vazhdon nga lartë-poshtë. Në Prishtinë vetëm nga poshtë-lartë, pra artisti Paco qëllimisht rrit pjesët e Skënderbeut: kokën, gjoksin, duart dhe krejt trupin, i bënë më të mëdha në raport me kalin dhe shikuesin, ngaqë në perspektivë ai mendon se figura e heroit do humbet. Mirëpo, nuk është ashtu, heroi nuk humbet na del dukshëm më i madh se kali. Duhet rritur edhe kalin, pastaj jemi dakord me proporcione. Ky është defekt. Nuk mundet të adaptohet i njëjti monument si në Krujë dhe në Prishtinë.
Nëse do ta punonte për terren të drejt me këto përmasa, prapë Skënderbeu do ishte më i madh se kali. Defekti optik qëndron vetëm te rritja e kalit. Çuditem një skulptor i famshëm i asaj kohe siç ishte Paco mos ta vërente një defekt të tillë i cili nuk qe i vogël.
Prej kohës rrjedh një dokument në qarqet e historianëve që flet jo saktë për gjatësinë e Skënderbeut. Në letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: “Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje e aq jepmëni”. Çka del nga kjo se për Venedikun, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Përflitet se gjatësia mesatare e trupit të tij qe prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Atëherë, nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 m., mjaftonin 8 krahë rroba, atëherë me 9 krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 m. Në tekst shkruan se “ Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë. Ndërkaq në anën tjetër, për të pasur një ide se si mund të jetë dukur veshja e Skënderbeut, mjafton të përmendet fakti që 1 krah venedikas ishte 0.58 m, rrjedhimisht, i bie që trupi i Princit arbëror, mbulohej me veshje të bëra nga 10.44 metra stof (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44).” E tëra kjo mbetet ende e pasaktë, por saktësia më e mirë është se njeriu asnjëherë s’mund të jetë më i lartë se një kalë, përjashtuar Ponin.
Për heqjen e shtatorës së Nënë Terezes në Rinas
Në Kosovë si duket disa nga artistët nuk janë të aftë t’i shprehin gjendjet shpirtërore të njerëzve heronj, të cilët dhanë vërtetë jetën për këtë vend.Dështim tjetër është shtatorja e Edmond Hoxhës në Junik e cila është shumë qesharake, fyese, e shtrembër estetikisht, kurrfarë përmasa anatomike, trup të hollë… duket si në lëvizje, por nuk është në lëvizje, këmba e djathtë e tërhequr mbrapa është më e gjatë dukshëm krahas me këmbën e majtë, ndërsa dora e majtë e ngritur, duke si e thyer e pavarur me pjesët tjera trupore të heroit.Nuk e dijë çfarë donte të simbolizonte autori me këtë dorë, e cila më shumë të jep imazhin e invalidit sesa njeriut normal simetrikë. Fytyra serioze, po, kjo mund të pranohet, por e ngulitur në një trup qesharak, kjo s’mund të durohet. Kjo figurë jo që nuk duket e gjallë, por është shumë e shëmtuar, bastarduese ndaj kësaj figure heroike, dhe a kështu duhet të tallemi me heronj?
Natyrisht jo. “Artisti” komplet e deformon skulpturën jep përshtypjen se duket si e çmendur. Kostumi i cili është i tejdukshëm, kinse thekson muskujt, ndonëse më i rëndësishëm është muskuli se kostumi. Jo skulptor, të gjitha peshojnë në vendin e vet. Kjo shtatore duket e deformuar kokë e këmbë, dhe jep përshtypjen se është i qullosur nga uji, e jo balta. Sikur dikush që sapo ka dal nga dushi.Pamja e tij në këtë rast vërtetë është e pamëshirshme, të vjen për të qarë kurrë e sheh në këtë gjendje një hero. Jo veç që ekziston mungesa e estetikës, por larg është ana poetike, ose raporti me hapësirën që duhet të ketë çdo shtatore.
Syri im në këtë rast duket sikur vështron përmes qelqit drejt këtij subjekti, personazhi me tendencë të motivit moral, duke mos e qëlluar bile asnjë element të bukur të veprës së artit. I mungon edhe shpirti i fortë e i bukur që duhet t’ja instaloj artisti.Kjo shtatore duhet të zëvendësohet me një shtatore më profesionale kushtuar heroit Hoxha, të arrijë një rezultat që trupi i tij, fytyra, të shndërrohen në natyrë të gjallë, e jo kështu e turbulluar dhe e shëmtuar, ta besoj edhe bota se po shikon natyrën e një trimi që vërtetë dha jetën për këtë vend. Defektet anatomike e bëjnë shumë të ftohtë figurën.
Skulptura duhet të përmbajë si anën poetike ashtu edhe estetike, të jetë në lëvizje, dhe shumë e rëndësishme është pika e vëzhgimit, nga cila anë vëzhguesi pozicionohet ta shikoj veprën. Çdo skulpturë në vete përmban edhe distancën jo shumë të largët nga vëzhguesi. Por, kjo distancë duhet t’i përshtatet natyrës së vet. Nga pjesa e djathtë e shtatores, nëse pozicionohemi kah këmba, dhe prej një distance jo shumë të largët, jepet përshtypje se heroi çalon, krejt ky defekt i zgjatjes së madhe të këmbës. Skulptura është art që ndryshon nga pozita e vëzhgimit.Nëse qëndrojmë në një pikë, ne dhe shtatorja do përshkohemi nga hijet, atëherë disa pjesë të trupit dhe fytyrës nuk i vërehen, duhet theksuar mirë, në këtë rast çdo gjë është defektuoze dhe statike. Skulptura ndërron pamjen, nga mëngjesi, pasditja, muzgu dhe mbrëmja. Ndryshe ka imazh dimrit nën mjegull, ndryshe verës, andaj duhet mirë të punohet t’i rezistojë kohës.Varet edhe drita si i bie, a drejt në fytyrë apo ka pjesa e shpinës, sido që të jetë heroi shëmtohet dhe shëmtohet në këtë rast.
Skulptori nuk e dijë se vepra e tij nga momenti që del në shesh ballafaqohet me dritën dhe hijet, andaj lakimet, vijat dhe lëmimet duhet të jenë shumë estetike dhe natyrale, bëhet fjalë për realizmin.Kurrë shtatorja vihet në lëvizje, ajo tenton ta thyen statiken, në fakt është statike, por lëvizja i jepet si rrethanë dhe motiv i personazhit, në këtë rast pjesa nga koka e gjerë te beli është patetike, kurse ajo tek këmbët kaluese me defekte serioze.Skulptura çfarë është në hapësirë ajo është edhe në kohë, kurse shtatorja e Hoxhës as në hapësirë e as në kohë. Në fakt shtatoren nuk mund ta njohim nga takimi i parë, atë duhet shfletuar si libër. Në këtë rast çdo faqe është e shtrembëruar. Nga momenti i vëzhgimit, nuk do të thotë se e kemi anketuar tërë shtatoren, por rasti në fjalë nga çdo pikë e vështrimit, anët optike, gjymtyrët janë dobët të punuara.Skulptura me figurë njeriu, konkretisht shtatorja i nënshtrohet çdo natyraliteti njerëzor. Në këtë rast duhet t’i përmbahemi asaj çfarë kishte thënë skulptori i madh Roden: “Skulptori kopjon atë çfarë shikon”, këtu bëhet fjalë për realizmin. Në këtë rast te Hoxha kemi imagjinatë, karikaturë dhe satirë.Skulptorët po harrojnë se nëse modelohet trupi i njeriut, nuk mund t’i shmangen skulpturës greke dhe njohjes shpirtërore.
Detyra më e vështirë e skulptorit është krijimi i figurës së njeriut. Këtë e kishte pohuar edhe Shopenhaueri. Shtatorja duhet të ketë baraspeshë ngaqë paraqet trup fizik të kufizuar.Vite më parë nga aeroporti i Rinasit është hequr shtatorja kushtuar Nënë Terezës e skulptorit nga Kosova Luan Mulliqi. Në vend të saj është vendosur shtatorja e skulptori Thoma Thomait. Vepra e Mulliqit ishte shumë e nxituar, e derdhur me plotë defekte. Vepra ishte lyer me bojë antiruxho krejt kjo për t’i dhënë ndoshta edhe hi syve publikut sepse masa edhe nuk kupton mirë nga arti.Trupi i saj është shumë hollak, jep përshtypjen e shtizës, raketës, madje edhe minares së xhamisë dhe ngritët drejt qiellit. Është ndjesi jo shumë e mirë nëse ndonjë i huaji do vinte në Shqipëri dhe ta shihte në këtë mënyrë figurën e famshme të Nënë Terezës. Kjo figurë duhej të kishte ndjesinë e paqes dhe atë të krenarisë, pastaj elementi tjetër shpirtëror, as që vërehet fare.Krijimi i imazhit modern që jep formën e raketës, e shëmton Nënë Terezën. Po, edhe sikur t’i shkonte modernia kësaj figure, fytyra duhet të jetë origjinale e humanistes, kurse fytyra ngjanë me shtatoren e Jezu Krishtit në Rio De Janeiro, përveç mjekrës që i mungon në shtatoren e Mulliqit. Trupi hollak i jezuit gati identik është me atë të Nënë Terezës, ndonëse si ndikim i tepruar dhe i qëllimshëm me tentim të kopjes.Pjesa e poshtme është anti-estetike te shtatorja e Nënë Terezës, kurse fytyra s’kishte ndonjë qëndrim të butë të humanistes. Ndjesia se ajo po e bënë lutjen universale as që vërehet, duart janë sikur të ndonjë aktori pa emocion i cili bënë aktrim tregues, ta bind në të jashtmen publikun, ana shpirtërore shumë çalon. Vetëm duart dallojnë nga ajo në Rio De Janeiro, që i ka të hapura, kurse nënë Tereza e Mulliqit i vendos në një mënyrë sikur po lutet, në të njëjtën kohë duke uruar njerëzve mirëseardhje në aeroport.Pjesa fillesë e poshtme del nga toka tamam si raketë ose shigjetë duke u orvatur drejt qiellit. Monumentaliteti i saj në pjesën e poshtme as që vërehet, është në gjysmë të rrugës procedura e punës, kërkohet më shumë punë për tu finalizuar, dhe nuk e dijë pse shtatoret gjysmake i vendosin në sheshe publike, kjo ndoshta do ishte më mirë të rrinte në park sesa në hapësirë ku vijnë vizitor të huaj.Është deformim i humanistes dhe bëri mirë qeveria që e hoqi nga Rinasi.
Dimensioni i thjeshtësisë së saj as që duket dikund, nuk e dijë përse e ngarkojnë fytyrën, duke mos kapur aspak shpirtin e saj. Nga teprimi i stilizimit dhe përpjekja drejt modernes, e humbet komplet efektin shpirtëror estetik të skulpturës. Këtu duhet të kemi shumë kujdes. Kjo është shumë statike e pa jetë s’të len fare mbresa.As kjo e Thomait me tendenca të realizmit me pak ekspresivitet nuk është shumë e përsosur, ndonëse dukshëm më larg estetikisht nga ajo e Mulliqit. Si punë në frymën e skulpturës ka më shumë vlera. Kjo posedon një dimension nga një vështrim optik më afër, është më e vogël, dhe as kjo në përsosmëri nuk e mishëron humanisten, kjo paska duket si kërkon lëmoshë e nuk jap lëmoshë, është lypsare në këtë pozicion.As kjo nuk tregon thjeshtësinë dhe madhështinë. Gjithmonë ajo afër kishte fëmijë të braktisur të uritur, përse nuk e ngarkojnë me këtë problem, por e individualizojnë, në fund e shëmtojnë. Andaj, të vjen edhe keq për ta shikuar. Po të ishte pikturë çdo gjë të ishte më në rregull, kurse skulptura është më e kufizuar sa i përket figurave të famshme kurrë merren të punohen. Pikaso nuk i ka punuar skulpturat reale, por kurrë është fjala për figura si kjo duhet të kenë karakterin dhe ngjashmërinë.Disi më duket si ilustrim i një plake shumë të lodhur, të rraskapitur nga vuajtjet e jetës, pa energji, anemike, e kundërta e asaj që duhej ta kishte kjo grua, energjinë hyjnore e cila vërtetë e karakterizon veprën. As e para e as e dyta nuk e kanë këtë energji. Është si degradim soc-realist i kësaj figure humaniste. Andaj, kjo e dyta është realizëm kiç, siç ishte realizmi-socialist, balsamosje e njeriut të gjallë, një imitim, gjithçka mund të jetë vetëm art jo.Nëse kërkohet të jetë e një fryme të sotme, energjia hyjnore, karakteri nuk bënë ti mjegullohen. Mos të harrojmë se kush ishte Nënë Tereza, lutjen që e bëri për njerëzit, dhe ne aspak nuk ja kthyem këtë, por po lozim duke e transformuar prishur në shtatore të dështuara.Shtatorja e re duhet të shpërndaj, ngacmoj, ndikoj me energji shumë hyjnore.
Mjafton, e përkulur, me një dritë hyjnore mbi fytyrën e saj, drejt njerëzimit gjysmak idiotë, të pamëshirshëm, kokëtrashë të cilët kurrë nuk do ta njohin shkencën e shpirtit të saj. Mjafton kostumi i bardh dhe ngjyra e kaltër.Syzet, shallin e tij, disa ja hoqën syzet, shallin e bënë si shami, krijuan parodi, humor, satirë me bucetat që i ekspozuan për konkursin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Fytyrat qenë si mumie, anemike, pa gjak, me ballë herë të qitur jashtë, e herë të vogël, dikund edhe i shtrembëruar, nuk dihej saktë cili mund të jetë ish presidenti.Disa e paraqiten si valltarë bluzi, disa si balerinë, disa të tjerë si xhuxhë, kurrsesi t’ja qëllonin figurës. Përse ndodhi kjo? Skulptori veprën e tij e trajton si fëmijën e tij, andaj edhe kur ta krijon të shëmtuar i duket e mirë, ngaqë është pjesë e tij. Kurse ata profesionist ndjejnë ftohtësi ndaj veprës, distancë, bëhen vetëkritik, por prapë ekziston një sasi e euforitetit që i ngritë në maje bashkë me veprën e tyre. Lehtë klithet për këto buceta se janë të shëmtuara, por ta nxjerrim më të mirën më edukuesen, më origjinalen, kjo është më e vështira.Shtatorja e Ibrahim Rugovës e vendosur në shesh të Prishtinës krahas atyre shëmtirave është e punuar më mirë.
Ka lëvizje interesante, kostum prej intelektuali, ka ngjashmëri me fytyrën e tij origjinale… Ka disa veçori po them të ngjashme me shtatoren e Enver Hoxhës, pjesa e drejtë e trupit, kraharori, thyerjet e kostumit te kraharori, dora e majtë e ngritur pak në pozicion të njëjtë, vetëm se të Rugova nuk vërehet që është e lirë, por si e detyruar të jetë e ngritur, paksa e djathta e shtrirë është më e gjatë në raport me përmasat trupore që bëhen si matje te “Njeriu Vitruvian’. Shuplaka është shumë e madhe e dorës, komplet shtatorja është e madhe. E kuptoj atë krenarinë dhe shpirtin, por duhet fizikuesi të jetë brenda normales.Është pak e dhimbshme se si t’i ngjaj një figurë që gjithmonë tentonte demokracinë një komunisti siç qe Enveri. Shtatorja komplet i ka përmasa e realizmit socialist, dhe Rugova nuk duhet t’i ketë. Ndoshta skulptori dhe kërkesat ishin që të shfaq individin patetikë, porse jo të hulumtuar në katalog ose google për dhënien e formës së trupit, sepse trupi më shumë është i Enverit sesa i Rugovës, por edhe ai i Enverit nuk qe i Enverit por kërkesë e sistemit. Andaj, kjo nxit imitimin dhe vërtetë ishte prej shtatoreve më të realizuara krahas shëmtirave.Shtatoret e sotme përveç që duhet të jenë estetike duhet të duken edhe të vërteta, por s’po flas për hiperrealizmin. Rodeni më kot nuk thotë se karakteri e tejkalon bukurinë e skulpturës.
Pjesa e syve te Rugova nuk mund të identifikohet mirë, duken si të mbyllura apo me shikim drejt tokës, por nga sytë pasqyrohet shpirti. Krahas me shtatoren e Enverit si të ngjashme, Enveri është më i plotë më i fryrë, kjo si shkak i sistemit.Skulptori kur modelon portretin duhet ta shmang lirinë e tij, ai nuk është i lirë, ai është i kufizuar ndaj portretit që pritet të lind. Kurrë merret të krijohet një figurë e famshme, skulptori duhet të jetë arkeolog i fortë ndaj mendjes dhe informator i mirë për jetën, fizikun e portretit. Nëse nuk i respekton këto, atëherë krijon art individual dhe personal. Nëse hulumton shumë për qëndrimet, mund të ndikohet, keqkuptohet dhe të shpallet si plagjiatorë. Kurrë shtatorja arrin të krijoj bindje vizuale te shikuesit, skulptori është sfidues i vërtetë.
Në kohërat e saj, skulptura e mirë kërkon gjestin, tek ne ajo rënkon për gjestin, pastaj shprehjen e fytyrës, te ne vajton ta ketë shprehjen origjinale të fytyrës, porse edhe shikimin e zbrazët, sepse në dukje ashtu reflekton, por shpirti origjinal duhet të rezymojë mbi të gjitha gjestet, e ti kthej kah vetja krejt shikimet e botës. Këtë nuk e kemi ne, vetëm vazhdimësi e soc-realizmit dhe vetëm soc-realizëm, sikurse edhe shtatorja e Rugovës që u përjetësua pothuajse me trup të ngjashëm të Enver Hoxhës.Qëllimi i shtatores së Rugovës nuk duhet të imitojë Enverin, por të stilizojë presidentin e ndjerë, dhe të ruaj në vete shprehjen tejet domethënëse, afshin kalimtar nga koka gjerë të këmbët, vetëm kështu ajo do ta prezantonte perfeksionin që është i palëvizshëm, por vizualisht i lëvizshëm. Origjinaliteti dhe stilizimi do të kishin forcën dhe unitetin, dhe shtatorja do ishte më provokuese. Stilizimin e kemi pasur në fillim të epokave artistike dhe gjithmonë dilte në fund.
Neëborn-i i gabuar
E dashurojmë të gjithë lirinë, atmosferën mbi tokën që e kemi tejet të freskët, të pafajshme që u përpiqen t’ja ngjisin fajin.I arsyeshëm është monumenti Neëborn-i, poshtë pallatit të rinisë. skulpturë e krijuar me rastin e pavarësisë së Kosovës e udhëhequr nga Fisnik Ismajli. Ky monument çdo vit ndërron pamjen, por jo formën. U shpalos në ditën e pavarësisë së Kosovës. dhe iu mundësua pjesëmarrësve festues, që në skulpturë të nënshkruajnë. Skulptura u vendos në qendër të Prishtinës vetëm për ditën e pavarësisë për të shënuar lindjen (born) e Republikës së Kosovës, për të “marrë nënshkrimet” dhe pastaj të zhvendoset në lokacion të përhershëm.Ky monument nuk e zbukuron botën, është i rrethuar me hi, çdo ditë nxihet, vlon në zanatin e baltës, është në gropë, i shtypur, por i ngritur si lindje dhe ata që e duan lirinë.Kjo britmë është e preferuara e të gjithëve, por unë jam i zhgënjyer me mos përshtatjen e hapësirës adekuate për Neëborn-in.Arti ka për qëllim të bëhet i zhurmshëm. Monumenti për asnjë vit nuk trazoj, nuk rrotulloj zhurmën, çdo ditë bëhet më i heshtur.Në vendin ku rri, po shndërrohet në mumie, statuja po shembet në baltë.Jo të rrëzohet, por të zhvendoset se më idiotë janë ata që po i përmbysin kështu veprat e mëdha nën kafshim arkitektonik përreth sesa ata që hedhin kripë në det.Ky monument po përçmohet i mungon shtrirja ideale, sepse skulptura e madhe e ka këtë ligj, rilind në një jetë të re , bëhet bukuri e gjallë. Kështu e rrethuar duket si shëmti.Neëborn tenton të ketë tipare hyjnore sepse u inaugurua në momentin e duhur, por tashmë përmbyset në vuajtje, është tërhequr në vete: vërtet do të na falënderoj nëse një ditë ja gjejmë një hapësirë. Neëborn loton dhe loton…..Ju këshilloj: vendoseni ja lartë, ja vetëm, kështu do ja kthejmë një jetë të re, çdo virtyt do kthehet te ne.
“Heroinat”, plagjiat apo vepër origjinale?
Heroinat” të inauguruar më 12 qershor të 2015-tës. Edhe në media u diskutua se a është plagjiaturë apo vepër origjinale nga artisti Ilir Blakçori. Si qëndron puna? A mund të cilësohet si vepër plagjiaturë, atëherë ne po bëjmë një përshkrim të dy veprave dhe vet lexuesi le ta përkufizojë:
Memoriali “Heroinat” rrëfen për sakrificën e femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në luftë nuk rranë vetëm heronjtë kemi edhe 20 mijë heroina të dhunuara. Memoriali “Heroinat” është vendosur në një këndë të fshehur krahasuar me memorialit tjera në kryeqytet. Memoriali u inaugurua me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Kosovës. Vepra u krijua me 20 mijë shufra të hekurit. Në sipërfaqen e kësaj skulpture, shufrat marrin trajtën e medaljoneve. Vepra duket si impozante, në fytyrën e saj vërejmë butësinë e natyrës femërore. Koncepti i saj është i dyfishtë sipas realizuesit Blakçori: gjatë ditës nën efektet e dritës natyrale, medaljonet reflektojnë dritë e hije mbi imazhin e portretit. Nëse afrohemi vërejmë portrete individuale të medaljoneve, që identifikojnë nënat, bijat, motra që humbën në luftën e fundit.
Interesante është se vepra jo veç që u frymëzua nga një vepër tjetër, por është e njëjtë sikurse ajo e artistit Asif Khan, ‘MegaFaces’ 2014. Pjesa e kokës “Heroinat” dhe “MegaFaces” (i njëjti realizim i këtij monumenti ishte i vendosur edhe në Lojërat Olimpike 2014, që janë mbajtur në Sochi të Rusisë), janë të njëjta, me vështrim të njëjtë, vetëm se pjesa e flokëve te “MegaFaces” i mungon, këtë nuk e përdorë artisti te “Heroinat”. Pjesa e ballit, syve, hundës, gojës, vështrimit, copëzat e medaljoneve (të ngjashme) në fytyrë, shikimi, tërë mimika, janë identike. “Heroinat”, është fytyrë gruaje, kurse “Megafaces” duken si fytyra të fëmijëve, vetëm biografia e personazhit ndryshon derisa pjesa e idesë dhe realizmit mbetet mu e njëjta. Në stil, anatomi dhe koncept janë të njëjta. Këto vepra ngjajnë si dy pika uji. Nuk kopjohet vetëm ana vizuale, kopjohet edhe koncepti autentik i veprës “MegaFaces”. Kjo vepër tashmë e kopjuar ka lëvizje emocionale, por unë si qytetar i thjeshtë më shumë do pëlqeja murale të shkëmbit me simbole historike të heroinave në vend të një vepre të kopjuar.
Realizim i dobët, busti i Adem Jasharit në Prekaz dhe shtatorja në Malishevë
Busti i Adem Jasharit në këtë rast është në profil tej mase i ekzagjeruar, detajet e fryra pa matje të sakta nga flokët e deri te mjekra, veçanërisht pjesa e mjekrës është e qitur jashtë siç u cek merr pamje deformimi, defekt fizik dhe dihet që në realitet heroi nuk e kishte këtë defekt. Imazhi i heroit na del si një person me të meta fizike.E sakta është që skulptori ta krijoj rrethin i cili e zgjeron kafkën duke marrë formën e elipsës. Veshi vendoset prapa vijës që e ndan kokën në dysh: në pjesën e përparme dhe atë pas kokës. Kurse figura e Jasharit ka veshët e ngjitura mezi i vërehen, duket si portret i shurdhër.
Pjesa e ballit te busti është shumë e ngushtë, kjo si arsye e kapelës, por jo nëse e punojmë me pamje frontale (të ballit), gjerësia e hundës fitohet me dy vija të lëshuara poshtë nga këndet e brendshme të syve, por jo të jetë teje e shkurtër siç e kemi në bust, por zgjatet më poshtë, dhe nga kjo përfitohet edhe gjerësia e gojës e cila fitohet me dy vija të tërhequra poshtë nga kufiri syrit. Kjo krijon simetrinë e saktë të figurës. Kokërdhokët e syve në bust as që vërehen dhe vështirë t’i shtrijmë dy vija vertikale. Nëse analizojmë supet e bustit janë më të gjëra në raport me qafen e kokën, kurse te poshtë vjen e ngushtohet. Nofulla e gabuar dhe mjekra krijojnë disharmoni dhe disproporcion.
Andaj, skulptori duhet të ketë kujdes sepse busti ka arrit një efekt të kundërt si rezultat i defekteve anatomike. Fytyra duhet ta ketë një simetri të pastër dhe duhet veçuar mirë detajet, muskujt të cilat fare nuk i vërejmë në bust. E tëra devijon për shkak rritjeve të elementeve të figurës, por edhe rritja shkon me harmoni me pjesë siç u përshkrua më lartë, vetëm se dallon vështrimi optik nga toka nëse kemi në një distancë tejet të lartë me bustin, p.sh kapela ose koka, por kjo krahas me krahët është shumë e madhe, dhe krijon ekzagjerim.
Shtatorja e Adem Jasharit në Malishevë shumë e zbehtë
Nëse vazhdojmë matjet e tjera të kësaj shtatore do vërejmë duart tejet të shkurtra, por me shuplakë të zgjatur. Pjesa proporcionale ndërmjet gjymtyrëve nuk është saktë, dhe skulptori duhet ta dijë se proporcionet dhe harmonia luajnë rol të madh në skulpturë. Skulptori kurrë bënë matjen e lartësisë së trupit, merr shtatë koka të shtatores duke i vendosur në pozicion vertikal, për ta fokusuar gjatësinë, kurse në shtatore krahas me gjatësinë e kokës nga mjekra deri te flokët, trupi na del shumë i vogël, por me gjoks të fryrë, frymëzim nga skulpturat e pas luftës së dytë botërore. Kjo është e pamundur nëse marrim saktësinë proporcionale të gjymtyrëve. Heroi duhet të na del më i gjatë në raport me gjatësinë e kokës të cilën e shohim momentalisht në shesh. Da Vinçi matjen e trupit e shpjegoi shumë mirë te “Njeriu Vitruvian”, në të cilën mesin e trupit e fokusoj te kërthiza, dhe matjen e trupit e përpjesëtoj përmes shputës së dorës dhe parakrahut. Si do që të jetë rasti në fjalë nuk është proporcional. Edhe përmes shtrirjeve të duarve në pozicion horizontal, me matje, trupi ka mu atë gjatësi. Këtu prapë edhe kjo na devijon.
Ana estetike, është shumë e shëmtuar e vrazhdët, veçanërisht gjestet dhe stilizimi i cili tenton të nxjerr ca lakime, vija, por janë të kota të vakëta. Duket sikur pastrim balte apo modelim mbi trupin e shtatores pa fare estetik. Nuk ka lakime të kostumit mbi të cilin depërton dritë-hija, por vetëm heqje dhe heqje balte të njëjta në çdo anë të trupit. Unë e respektoj punën e skulptorit, por veprën e kritikoj sepse nga flokët e deri te këpucët nuk vërej asnjë element realist. Ndoshta edhe nuk është shtatore e përfunduar, por gjysmaket nuk bënë të zënë një vend të tillë.