MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Si Kurti sfidon tryezën e darkës së Thaçit nga Tirana

05.02.2019 - 08:34

Mu në mes të asaj që ngjan (por nuk është) stafeta e protestës studentore tek pedagogët, si paradhomë e protestës së opozitës, pranë tyre u shfaq Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosja. Kurti erdhi duke shpërfaqur pa kompleks aksionet e tij tek një pjesë e protestës së studentëve, një fraksion marksist i saj iniciator i saj, dhe kjo nuk ishte lëvizje e zakonshme. Pikërisht për shkak të konteksit kohor dhe hapësinor të këtij takimi, kjo lëvizje meriton vëmendje të posaçme.

Ky takim me mesazhet publike dhe jopublike- ato të nënkuptuarat, nuk mund të paragjykohet plotësisht. Është mirë që studentët të kuptojnë diferencën intelektuale mes liderëve të ndryshëm këndej dhe andej kufirit, dhe Kurti në raport me pjesën tjetër të lidershipit politik është personazh interesant për t’u dëgjuar dhe bashkëbiseduar. Më mirë të dëgjojnë atë sesa dikë tjetër, për më shumë që Kurti jo vetëm është një lider i lexuar, por dhe i rrethuar nga njerëz të dijshëm nga Shqipëria, Kosova apo dhe nga universitete franceze, ithtarë neomarksistë, ndonëse neomarksistët si rregull janë jo nacionalistë.  Mirëpo Kurti, i vetëdijshëm për interpretimin e vizitës së tij, mesazheve të tij, nuk ka patur komplekse se mund të ngjajë se po kontribuon në një riorganizim të aleancave partiake midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pse ?

Vizita e tij ndodh mu kur Rama i dorëzoi një stafetë mesazhesh të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, udhëheqësve të koalicionit qeverisës të Kosovës, në një vizitë blic, në shtëpinë e Presidentit Thaçi. Rama foli me Bolton, Thaçi dhe Pacolli shkojnë në SHBA dhe kjo imponon njëjtësim qëndrimesh apo shkëmbim informacioni.

Kjo vizitë e Ramës si dukej nga fotoja, ngjante se ka kontribuar në relaksimin e marrëdhënieve të këtyre liderëve, mes vetes por dhe me presidentin Thaçi ; ngjan se përforcoi rolin e kryeministrit Rama në Kosovë në situatën aktuale dhe krijoi një dinamikë të re politike në kuadër të procesit të bisedimeve me Serbinë. E pra, në këtë tryezë nuk ishte Kurti. Kjo tryezë mund të çojë- nëse ky proces përfundon pozitivisht-, në një referendum që hap rrugën e bashkimit kombëtar, dhe Kurti që ka luajtur kartën e bashkimit kombëtar tash sa kohë, nuk është as këtu në kahun e protagonistëve. I ndërgjegjshëm për këtë dinamikë e cila i heq atij kauzën e Lëvizjes së vet, Kurti ngjan se po inicion një lëvizje të re panshqiptare që zë fill me studentët.

Nuk është thjesht përpjekja e tij konstante për të patur një audiencë më të gjerë sesa ajo e Kosovës që rri e ngushtë, por është një përpjekje për të krijuar kundërvënie ndaj aksit të tryezës ku i zoti i  shtëpisë kishte lënë kryeministrin Rama në krye të vendit. Ndonëse, Kurti u përpoq të mos rezononte me protestën e PD-LSI-së, por vetëm me fraksionin marksist të Qorrit, retorika e tij për një « pranverë proteste shqiptare », ndaj atyre që « po grricin shpresën », rezonim me « pranverën arabe », ishte e qartë.

I vetëdijshëm për risinë jo dhe aq natyrale- një lider partiak i një vendi shkon mu në mes të protestës së një krahu politik në një vend tjetër, Kurti nuk e sulmoi Ramën, por ama sulmoi gazetarin Haxhiu dhe në një mënyrë jo shumë trimërore qortoi dhe ministrin e jashtëm në detyrë, ish aktivistin e tij Gent Cakaj. Sikur të ishte i veti (i Vetëvendosjes) deri në momentin e fundit, Caka me siguri nuk do sulmohej, por do lavdërohej : megjithatë Kurti tha se ka edhe më të mirë sesa ai në Kosovë dhe në Shqipëri !

Lëvizja e fundit e Kurtit ka brenda vetes  edhe shumë domethënie të tjera. Kurti po krijon dhe po kultivon midis studentëve përmasën e vet të liderit panshqiptar në perspektivën kur institucionalisht bashkimin mund ta realizojë kundërshtari i vet më i egër, Hashim Thaçi.  Po i bën presion Ramës.  Sipas lojës së pasqyrave komunikuese po lëvron popullaritetin e vet tek studentët e Shqipërisë, që të rrisë ndikimin në Kosovë, një lojë e njohur kjo edhe e Ramës, apo e Thaçit, që kërkojnë ndihmë në bregun tjetër, tek partitë apo mediat e shtetit tjetër shqiptar. Ndërkohë ardhja e tij në Shqipëri është një arratisje nga realiteti i Kosovës ku amerikanët ja kanë imponuar konstruktivitetin duke i vendosur kufizime për aksionin e tij politik.

Në pamundësi për të bërë atje protesta të ngjashme si ato kundër demarkacionit me Malin e Zi ( ai nuk ka shpjegim se pse nuk proteston tani për një projekt marrëveshje që e quan më të rrezikshme sesa ajo me fqinjin tjetër sllav), ai vjen në Shqipëri.  Prej këtej apo mu në atdheun amë, Kurti ruan përmasën e vet të njeriut të demonstratave ; prej këtej sfidon Amerikën ; prej këtej i ndrron 180 gradë kartat e miqësive politike- i kthehet Berishës, Metës, braktis Ramën, ndërsa në Kosovë Isa Mustafa është bashkëbiseduesi i tij kryesor.

Kjo lëvizje pra nuk ngjan e zakontë dhe ka potencialin sadopak të rivalizojë jo thjesht tryezën e darkës së Thaçit, por dhe të sfidojë bisedimet me Serbinë nëse protesta në Shqipëri del jashtë kontrollit. Tryeza, bisedimet prodhojnë riciklime politike, dhe hapin skenare të rëndësishme kombëtare dhe rajonale. Kurti po kërkon vendin e vet në këtë perspektivë të re dhe është në eksplorim.