Menu

Albert Çaçi

Super OPEC

14.02.2019 - 10:10

Më datën 17 shkurt, në Vienë do të mblidhen vendet prodhuese dhe eksportuese të naftës, me një objektiv shumë ambicioz, me pasoja jo të vogla gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Kërkohet kalimi nga i ashtuquajturi OPEC Plus, në krijimin e një karteli të ri, Super OPEC, ku me përjashtim të SHBA, Norvegjisë dhe Britanisë së Madhe, të grupohen të gjitha vendet prodhuese të naftës, që aktualisht zotërojnë rreth 78% të prodhimit botëror dhe të rakordojnë si kuotat e prodhimit, ashtu edhe çmimet e naftës.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Në historinë e gjeopolitikës botërore ka patur shumë “martesa” të çuditshme dhe të pamagjinueshme, të diktuara nga një  sërë faktorësh. Natyrisht që martesat gjeopolitike kanë një logjikë të caktuar aleancash, armiq të përbashkët, parime, vlera kulturale, besime fetare, dhe nga harmonia e këtyre faktorëve është varur qëndresa në kohë. Kurse ato të çuditshme, në përgjithësi janë të përkohshme.

Në këtë kontekst “martesa” e Arabisë Saudite me Rusinë, në krijimin e të ashtuquajturit OPEC-Plus në 2017, shkaktoi shumë skepticizëm, për shkak të dy vendeve me histori, origjinë kulturale dhe fetare, dhe në aleanca gjeopolitike shumë të ndryshme. Megjithatë, tani pas 18 muajsh, mund të thuhet se kjo martesë po rezulton efiçente me përfitime të dyanshme. OPEC po ruan premtimin për një prodhim ditor prej 32,5 milion fuçi dhe OPEC Plus  në nivelin e 18,5 milion fuçi, kështu që  kanë arritur objektivin primar për të stabilizuar çmimim mbi 60 USD  për fuçi.

Dy vendet kryesore, si Arabia Saudite ashtu edhe Rusia, kanë patur përfitime të mëdha nga kjo martesë. Rusia vërtet që  u detyrua të ulte prodhimin ditor me 500 mijë fuçi në ditë sipas marrëveshjes, por për shkak se çmimi i naftës u stabiliziua mbi 60 USD për fuçi, ajo përfitoi mbi një  miliard dollarë shtesë në muaj.

Foto e marrë nga CNBC

Nga ana tjetër, saudët, mbasi i gërryen financat për të financuar rebelët për të shpërndarë “demokracinë” në Lindjen e Mesme, nisën një luftë të çmendur me Jemenin, ku nuk po dalin dot as pas 4 vitesh luftimesh, përfituan mbi 2 miliard dollarë në muaj shtesë.

Pra, ky kartel i ri OPEC Plus i rezistoi kohës.

Historia e këtyre karteleve, tashmë të bashkuar, nis në 14 shtator 1960 në Bagdad kur Irani, Iraku, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Venezuela, krijuan organizatën e OPEC (Organizata e vendeve eksportuese të naftës) me qëllim që të koordinonin prodhimin për të kondicionuar çmime të favorshme. Më vonë u shtuan Algjeria, Angola, EUA, Gaboni, Libia, Nigeria, Ekuadori, Katari dhe Indonezia.

OPEC ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm gjeopolitik në disa raste edhe vendimtare. Kjo organizatë luajti një rol mjaft të fuqishëm në krizën e naftës të vitit 1973. Në kundërpërgjigje të mbështetjes së Perëndimit ndaj Israelit në konfliktin arabo-israeleit të Kipurit, OPEC-u  bllokoi eksportin deri në janar të 1975, duke trefishuar çmimin e naftës dhe duke provokuar një nga krizat më të fuqishme ekonomike botërore.

Gjithashtu, në fundin e viteve 80 në koordinim me SHBA, rriti  prodhimin, që çoi në uljen e çmimit të naftës, në rreth 15 dollarë për fuçi, veprim që  konsiderohet si një nga shkaqet edhe të rënies së BRSS.

Po kështu OPEC kërkoi të luajë përsëri një rol politik në vitin 2014.

Në rakordim me SHBA, në kundërpërgjigje të gllabërimit nga ana e  Rusisë të Krimesë, vendosi të rrisë prodhimin, me 2 milon fuçi në ditë, duke  ulur çmimin e naftës, nga 80 dollarë, në rreth 20, duke synuar një goditje asaj.

Por, këtë herë gjërat nuk shkuan ashtu siç ato mendonin.

Foto e marrë nga Vestnik Kavkaza

Venezuela, për shkak të trazirave politike, uli prodhimin me 1,5 milion fuçi në ditë, Libia dhe Angola me 800 mijë fuçi. Nga ana tjetër, Rusia jo vetëm që nuk cedoi, por u bë më agresive dhe ndërhyri ushtarakisht në 2015 në Siri, duke komplikuar gjithë kuadrin politik të gjithë Lindjes së Mesme.

Mbas 3 vjetësh efekti u kthye në një  boomerang të vërtetë. Vetëm Arabia Saudite humbi rreth 300 miliard dollarë në vit nga ulja drastike e çmimit, prandaj  kjo rrugë nuk mund të vazhdohej më, pasi u kthye në vetëvrasje spektakolare.

Për të dalë nga ky rreth vicioz, në fillim të 2017 në Vienë, lindi i ashtuquajturi  OPEC-Plus.

Në Vienë, 14 shteteve të OPEC iu bashkua edhe grupi i 11 prodhuesve të përbërë nga Rusia, Azerbajxhani, Bahrein, Brunei, Kazakistan, Meksika, Oman, Sudan, Guinea, Sudani i Jugut dhe Malajzia. Praktikisht marrin pjesë të gjithë prodhuesit botëror, me përjashtim të SHBA dhe 2-3 vendeve të Europës.

Ky kartel, prej 25 vendesh, i drejtuar nga Arabia Saudite dhe Rusia rezultoi shumë efiçent dhe arriti që, duke ulur prodhimin me 1,8 milion fuçi në ditë, bëri që çmimi i naftës brenda 18 muajsh  të kalojë nga 30 në mbi 60 USD aktual me përfitime për gjithë anëtarët.

Tani OPEC-Plus ndodhet përpara një sprove tjetër, edhe më të komplikuar. Synimi është që mekanizmin e OPEC-Plus, që përcakton kuotat e prodhimit dhe çmimet për çdo vit, ta kalojnë në një marrëveshje 10 ose 20-vjeçare, që padyshim është një evolucion shumë i madh.

Super OPEC synon krijimin e një karteli ekonomik në gjendje të negociojë me kompanitë e naftës çmimet e naftës dhe koncensioneve të nxjerrjes së saj.

Me rreth 80% të rezervave botërore të naftës, ajo mund të konsiderohet një alencë me peshë shumë të madhe në ecurinë e ekonomisë dhe financave botërore. Ndoshta më të madhe edhe se FMN apo BB.

Por tani loja vjen edhe komplikohet shumë. Të krijosh një kartel botëror, ku të jetë jashtë shteti më i fuqishëm i botës, SHBA, është një lojë shumë e rrezikshme.

Jo vetëm që SHBA janë një nga tre prodhuesit më të mëdhenj në botë, së bashku me Russinë dhe Arabinë Saudite, me 10 milion fuçi në ditë, por duke qenë ekonomia më e madhe e botës, konsumon rreth 20 milion fuçi në ditë (20% e prodhimit ditor botëror ose 1,1 miliard ton në vit). Dhe një lojë me çmimin e naftës për konsumatorin më të madh botëror, dhe për më tepër fuqinë më të madhe ushtarake është e një rrezikshmërie shumë të lartë.

Foto e marrë nga Vestnik Kavkaza

Trump gjithë programin e tij elektoral e ka bazuar mbi rritjen ekonomike dhe kjo rritje mund të kondicionohet shumë nga ecuria e çmimit të naftës. Të luash tani me çmime te bllokuara nga një kartel, aq më tepër nga rivali i tij kryesor gjeopolitik, Rusia dhe Arabia Saudite, është shumë për SHBA.

Jo rastësisht në Senatin amerikan në mënyrë bipartizane po diskutohet vendosja e sanksioneve ndaj Muhammad bin Salman, princit saudit për vrasjen e gazetarit Khashogi. Edhe nga Departamenti i Shtetit bëjnë të ditur se çështja nuk është mbyllur dhe se shumë opsione reagimi janë në tavolinë.

Nga ana tjetër, Departamenti i Thesarit bëri të ditur se do t’i drejtohet OBT për të denoncuar Rusinë dhe Arabinë Saudite, pasi politikat e Super OPEC janë në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë.

Pra, duket qartë se SHBA nuk do të rrinë pasive përpara një skenari të këtyre dimensioneve gjeoekonomike.

Nga kjo pikëpamje, Super OPEC i ri, nuk është e thënë që të jetë një burim garancie dhe stabiliteti ekonomik.

Në fakt, nafta është boshti ku rrotullohen gjithë financat botërore për të paktën 50 vitet e fundit, dhe për të janë ndërmarrë edhe luftëra të përgjakshme.

Luftërat nuk shërbejnë vetëm për  të rritur fitimet e sistemeve industriale -ushtarake, por luftërat bëjnë që të rriten edhe çmimet e burimeve energjetike, dhe kush dispon të tilla ndihmon buxhetet kombëtare.

Gjeopolitika e aplikuar për çështjet energjetike, mban në konsideratë faktin që rritja e fitimeve nga çmimi i naftës përcaktohet shumë nga ngjarje destabilizuese, të provokuara nga konflikte në  shkallë të gjerë.

Dhe pikërisht Lindja e Mesme është potencialisht një fushë beteje, ku nafta vlen më shumë se paqja, dhe pikërisht rrugët e naftës dhe gazit përcaktojnë tashmë edhe alencat.

Nuk është rastësi që rajoni, që është determinant në caktimin e çmimit botëror të naftës, nuk gjen paqe për më shumë se 70 vjet. Janë jo të pakët ata që mbrapa perdeve nuk e lejojnë një paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme, pasi në lojë janë interesa gjigande.

E ardhmja e Super OPEC do të varet shumë nga pozicionet e SHBA, që duhet thënë se kanë në dispozicion shumë karta për të luajtur, dhe me sa duket Trump nuk do të ngurrojë t’i përdorë.

Ku, si, dhe në ç’formë, kjo ngelet për t’u parë, pasi janë duke u kolauduar, por në sfond po shfaqet një konflikt gjeoekonomik, dhe padyshim gjeopolitik, që mund të ketë pasoja shumëdimensionale për ekonominë dhe paqen botërore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Ostpolitika e Merkel

Albert Çaçi

Berlini braktis F-35

Albert Çaçi

Rrënimi i Venezuelës