MENU
klinika

Prononcimi i eurodeputetit

Të djathtët evropianë kundër Bashës: Vendimi për mandatin, i gabuar!

22.02.2019 - 17:43

Eduard Kukuan, eurodeputeti i qendrës së djathtë, del kundër vendimit të partisë simotër në Shqipëri për të djegur mandatet. Me anë të një prononcimi, eurodeputeti nga Grupi i Partive Popullore Evropiane (Kristian Demokratët), thotë se mandatet duhet të trajtohen me përgjegjësi.

Është i njëjti grup ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Unë nuk mendoj se është një ide e mirë. Nuk pajtohem me bojkotin e parlamentit. Unë mendoj se politikanët në Shqipëri duhet t’i trajtojnë institucionet demokratike dhe mandatet që u janë dhënë nga qytetarët me më shumë përgjegjësi”, thotë ai.

Kukan bën apel për dialog politik të qëndrueshëm.

“Jam i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve politike. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë në drejtim të përmbushjes së reformave, por edhe në procesin e integrimit në BE. Kam përsëritur gjithmonë se Shqipëria ka nevojë për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm për të arritur potencialin e plotë demokratik. Situata aktuale politike duket se nuk e ndihmon vendin për të lëvizur përpara”, shprehet Kukan.

Eurodeputeti i djathtë njofton pasojën e parë: kriza politike mund të pengojë negociatat.

“Do të ishte për të ardhur keq nëse do të shkaktonte ngadalësim në procesin e integrimit në BE. Hapja e negociatave është diçka që pritet shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare dhe e cila ka qenë e mundshme. Sipas mendimit tim, të gjithë politikanët shqiptarë duhet të kenë punuar 150% për tu siguruar që vendi të mos humbasë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit”, thotë në prononcimin e tij, Eduard Kukan.

Të gjithë ndërkombëtarët, të majtë e të djathtë, amerikanë dhe evropianë që janë shprehur deri më tani, nuk kanë mbështetur vendimin radikal të opozitës shqiptare për të djegur mandatet.

Europarlamentari Eduart Kukan ka lidhje të ngushta me ish-kryeministrin Sali Berisha. Më herët, në vitin 2016, ai ka pasur një takim me të në Tiranë, ku interesit të mediat në atë kohë ju përgjigj: “Kur ka një mik nuk dua ta harroj”

Eduard Kukan dhe Sali Berisha në kohën kur ishte kryeministër, kanë bashkëpunuar për 5 vjet, pasi Kukan mbante detyrën e kryetarit të delegacionit të Parlamentit Europian për çështjet e jashtme.

“Edhe tani që Z.Berisha nuk është më në krye të politikës, unë nuk e kam harruar dhe doja që të takoheshim, të bisedonim, të dëgjonim njëri tjetrin”, tha Kukan tre vite më parë.