Koalicioni i organizatave joqeveritare europiane që merren me luftën kundër ndotjes paraqitën këtë martë një raport lidhur me termocentralet në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Puna e 16 termocentraleve me qymyr në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasoja ekonomike dhe shëndetësore për të gjithë Europën dhe qytetarët e saj”, thuhet në raport.
Rezultatet e raportit treguan se, çdo vit nga ndotja e ajrit të shkaktuar nga operimi i këtyre termocentraleve në Ballkan, shkaktohen deri në 3.000 vdekje të parakohshme, rreth 8.000 raste të bronkitit te fëmijët, si dhe sëmundje të tjera kronike.
Studimi vlerësoi se shpenzimet vjetore shëndetësore që mund të shoqërohen me këtë ndotje arrijnë vlerën nga 6.1 në 11.5 miliardë euro. Koston më të lartë të kësaj shume e mban BE-ja, me 3.1 deri në 5.1 miliardë euro, ndërsa ekonomitë e brishta të Ballkanit paguajnë rreth 1.9 deri 3.6 miliardë euro.
Analiza është bërë në bazë të metodologjisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Komisionit Europian.
“Ajri i ndotur nga Ballkani Perëndimor po transferohet në vendet e Bashkimit Europian, gjë që ndikon edhe më shumë në cilësinë e dobët të ajrit”, theksoi autorja kryesore e kësaj analize, Vlatka Matkoviç-Puljiç.
Sipas saj është koha që vendimmarrësit në Bashkimin Europian të mbështesin përpjekjet për të mbrojtur ajrin e pastër, dhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.