MENU
klinika

“Unë nuk jam e arsyeshme”

Toni Morrison / Legjenda e gjallë e letërsisë

11.02.2019 - 15:09

“Gojë gjaku”

Fituesja e çmimit Nobel, Toni Morrison na zbulon se si do donte ta rishkruante “E dashura”, duke argumentuar se “kriteri i ndërtimit është perandori e kanonizuar”, në koleksionin e saj të eseve dhe ligjëratave.

“Jeta dhe puna e një shkrimtari nuk janë dhuratë për njerëzimin; ato janë domosdoshmëria e saj”, – thotë Toni Morrison tek “Rreziku”, në prezantimin e shkurtër dhe të bukur të librit më të ri. Në koleksionin e nobelistes, konsideruar gjerësisht dhe nxehtësisht si një nga shkrimtaret më të mira në botë, gjejmë 40 vjet ese, ligjërata dhe meditime të sajat, duke përfshirë gjithashtu mendime dhe argumente rreth politikës, artit dhe të shkruarit. Libri përmban nxitje dhe sesione me pyetje dhe përgjigje të transkriptuara, reflektime dhe analiza, interpretime dhe biseda fillestare. Me pak fjalë, është një libër i madh, i pasur, me përbërje të larmishme dhe zoti qoftë lëvduar!

I organizuar në tri pjesë: “Shtëpia e të huajve”, “Materia e zezë” dhe “Gjuha e perëndisë”, çdo seksion fillon me një kompliment prekës për të vdekurit: respektivisht atyre që vdiqën më 11 shtator, Martin Luter King dhe James Baldwin. “Shtëpia e të huajve” është përqëndruar në politikë, veçanërisht në çështjet e tjetërsisë, të çuditshmërisë, të qytetarisë dhe të nacionalizmit. Të cilat, sidomos në SHBA, janë të prekshme. Po ashtu, Morrison vëren se racizmi, tribalizmi dhe fanatizmi nuk janë asgjë e re, në fakt janë diçka e natyrshme për themelin e rrënuar në të cilën u formua kombi.

Për shembull, tek “Banorët moralë”, ajo rend nëpër një listë gjërash të pikëllueshme që “fitimtarët tanë (paraardhësit tanë), burrështetasit vizionarë dhe të fuqishëm në Amerikë” kanë thënë për njerëzit me ngjyrë.

Morrison citon Teodor Ruzveltin mbi vendasit, Ulise S. Grant mbi emigrantët hebrenj, New York Tribune për popullin kinez, Benxhamin Frenklin për zezakët, dhe kështu me radhë, duke përfunduar me një përzgjedhje të përkorë të ditarit të William Byrd, themeluesit të Riçmondit, Virxhinia, në të cilin ai liston të gjithë ata që fshikullonin dhe brutalizonin secilin prej skllevërve të tyre.

 

Kjo histori është e tmerrshme; natyrisht, e tashmja vështirë se është e mrekullueshme. Duke analizuar historinë e gjenocidit, ajo pohon se “shtetet-kombe, qeveritë që kërkojnë legjitimitet dhe identitet, duken të aftë dhe të vendosur të formohen nga shkatërrimi i një “tjetër” kolektivi, si dhe “për një siguri të pavërtetë, hegjemoni ose grabitje ashiqare të tokave, të huajt u krijuan si shuma totale e të këqijave të hamendësuara të vendit”.

Kjo është marrë nga një leksion dhënë në Kolegjin Oberlin të Ohajos në vitin 2009, por derisa verifikova indeksin, mendova se mund të ishte shkëputur nga viti 2019. “Në disa lagje kufijtë e depërtueshëm mendohen të jenë zona kërcënimi dhe kaosi të caktuar dhe, qofshin realë ose ndarje e imagjinuar, ndarja e detyrueshme është pozicionuar si zgjidhje”, – shprehet ajo.

 “Nuk është habi që karakteristika përcaktuese e kohës sonë është, se, përsëri, muret dhe armët shfaqen aq të dukshme tani siç ishin dikur në kohët mesjetare”.

Me këtë libër njeriu tundohet të citojë gjerësisht fjalët e autores: zhdërvjelltësia dhe qartësia morale janë të verbueshme, por po kështu edhe vizioni i saj për mënyrën se si mund të gjejmë rrugën drejt një të ardhmeje më pak të padrejtë dhe me më pak urrejtje. “Paragjykimi racor, – vë në dukje ajo, – nuk është absolut, i pashmangshëm ose i pandryshueshëm. Për më tepër, ka një fillim, një jetëgjatësi, një histori në erudicion dhe mund të ketë edhe një fund”.

Morrison beson tek fuqia e gjuhës për të na zhvendosur drejt këtij fundi më të dëshiruar dhe një nga kënaqësitë e mprehta të këtij libri, sidomos për shumë admirues të fiksionit të saj, është shpjegimi i hollësishëm me shkrimin e saj. Po aty gjejmë një shpjegim interesant në lidhje me fjalinë e fundit të romanit të saj të madh të vitit 1987: “E dashura”.

Në versionin e shtypur, romani përfundon me shprehjen: “Sigurisht nuk ka ankesë për një puthje”, kështu Morrison na tregon se pati një tjetër fjalë, më të përditshme dhe “më pak kumbuese nga pikëpamja raciale” se puthje, porse botuesi mendoi se ishte “shumë dramatike, shumë teatrale”.

Me fjalën e paspecifikuar, ajo donte të merrte nga anglishtja amerikane “shtimin e  mashtrimit, verbërisë, injorancës, paralizës dhe keqtrajtimit absolut, për të vërtetuar që disa perceptime ishin jo vetëm të mundshme, por të pashmangshme”. Pas shumë mendimeve, ajo e ndryshoi fjalën në “puthje”, një vendim që tashmë ndjen keqardhje: “Shqetësimi që duhej për të gjetur vetëm një fjalë, dhe e di se tani është vetëm ai shënim dhe askush tjetër që do ta shndërronte atë në një betejë të jashtëzakonshme. Ta gjejmë atë dhe ta çojmë dëm atë, kjo është në retrospektivë të egërsuar”.

A mund të mbart kaq shumë rëndësi një fjalë? “Ndoshta, – thotë ajo, – veçanërisht nëse të shkruarit e saj përpiqet për specifikim racor dhe koherencë figurative” (dhe ky lexues përshëndet, pajtohet). Shqetësimi i përhershëm ka bërë që Morrison të “rishqyrtojë lidhjet delikate, por të përhapura që thuajse të gjithë ne duhet të kemi në arkitekturën e racës”. Më pas, ajo refuzon faqet e para të romanit “Sula”, të cilën e fillon me atë që e quan “lobi i sigurt dhe i mirëpritur” për t’ia sjellë lexuesit hyrjen e librit në një “temë të zezë”. Ajo dëshiron, të identifikojë strategjitë që dikush mund të detyrohet të përdorë, duke u orvatur t’i përshtatet faktit të thjeshtë të të shkruarit rreth, për dhe jashtë kulturës së zezë, duke iu përshtatur dhe duke iu përgjigjur rrjedhës së kulturës së “bardhë””. […]

Morrison kapërcen përtej këtyre guximeve, si në të gjitha librat e saj. Këto janë kohë të vështira dhe alarmuese, me urrejtje dhe fashizëm, duke bërë lajme të rëndësishme ditë pas dite: “Në të vërtetë, nuk është një kohë e mirë për të shkruar”, – pranon. Por, më pas vijon: “Kurrë nuk ka qenë një kohë e mirë për të shkruar. Si shkrimtarë, ajo që bëjmë është të kujtojmë. Dhe për të kujtuar këtë botë, duhet ta krijosh atë”.

Është një botë, për krijimin e së cilës Morrisoni ka luajtur një rol jetësor, origjinal, largpamës. “Gojë gjaku” është një kujtesë e fortë për atë që bëjnë fjalët, se me sa kujdes duhet të përdoren ato. Morrisoni shpalos në të edhe një thirrje shumë të mrekullueshme, të argumentuar rigorozisht për guximin: “E kaluara jonë është e zymtë. E ardhmja jonë e zbehtë. Por unë nuk jam e arsyeshme. Një njeri i arsyeshëm i përshtatet mjedisit të tij. Një njeri i paarsyeshëm nuk e bën. Si pasojë, gjithë përparimi varet nga njeriu i paarsyeshëm. Unë preferoj të mos i përshtatem mjedisit tim. Unë e refuzoj burgun e “Unë” dhe zgjedh hapësirat e hapura të “ne””.

(“The Guardian”)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN