MENU
klinika

I ulet dënimi

U arrestua për korrupsion/ Për 15 ditë lirohet gjyqtari

27.02.2019 - 13:44

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur që të ulë dënimin e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, nga 2.8 vite burg në 2 vite, ç’ka do të thotë se për 15 ditë pritet që të lirohet nga qelia. Shkëlqim Miri u arrestua nëntorin e vitit 2017 për korrupsion, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg gjyqtarin e Apelit të Tiranës.

Ndërkohë që Apeli vendosi që të ulë 8 muaj burg. Duke llogaritur edhe afatin e paraburgimit, ish-gjyqtari pritet që të lirohet nga burgu për 15 ditë. Shkëlqim Miri sipas gjykatës përfitoi 20 mijë euro ryshfet nëpërmjet Kujtim Mirit për të lënë në fuqi një vendim ndaj të dënuarit Gentian Doda, çka do t’i sillte këtij të fundit lirinë.

Gjyqtarit në momentin e arrestimit iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë, një pjesë e të cilave iu kthyen pasi ai i justifikoi me faktin që i kishte marrë nga të afërmit për t’u kuruar nga tumori. Këtë argument Shklëqim Miri e përdori disa herë për të fituar lirinë, por u refuzua nga gjykata.