MENU
klinika

Legjenda e futbollit shqiptar

Vasil Ruci: Shqipëri o vëlla, ça thua ti…

03.02.2019 - 18:33

Flamurtari ka humbur mbrëmë 1-2 ndaj Kukësit në Vlorë, teksa kuqezinjve u është mohuar një supergol me roveshatë. Pikërisht për gjykimin, ka reaguar legjenda e futbollit shqiptar Vasil Ruci.

“Ky është futbolli ynë, jemi mësuar tani”, – e nis intervistën për “Vipsport.al” ish-lojtari i madh i Flamurtarit, Vasil Ruci, duke iu referuar ndeshjes së djeshme me Kukësin në Vlorë.

Ai gjykon se barazimi ishte rezultati më i drejtë për atë ndeshje, por arbitri Olsi Sokoli gaboi në anulimin e golit të Pollozhanit. Për Rucin, futbolli shqiptar po vuan dhe ky sezon, nëse ka diçka pozitive, është ajo e angazhimit të trajnerëve të rinj.

Profesor Ruci, sikur ishte harruar pak problematika e gjykimit gjatë këtij sezoni, por ja k u kthye të shtunë në ndeshjen Flamurtari-Kukësi?

Jo, jo. Nuk harrohen këto gjëra kaq shpejt. Duhet kohë që të bëhet ndryshimi vërtet. Ishte gjynah, sepse goli i Flamurtarit ishte i rregullt dhe nuk duhej të anulohej. Tentativa është e atij djalit për të vajtur te Pollozhani.

Më vjen keq, sepse skuadra luftoi në fushë dhe e meritonte të paktën barazimin. Ishte një ndeshje barazimi dhe nëse mbyllje kështu, nuk do të ishin shfaqur ato situata që pamë.

Si ka mundësi që në Vlorë ndodh shpesh kjo histori. Ku e gjejnë kurajën këta arbitra, që ndëshkojnë ekipin vendës pa iu dridhur qerpiku dhe pa iu frikësuar tifozërisë vendëse?

E gjejnë kurajën ata e gjejnë, sepse për sa kohë vjen vërdallë “ministri pa portofol” në Shqipëri, kështu do të jetë. Çudi është që veprojnë kështu, duke e prishur futbollin, por e thashë, ky është futbolli ynë.

Nuk e kuptoj pse lodhen të tjerët dhe bëjnë kampionat, kur ata përcaktojnë gjithçka që në fillim. Le ta thonë dhe të tjerët të mbledhin mendjen. Shqipëri o vëlla, ca thua ti…

Këtë javë profesor ndodhi edhe diçka e padëgjuar më parë, u goditën tre futbollistë të një ekipi, Skënderbeut, para ndeshjes…

(Qesh) Dëgjo, i tha njëri dikujt: të vjen erë goja, shiko mos ke ndonjë dhëmb a dhëmballë të prishur. Jo – i tha tjetri, – unë kam vetëm ura lartë e poshtë. Epo shiko, – vazhdoi tjetri, – se mos të ka dhjerë njeri poshtë urës.

Këtu është dhjerë poshtë urës çdo gjë, rishfaqen episodet. Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët. Ishte një ngjarje shumë e shëmtuar, e turpshme. Të vesh të tromaksësh futbollistët para ndeshjes…?

Çfarë faji kanë ata futbollistë, që janë edhe shumë të edukuar. Është e shëmtuar për qytetin, sepse ushtron dhunë ndaj dikujt që vjen aty për të dhënë shfaqje.

flamurtari partizani beograd

Si e shikoni këtë kampionat profesor, me Partizanin që po shkon drejt titullit, edhe pse sot fitoi me vështirësi në Kamzë?

Ishte një fenomen që do të ndodhte me Partizanin. Kur ekipi kundërshtar nuk është në lartësinë e duhur, bie edhe motivimi. Por, me vlerat që ka, Partizani del nga situata, ka ekip me pak fjalë.

Partizani ka një gjë të mirë, që e ka futbolli kudo në botë aktualisht: ka uingerat më të mirë në kampionat dhe ata po e nxjerrin kampion. E kam fjalën për sulmuesit dhe mbrojtësit e krahëve.

Te Partizani, sulmuesit anësorë presojnë lart, e udhëheqin ekipin dhe shënojnë gola, janë shumë të rrezikshëm. Pastaj, edhe eksperienca e portierit Alban Hoxha e ndihmon shumë ekipin.

Po merkatoja e dimrit, si ju është dukur?                               

E keqja është se në Shqipëri po na ikin të gjithë, nuk rri njeri më. Nuk funksionojnë as akademitë e futbollit dhe asgjë. Është për të ardhur keq. Në dimër logjikisht duhen afruar lojtarë nga të rinjtë.

Këtu kampionati i të rinjve nuk është për të mësuar futbollin, por për të fituar kupa. Më pëlqen vetëm një gjë, ajo që në kampionatin tonë kanë hyrë trajnerët e rinj. Kjo gjë më pëlqen, por prapë nuk janë asnjëherë të sigurt edhe ata, sepse i marrin, i heqin. (Vipsport.al)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN