MENU
klinika

Maqedonia e Veriut

Veljanovski i shpëton burgut, mban imunutetin

25.02.2019 - 21:35

Pas 3 orë debatesh parlamentare, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur që t’i heqë imunitetin deputetit dhe ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski.

Politikani maqedonas që tashmë përfaqëson opozitën te partia VMRO u akuzua një javë më parë nga organet e hetuesisë si një nga organizatorët e sulmit të 27 prillit 2017 në parlament, ku mbetën të lënduar disa përfaqësues të lartë partiakë, mes të cilëve edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev.

Ndaj tij u kërkua heqja e mbrojtjes politike për shkak të mundësinë së arratisjes nga vendi apo ndikimit ndaj dëshmitarëve.

Vetë Veljanovski është shprehur në vijimësi se akuzat janë politike, një tezë të cilën kolegët opozitarë e përsitën edhe në seancën e djeshme, pasi ish-kreu i Kuvendit nuk ishte i pranishëm.

Mbledhja u shoqërua me ndërprerje të shpeshta dhe zënka verbale mes deputetëve, duke detyruar kryesuesin e seancës, Talat Xhafari, që të urdhërojë ndërprerjen për një kohë të pacaktuar.

Momentet më të tensionuara u shpërfaqën kur nisi të diskutohet incidenti i javës së kaluar në institucionet e paraburgimit, ku dy prej ish-ministrave të kabinetit të VMRO-së, po ashtu të akuzuar për përplasjet në parlament dy vite më parë, mbetën viktima të sulmeve fizike.

Prokurorja Vilma Ruskova sqaroi në fundjavë se për “kërcënim të rendit dhe sigurisë kushtetuese” po procedohet edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski, ndaj të cilit pritet ekstradimi nga Hungaria ku ai po strehohet me statusin e azilantit politik.