MENU
klinika

Profil

Viktor Gjika, apo dikur vigani i teatrit botëror

02.02.2019 - 12:30

Kishte lindur në Korçë (më 1937), por thoshte me krenari jam nga Trebicka e Vakëfeve!

Dhe këtë e bëjnë vetëm njerëz të mëdhenj si legjenda e kinematografisë shqiptare, trebickalliu i shquar Viktor Gjika, apo dikur vigani i teatrit botëror, Aleksandër Moisiu, i cili edhe pse kishte lindur në Trieste të Italisë, në vitin 1879, deklaronte me krenari origjinën e tij nga rrethinat e Durrësit (Kavaja).

Trebicka ka nxjerrë shumë figura të shquara, që i kanë shërbyer me shpirt këtij vendi, që nga Kozma, Naum, Kosta e Dhimitër Trebicka, Antoni Athanas, Prof. Androkli Kostallari, e deri tek Roland Trebicka etj etj. Po sa të tillë ka në Korçë e gjetkë me mbiemrin Grabocka, Treska, Katundi, Stratobërdha, Panariti, Shtylla etj etj?! Të gjithë këta në shenjë krenarie për origjinën e tyre transmetojnë si mbiemër nga brezi në brez emrin e fshatit, pa llogaritur të tjerë që për këtë apo atë arsye kanë ndërruar mbiemër.

Dy brenga të mëdha mori me vete, në atë botë, Viktor Gjika, për të cilën s’do e tresë dheu: Që s’realizoi dot dy filma dokumentarë, një për Vakëfet dhe tjetrin kushtuar prindërve e familjes së tij. – I lashë t’i bëja me nge në fund të karrierës time, Petrit, – më tha një muaj para se të ndërronte jetë, por siç e sheh…, puna ime… dhe…!

Ai vinte shpesh në Trebickë me vëllanë e tij, Thanasin, dhe Polikron Trebickën, ku dhanë një kontribut të veçantë në çeljen e Muzeut Historik të zonës dhe mbajtjen e sesionit shkencor (shtator 1984) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave. Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij, ruaj një kujtim shumë të bukur. Artistët dhe zyrtarët korçarë në aktivitetin organizuar me këtë rast (në Pallatin e Kulturës), gjatë përshëndetjeve dhe kujtimeve që sollën, përsërisnin pa pushim….bir i Korçës, …rrugicat e Korçës, ….kultura korçare, …kishte prindër të shkëlqyer etj, etj.. dhe asnjëri nuk e përmendi Trebickën.

Natyrisht, s’mund të heshtja dhe pasi i bëra urimet për ditëlindje, u thashë kolegëve artistë: – Ka të drejtë Korça që mburret me këtë artist të madh, krenaria dhe e gjithë shqiptarëve, por më së pari i takon Trebickës të krenohet, vendlindja e prindërve të tij…! Një pjesë u shtangën, pas asaj që dëgjuan, të tjerë duartrokitën, kurse Viktori u ngazëllye nga lumturia që ndjeu dhe menjëherë pas ceremonisë erdhi më përqafoi.

Si sot, para 10 vjetësh (2009), e takova për herë të fundit. Isha bashkë me Kryetarin e Shoqatës , z, Lytfi Topçiu. Të prekur nga gjendja e tij në shtrat, i thamë: – Të duam shumë.., dhe mos harro se krenohemi me ju! – E di, – na i ktheu i përlotur, – edhe unë ju dua shumë, e ju kujtoj çdo çast!

– Po të na duash, eja me ne sivjet në festën e Shtyllës, – i dhamë kurajo. Qeshi, dhe për të na bërë qefin, miratoi me kokë, … kismet, të bëhem mirë! Shtylla është shumë e bukur, vazhdoi! E rrallë mund të them! Shumë e përshtatshme për atë fshatin turistik që keni menduar! Mos e lini! Unë e njoh mirë Shtyllën, Vithkuqin, e deri në Rrungajë, se kam xhiruar filmin, që ju e keni parë. Pastaj ndërroi temë. – Si të shkon puna me gazetën Petrit? A të mbështet njeri? – Po, – i thashë, – Ilir Trebicka. – I lumtë!

Është djalë i shkëlqyer ai! Nuk gjej fjalë të të përgëzoj që shkruani pa rreshtur histori personale e familjare për gjithë atë pjesë të Shqipërisë Juglindore! – Dua që gjithë shqiptarët të ndjehen pjesë e historisë sonë, i dashur Viktor, – ia ktheva, – që nga më të shquarit, si ju, e deri tek më të thjeshtët! Kjo motivon ta duam më tepër këtë vend e për të berë deri sakrifica! Tundi kokën, në shenjë miratimi, dhe heshti… me dhimbje, …që shumë plane e ëndërra të përbashkëta, do na mbeteshin në mes… Përqafimin e tij aq të ngrohtë dhe zërin e ëmbël e të dashur, që i dridhej, e morëm me vete nga ajo ndarje e padëshiruar, si kujtimin më të shtrenjtë! Ai ishte dhe mbetet trebickalliu ynë i madh, ikonë e Vakëfeve, Korçës dhe e gjithë shqiptarëve!

 

Petrit F.Zeneli

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit