MENU
klinika

6 ditë pas atentatit

Vrasja e policit në Tiranë/ Dalin prova që mund të zbardhin autorët

04.02.2019 - 16:05

Gjashtë ditë pas ekzekutimit të Arben Bilalit, prova konkrete e policisë është automjeti që u përdor për realizimin e vrasjes.

Makina “Mercedes Benz CLS” me targa të vjedhura, u gjet e braktisur disa orë pas ngjarjes në periferi të kryeqytetit, jo shumë larg zonës së Selitës, ku 50-vjeçari u qëllua për vdekje me breshëri automatiku.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, automjeti është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku po i nënshtrohet një ekzaminimi të detajuar.

Hetuesit shpresojnë që nga kjo procedurë të përfitohen të dhëna të vlefshme për identifikimin e vrasësit, si gjurmë gishtash, qime floku, apo mbetje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Sipas dyshimeve të tyre, autorët e vrasjes nuk kanë pasur në plan ta braktisin makinën në këtë zonë, por janë frikësuar nga prania e shpejtë e patrullave të policisë, në rrugët lidhëse me daljen nga unaza e madhe.

Uniformat blu kanë marrë në pyetje dhjetëra persona të dyshuar, apo që mund të kishin informacion për ngjarjen, por pa sukses. Pista kryesore ku janë fokusuar hetimet mbetet ajo e hakmarrjes, për shkak të së kaluarës së viktimës, por nuk përjashtohet as mundësia që ekzekutorët të jenë vrasës me pagesë.