MENU
klinika

Dëshmia kontradiktore

Vrau gruan/ Gardisti: Nuk më tregonte të vërtetën

14.02.2019 - 17:09

Gardisti që vrau gruan dy ditë më parë në Tiranë, rrëfeu para prokurorit dëshminë rreth vrasjes së gruas duke qenë sërisht kontradiktor në thëniet e tij.

Sipas burimeve, Arapaj ka deklaruar se e vrau bashkëshorten, Ervilma Seferajn, për shkak të dyshimeve se takohej me persona të tjerë gjatë kohës që ai ishte në punë.

“Nuk më thoshte asnjëherë të vërtetën kur unë e pyesja për diçka që dyshoja. Nuk ishte e sinqertë me mua”, mësohet të ketë thënë koloneli i Gardës së Republikës.

Nga ana tjetër, duke parë gjendjen psikologjike, vazhdimisht të rënduar, ai është dërguar në spital për një konsultë me mjekët, të cilët kanë konfirmuar se Arapaj është i aftë mendërisht. Nuk ka rezultuar të ketë probleme dhe sipas mjekëve, gjendja e tij e rënduar, lidhet me tronditjen e tij emocionale pas ngjarjes.

Sipas burimeve të grupit hetimor, dje 44-vjeçari Alket Arapaj, 24 orë pas ngjarjes, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, i shqetësuar më tepër për fatin e vajzës së tij 3-vjeçare, por nuk ka shfaqur pendesë për krimin. 

Nëna e një vajze 3 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti gardist, pas dyshimeve për tradhti mëngjesin e së martës, në Tiranë. Burimet thonë se në apartamentin e çiftit është gjetur edhe arma e krimit, pistoleta e shërbimit të gardistit që ekzekutoi bashkëshorten.

Autori i krimit në familje, Alket Arapaj, dhe viktima Ervilma Seferaj kishin më shumë se 10 vite të martuar