Janë zhvilluar 5 takimet sipas kalendarit në NBA, me rëndësi të veçantë për të dyja konferencat, ku spikat marshimi i Golden State Warriors.
Në Perëndim, Golden State Warriors fitoi 115-107 ndaj Utaj Jazz. Për kalifornianët ishte suksesi i pestë radhazi, i 22-ti në 29 ndeshje shtëpiake, me një ecuri prej 10 fitoresh e vetëm një humbje në 11 takimet e fundit.
Kevin Durant rezultoi më i miri mbi parket me 28 pikë, ndërsa Stephen Curry u rezervua me vetëm 24 pikë. Për Jazz formën më të mirë e shfaqi Mitchell me 25 pikë në total.
Sfidë e rëndësishme u luajt edhe në “Wells Fargo Center” të Philadelphias, ku 76ers ndalën hapin e fitoreve ndaj Boston Celtics, teksa u mposhtën 109-112.
Bardhejeshilët, edhe pse pa shërbimet e Kyrie Irving, parakaluan në renditje rivalët për vendin e katërt në Konferencën e Lindjes.
Hayëard dhe Horford, respektivisht me 26 dhe 23 pikë, ishin inspiruesit e fitores së Celtics, ndërsa për 76ers, Joel Embiid shënoi 23 pikë e kontrolloi 14 topa poshtë koshit, por pa mundur të bënte më shumë që të shmangte humbjen.
E pabesueshme humbja e Los Angeles Lakers 117-113 në parketin e Atlanta Hawks, edhe pse kalifornianët konsideroheshin favoritë.
Nuk mjaftuan 28 pikët, 16 asistimet dhe 11 “rebound” të LeBron James, që pati ndihmë të pamjaftueshme nga pjesa tjetër e skuadrës.
Për Haëks spikatën veçanërisht dy elementë, Young dhe Collins me 22 pikë secili. Lakers me 28 fitore dhe 29 humbje në total rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë zonë play off me këtë ecuri.
San Antonio Spurs fituan me shumë vështirësi me vetëm 1 pikë diferencë 107-108 në parketin e Memphis Grizzlies, duke ndalur ecurinë negative prej 4 humbjesh radhazi.