MENU

Numër i ulët aplikimesh

Zbardhet debati brenda KLP-së/ Kërkohet rritje page për SPAK

10.02.2019 - 16:14

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shtyu afatin e pranimit të prokurorëve kandidatë për në SPAK deri në datën 21 shkurt por në mbledhjen e fundit anëtarët kanë ngritur një tjetër shqetësim për mungesën e aplikimeve.

Sipas anëtarëve të KLP-së, një element që mund të ketë ndikuar në mos shfaqjen e interesit për të kandiduar është paga mujore e cila sipas parashikimeve të tanishme ligjore, është vetëm 7 mijë lekë më e lartë për prokurorët e SPAK sesa për anëtarët e prokurorive të zakonshme në rrethe.

Në mbledhjen e datës 6 shkurt, ku në rend të ditës ka qenë vendimi për shtyrjen e afatit të aplikimeve, krahas këtij verdikti që është miratuar me shumicë votash, diskutimi kryesor ka qenë mundësia për një rritje të pagës mujore të prokurorëve të SPAK.

klgj-klp-konica.al

Anëtarët e Këshillit nga Prokuroria, si Kostaq Beluri apo Antoneta Sevdari, janë shprehur se një mënyrë për të nxitur aplikimet nga kandidatë kualitativë është rritja e pagës së prokurorëve të SPAK.

Duke qenë se ata do të heqin dorë nga privatësia, pasi do të kontrollohen duke përfshirë edhe rrethin familjar si dhe do të hetojnë vepra penale si korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe krimi i organizuar, anëtarët e KLP kanë propozuar nisma ligjore për rritjen e pagës.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, ka njoftuar gjatë diskutimit vendosjen e kësaj çështje në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të KLP-së.

Ibrahimi theksoi se ndryshimi i ligjit për SPAK do të ishte një nismë e vështirë në këto momente por ai ka shtuar se do të eksplorohen mundësi të tjera ligjore për ndërhyrje në këtë rast.

Deri në momentin kur afati i parë po skadonte, në KLP ishin dorëzuar 15 kandidatura nga prokurorët, aq sa është parashikuar të jetë edhe organika e SPAK.