MENU
klinika

Nga Enver Robelli

Zoti Ganz dhe buzëqeshja e tij

17.02.2019 - 11:18

Bruno Ganz e luajti rolin e Hitlerit me përsosmëri të frikshme. Në jetën e përditshme ishte njeri shumë i përzemërt – sidomos kur e takoje në tren buzë Liqenit të Zürichut.

Në njërin nga gishtat e tij ai e bartte unazën e Ifflandit, e cila dikur i ishte vendosur mbi arkivol një gjeniu tjetër të aktrimit: Aleksandër Moisiut.

1.
Kur hynte në tren, Bruno Ganz gati se nuk vërehej. Ai nuk dëshironte të binte në sy. Nuk maskohej, nuk bartte kapelë siç bartin snobët në mesin e aktorëve për të mos rënë në sy ose për t’iu ikur fansave të mërzitshëm. Ganz hynte në tren në njërin nga stacionet e Zürichut për të marrë udhën drejt siujdhesës Au, pranë Liqenit të Zürichut, një parajsë e vogël ku kalonte ditët e pleqërisë dhe ku kishte shëtitur si fëmijë me prindërit e tij. Babai – mekanik, nëna – amvise dhe italiane, ajo kishte kaluar alpet për të ardhur në Zvicër, siç thoshte i biri i saj i famshëm Bruno Ganz, aktori më i madh i Zvicrës, i cili vdiq në moshën 77-vjeçare natën nga e premtja në të shtunën, në Zürich.

2.
Bruno Ganz është bërë i njohur në mbarë botën me rolin e tij të Adolf Hitlerit, të cilin e luajti me përsosmëri të frikshme. Vetë Ganz frikësohej se rolin e tij do ta keqpërdornin neonazistët, sepse në filmin «Fundosja» («Untergang») ai ishte – Hitleri. Më zërin çmendurak, me dorën që i dridhej dhe për ta fshehur e mbante pas shpinës, një përbindësh i aftë të urrejë e vrasë dhe i paaftë të dashurojë apo së paku respektojë njeriun.

3.
Bruno Ganz në njërin nga gishtat e tij bartte unazën e Ifflandit. Kjo unazë ka të stampuar portretin e aktorit, drejtorit të teatrit dhe dramaturgut August Wilhelm Iffland (1759-1814), i cili në teatrin e Mannheimit luajti rolin e Franz Moorit në dramën «Cubat» të Friedrich von Schillerit. Sipas traditës unazën e bart aktori më i rëndësishëm dhe me i denjë i teatrit gjermanofolës. Ky ishte amaneti i Ifflandit. Që nga atëherë aktori që e bart unazën e Ifflandit vendos se cili do ta bart këtë mirënjohje pas vdekjes së tij. Më 1935, kur vdiq Aleksandër Moisiu, aktori Albert Bassermann ia vendosi unazën e Ifflandit mbi arkivol. Pastaj gisht pas gishti unaza përfundoi te zvicerani Bruno Ganz. Tani mediat në Zvicër, Gjermani e Austri pyesin me kureshtje se kujt ia ka lënë Ganz unazën e Ifflandit.

4.
Karrierën e tij Bruno Ganz e nisi në Gjermani në vitet ‘60. Atje, siç thuhet në një portret lamtumirës të portalit zviceran Watson, Ganz mësoi gjermanisht. Tingëllon paksa ironike kjo, por është e vërtetë: zviceranët e pjesës gjermane të Zvicrës flasin një dialekt të rëndë, të cilin gati askush nuk e kupton në Gjermani. Kur zviceranët provojnë të flasin gjuhën standarde gjermane, menjëherë dallohen si dele të zeza linguistike.

5.
Në filmin e Wim Wendersit «Qielli mbi Berlin» Ganz luajti rolin e një engjëlli. Në skenë ai ishte Hamlet dhe Odise, Promete dhe Faust, por edhe Peer Gynti i Henrik Ibsenit. Në shkollë mësuesi u tha prindërve të tij se vogëlushi Bruno «ka mbetur prapa», sepse shikonte tepër në dritare dhe vetëm ëndërronte. Ganz s’e mbaroi as gjimnazin dhe u hodh në botën e aktrimit.

6.
Në fillim të viteve ’70 Bruno Ganz pati një lidhje amuroze (ai nuk do të thoshte kurrë aferë) me Romy Schneider, aktoren e famshme austriako-franceze. Gjatë një viti gjithçka ndodhi mes Hamburgut, Berlinit e Parisit. Pas një viti gjithçka përfundoi. «Ajo më la. Ajo ishte yll i kinematografisë. Ishte një telefonatë e çuditshme». Kështu ka treguar Bruno Ganz vite më vonë në një intervistë. Ganz nuk dinte vetëm të dashuronte. Më 1976 zvicerani me sy të përzemërt e rrahu (nga xhelozia!) aktorin amerikan Dennis Hopper gjatë xhirimit të filmit «Miku amerikan».

7.
Pas lajmit mbi vdekjen e Bruno Ganz në Zvicër po mbretëron një gjendje e jashtëzakonshme, ndonëse e pashpallur. Kryetari i Zvicrës Alain Berset ka vlerësuar veprën e madhe të aktorit, njëjtë si kryetarja e Zürichut dhe shumë artistë. Vdekja e tij jehoi edhe në gazetën mbase më të rëndësishme të botës, në «New York Times». Zoti Ganz dhe buzëqeshja e tij – diçka e tillë s’përsëritet më. As në trenin S8 pranë Liqenit të Zürichut.