MENU

Deklarata e kryeparlamentarit

10 ditë larg Brexit/ “Nuk votojmë për herë të tretë”

19.03.2019 - 14:28

Qeveria thotë se do të përpiqet përsëri të marrë miratimin për marrëveshjen Brexit të Theresa May, pavarësisht se kryetari John Bercow ka vënë në dyshim procesin.

Sekretari i Brexit, Stephen Barclay tha se një votim mund të bëhet javën e ardhshme, pasi May ka kërkuar që Brexit të shtyhet.

Bercow ka vendosur se kryeministrja nuk mund të kërkojë që marrëveshja të votohet për here të tretë pa ndryshime “substanciale”.

Britania e Madhe do të largohet nga BE pas 10 ditësh, me ose pa marrëveshje.

Kryeministrja shpresonte të kishte një përpjekje tjetër për të bindur deputetët që të mbështesin marrëveshjen e tërheqjes që ajo ka rënë dakord me BE këtë javë, por Bercow “e prishi planin” me ndërhyrjen e tij të papritur të hënën.

Kryeparlamentari duke cituar traditën parlamentare 400-vjeçare, tha se pakti me BE-në është kundërshtuar dy herë radhazi me shumicë votash në muajin janar dhe javën e kaluar, dhe nuk mund të paraqitet pa u ndryshuar në thelb.

“Po flitet se qeveria do të kërkojë një votim të tretë vendimtar për një marrëveshje e cila në datën 12 mars u rrëzua me 149 vota. Kjo nuk do të ishte e ligjshme. Mendoj se ajo që duhet bërë është të vihet në votë një propozim që nuk ka ngjashmëri me marrëveshjen e kundërshtuar, dhe që me gjasë ka miratimin e Bashkimit Europian,”-tha ai.

Kryeministrja May u kundërpërgjigj përmes zëdhënësit të saj se ideja e parashtrimit të marrëveshjes për Brexit është ende duke u diskutuar, porse shpjegimi i dhënë nga kreu i parlamentit do të trajtohet me seriozitet.

Tashmë Britania e Madhe përballet me opsionin e shtyrjes së Brexit dhe pjesëmarrjen në fushatën e zgjedhjeve parlamentare në BE, të cilat mbahen në muajin maj dhe pritet t’i kushtojnë vendit plot 100 milionë paund.

Gjatë kësaj kohe, parlamenti do të duhet ta zgjidhë ngërçin duke u shprehur në favor të një referendumi të dytë për Brexit, për zgjedhje të reja parlamentare ose të dalë me një propozim bipartizan për Brexit.

Bercow refuzoi të diskutojnte vendimin e tij kur u pyet nga BBC, pasi ai u paraqit në Parlament më herët.

Ekziston edhe një pikëpyetje nëse ndonjë marrëveshje e arritur nga Theresa May në Bruksel mbi shtyrjen e Brexit do të anullonte një votim nga deputetët, pasi ajo do të kishte forcë sipas së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të luftojë deri në momentin e fundit të mundshëm për të arritur një Brexit të rregullt, duke thënë se interesat e Gjermanisë, Britanisë dhe BE ishin në rrezik.

Ndërkohë, ministrat e BE janë duke u takuar në Bruksel për t’u përgatitur për samitin e kësaj jave.

Ministri i Gjermanisë për Evropën, Michael Roth, tha: “Durimi ynë është duke u vënë në provë për momentin dhe unë vetëm mund t’i kërkoj partnerët tanë në Londër që më në fund të bëjnë një propozim konkret pse ata po kërkojnë shtyrje”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, viti i humbjeve të mëdha për Evropën…

Ministrat britanikë paralajmërojnë

“Brexit mund të shtyhet”

Nga Project Syndicate

Agonia e vazhdueshme e Brexit…