MENU
klinika

Gjuha shqipe e rilindasve

7 Marsi i Mësonjëtores së Parë

07.03.2019 - 12:06

Mësonjëtorja kombëtare shqipe e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887. Ideator i saj ishte Naim Frashëri, i cili në bashkëpunim me të vëllain Sami Frashëri dhe rilindës të tjerë shqiptarë. Shkolla u vendos në shtëpinë e dhuruar falas për mësimdhënie nga atdhetari Diamant Terpo, i cili ishte anëtar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet – u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908.


U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Vëllezërit Frashëri, Petro Nini Luarasi, Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi, etj.

Më 15 (23) tetor 1891 Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave baza e së cilës, ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

7 Marsi, kujtohet si simbol i nderimit, respektit dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtorës së Korçës dhe mësuesve të saj. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.