MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

A e ndihmon dot Rama, si më 18 maj, Bashën?

21.03.2019 - 17:47

Në horizontin që duket i mbushur me krizë dhe opozita mallkon Ramën dhe kërkon ikjen e tij, më duket se po vazhdojmë të shijojmë një histori që ka pak lidhje me sa shihet në sipërfaqe.

Rama duket më i fortë se kurrë politikisht. Më i fortë edhe se në periudhën e Cadrës së Bulevardit. Me një përkrahje më të madhe ndërkombëtare.

Sikur të mos e dyshoja këtë përfundim, në aspekte te ndryshme që kanë të bëjnë me ekonominë, mund edhe të mos përzjehesha në këtë shkrim.

Kjo klasë politike po ti referohemi së fundmi edhe Majkos, e ka mbyllur cikln politik dhe nuk ka rëndësi se kush do të përfundojë i pari në analet e historisë si një kujtim i pluralizmit të hershëm.

Po cështja gjithsesi është në fund të fundit e karakterit praktik dhe kërkon analizë konkrete.

Titulli i shkrimit nuk ka të bëjë me ndonjë ironi të caktuar ndaj personazheve politike të krahëve të ndryshëm, por shikimi si vijimësi i një procesi ngjizur në vitin 2008.Titulli vlen edhe si kuriozitet për një parashikim që më duket më normali, kur shoh se në situatën e krijuar, e vetmja histori me vlerë është që në kohën e zgjedhjeve të ardhme

« Marrëveshja e majit 2017 » të ketë prodhuar rezultate konkrete dhe së dyti, tu mësojë liderëve politikë, diferencën që ka nje veprim taktik me një strategji afatgjatë.

Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë dyshim, se në aspektin taktik të luftës politike, qoftë Berisha, qoftë Meta, janë lojtarë të dorës së parë. Po kjo nuk ndodh edhe në aspektin strategjik.

Në 2008-ën, kur ndodhën ndryshimet kushtetuese, të gjithë e mbajnë mend kundërshtimin e rreptë të Metës. Në taktikë, duket sikur po përgënjeshtroj atë që thashë më lart, për të. Kjo sepse, falë marrëveshjes, Meta, pas 2009-ës u bë faktor real në përcaktimin e fituesve.

Berisha, dukej i kënaqur me marrëveshjen dhe i atribuohet fjalia e famshme, kur i theksonin se, në bazë të kësaj marrëveshjeje mund të fitonte Rama, i cili mund të bashkohej me Metën.

«Nga bashkimi i dy gjysmave të një molle të dikurshme, nuk mund të ribëhet një mollë e plotë» – tha Berisha.

 Zgjedhjet e vitit 2009 vërtetuan idenë e tij, megjithëse në një mënyre, pak më të ndryshme. Në telb në përfundim të tyre edhe t’i bashkohesh Meta-Ramës, zgjedhjet do të mbeteshin në kuotat 70 me 70, po pa fitues.

Meta zgjodhi Berishën si aleat dhe fati i buzëqeshi këtij të fundit. Kishte  fituar arsyetimi taktik i Berishës. Po a mbeti i njëjtë arsyetimi në planin strategjik? Për t’i rënë shkurt, duke iu përmbajtur idesë apo krahasimit me fruta, pyetjen mund ta shtronim kështu.

Nëse bashkohen dy gjysma mollësh, nuk bëhet dot një mollë e plotë, por çfarë ndodh nëse bashkohet një gjysëm molle me një gjysëm dardhe ?

 Nuk kam njohuri nga kopshtaria, po mund të kemi në këtë rast, procesin e shartimit dhe të ndodhë që në fund, të shohim një dardhë ose një mollë, apo hibrid. Le t’ua lëmë kopshtarëve, të na e sqarojnë enigmën nëse është e tillë…

Në vijim, i entuziazmuar nga rezultati i 2009 -ës, Berisha e ftoi Metën, në aleancën e lokaleve në 2011-ës. I dha aleatit të tij, disa qytete dhe nuk u mërzit shumë nga rezultati zhgënjyes. Atij i i nteresonin zgjedhjet qëndrore. Po çfarë nuk llogariti dot?

Në 2009-ën, PS dhe PD kishin thuajse të njëjtin numër votash dhe diferencën e bënte LSI . Kjo ishte një produkt natyral, pasi diferencat në kohëra po normale, mes dy të mëdhenjve referuar historisë, ishin të rendit 10 a 12 për qind.

Diferenca u zhduk, kur LSI u nda nga PS.

Po në zgjedhjet e vitit 2011, LSI në aleancë me PD-në, thuajse u dyfishua. Në ato të 2013-ës, ajo u trefishua. Pra, nga 80 000 u bë gati 250 000. Po ku i gjeti këto 170 000 vota tepër?

Mjafton të shohësh rezultatet e vitit 2013 dhe 2017, për të kuptuar se nga bashkimi i gjysmës së mollës me gjysmën e dardhës, kish marrë epërsi molla.

 Ndërsa PS kishte mbetur thuajse aty ku ishte dhe LSI ishte zgjeruar me 170 000 vota, po kaq sa kjo shifër e fundit, kish humbur PD…

Dhe këtu, hyjmë në thelbin e çështjes. Nuk ka nevojë për ndonjë teori konspirative, për të kuptuar pazarin e 2017-ës. Rama i propozoi Bashës, të binte njerëzit e humbur në shtëpinë e tij… Basha pranoi fillimisht, duke nisur një sulm dy a trijavor kundër LSI-së. Pastaj papritur, e ktheu mbrapsht sulmin.

Ka të ngjarë që këtu, përsëri kemi të bëjmë me aftësitë taktike të Metës, i cili mund t’i ketë mbushur mendjen Berishës, t’i riktheheshin histrorisë së 2009-ës…

Natyrisht, procesi i shartimit nuk u ndal. PD humbi thellë. PS nuk kishte nevojë të vidhte vota, sepse nuk kishte nevojë shumë , po mjaftonte të mbante ato që kishte më parë, apo shtesat e të rinjve që mbushin moshën e votimit, nëse flitej për pluse.

Thelbi i problemit, mbetet ashtu si dhe pyetja:

 

Çfarë ndodh nga bashkimi i një gjysëm molle me një gjysmë dardhe?

Prapë pa bërë ndonjë teori konspirative, mund të thuash se, me thellimin e krizës çështja vjen e ripërsërit me ngjyra të ndryshme, 18 majin e 2017-ës. Dhe këtu, mund të bëjmë pyetjen:

A do ta ndihmojë përsëri Rama, Bashën?

 Mendoj se po, pasi sërish skena nuk ndryshon dhe nëse PD do të mbajë gjallë idenë e një bashkimi me LSI-në, në formën që ekziston ajo, me çfarëdo kondicioni të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, do t’i humbë ato.

Për të testuar idenë e mësipërme, do të ishtë mirë që në zgjedhjet lokale palët të shkonin të ndara . Kjo zgjedhje, do të ishte e mirë besoj edhe për një arsye tjetër . Me këtë sistem zgjedhor, jo vetëm që fiton PS, sa kohë do të bëhen zgjedhje normale, por do të vijojë procesi i nxjerrjes nga loja të partive të vogla. Kjo edhe për faktin se pas Reformës territoriale roli i tyre bashkëpunues me partitë e mëdha nuk ka vlerën e dikurshme. Pra kur ato sakrifikoheshin në zgjedhjet qëndrore dhe favorizoheshin në ato lokale.

Nuk e di cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm që i mbante ato ende në lojë.

Për militantët që mund t’u vijë keq, apo të mallkojnë arsyetimin e mësipërm, mund të them se nuk shoh zgjidhje të tjera. Dhe kjo edhe për një arsye të thjeshtë: Të tri partitë e mëdha, vijnë nga e njëjta origjinë dhe të provuara e të stërprovuara, nuk më japin ndonjë emocion as pozitiv dhe as negativ…

E shoh thjesht, si ushtrim…

Nëse do të më vinte keq, është tjetër gjë. Në 96 kur Shqipëria ishte në prag negociayash si tani, ajo u hodh në erë për shkakun e Piramidave. Tani kur vec negociatave të qershorit, janë një sërë reformash ku më e rëndësishmja është ajo për drejtësinë, nuk ja vlen që për shakara takticienësh dhe hallexhinsh partie, të vonohemi dhe nja njëzetë vjet të tjera. Të paktën të shohim ndonjë të vërtetë në sy….

Po Rama do e ndihmojë prap Bashën, nuk humbet asgjë!