Kryeministri Edi Rama një ditë më parë i ka bërë ftesë Bashës për tu ulur në bisedime, por sot nga selia e PD-së, kryedemokrati iu përgjigj negativisht thirrjes.
Megjithatë i pyetur nëse është ftesa sinjal i duhur për zgjidhjen e krizës, ambasadori çek, Jaroslav Ludva ka deklaruar nga Korça se:
“Ftesa natyrisht është sinjal i mirë sepse duhet të diskutojmë për politikën, duhet të diskutojmë për situatën në Shqipëri dhe një takim është gjithmonë rruga më e mirë. Nuk e di nëse do të diskutojnë por unë them që një takim është gjithmonë rruga më e mirë”,- tha ai.
I pyetur për kërkesat e opozitës, për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme Ludva thotë: “Unë jam ambasador dhe nuk mund të flas për situata brenda vendit por kemi thënë, kemi qënë në delegacion javën e kaluar, kemi thënë që fusha e politikave është në Kuvend”.
Sa për mesazhin e delegacionit të PE-së, ambasadori tha se nuk mund ta komentojë për aq kohë sa nuk ka qenë pjesë e tij.
“Ky delegacion ka folur në emër të parlamentit europian, por nuk kam qenë anëtar në delegacion dhe nuk mund të them gjë për mesazhin që ata përçuan”.
Sa për mundësinë e hapjes së negociatave me BE-në, diplomati çek tha se duhet të presim qershorin për ta mësuar.
“Shqipëria ka bërë progres në reformën e drejtësisë, ka disa gjëra për të punuar, shpresojmë që mund të hapen negociatat por është shumë e vështirë ta them tani. Do ta shohim në Qershor, sepse ka 28 vende në Bashkimin Europian, nuk është vetëm komisioni, çdo vend duhet të aprovojë”,- tha ndër të tjera , ambasadori çek.