Krahas Malcom X dhe Martin Luter King, Angela Davis është shndrruar në emblemën e lëvizjes së Zezë amerikane. Një militante revolucionare, gjithnjë duke luftuar për barazinë e zezakëve dhe të bardhëve, por edhe për emancipimin e punëtorëve. Shpejt e kuptoi se vetëm uniteti i lëvizjeve sociale dhe politike midis të bardhëve dhe të zinjve, burra dhe gra, do të ndihmonin në luftën kundër klasës sunduese.
Angela Davis është përjetësuar në histori si simboli i feminizmit dhe barazisë gjinore, sa edhe sot vijon të jetë ende një militante e betejave sociale dhe politike në Shtetet e Bashkuara. Përgjatë rrugëtimit të jetës së saj luftoi kundër racizmit dhe u përpoq për të drejtat civile. Historia personale si grua dhe afrikanoamerikane, e ka shndërruar në simbolin e feminizmit dhe barazisë racore. Gjithnjë është përpjekur t’i ndërgjegjësojë gratë të kuptojnë se sa e rëndësishme është të kenë një punë jashtë shtëpisë, se sa rëndësi ka të qenit e pavarur, se sa themelore është të kesh një jetë edhe jashtë familjes. Me rastin e #ImAWoman, po japim një japim shkurtimisht historinë e luftës për të drejtat, duke demonstruar forcë dhe këmbëngulje.
Angela Davis lindi më 26 janar 1944 në Birmingham, qyteti më i madh i shtetit të Alabamas, në një lagje ku mbizotëronte konflikti i ashpër racial. Rajoni i saj quhej “Dynamite Hill”, sepse shtëpitë e zezakëve dhe ndërtesat që ata frekuentonin hidheshin në erë me dinamit. Një ditë, për shembull, u hodh në erë një kishë dhe gjatë shpërthimit vdiqën tre miq të Angelas. Në moshën 14 vjeçare, ajo u zhvendos me familjen e saj në Nju Jork, u regjistrua në shkollën Little Red, një shkollë prestigjioze private në Greenwich Village. Në ambientet e shkollës filloi të studionte socializmin dhe komunizmin: zbuloi se çfarë idesh mbështesnin, mbi cilat vlera u bazuan dhe, e trallisur, filloi të militonte në grupin e të rinjve komunistë.
“Duhet të silleni sikur të mund ta ndryshoni rrënjësisht botën dhe duhet ta bëni vazhdimisht”.
Më pas, u regjistrua në universitetin Brandeis, Masaçuset, ku u diplomua shkëlqyeshëm për letërsi franceze. Shkoi për të studiuar në Francë, në Paris dhe në Gjermani, në Frankfurt, ku ndoqi klasat e Adornos. Ndërkohë, në Amerikë po përhapej lëvizja për të drejtat civile, prandaj vendosi të kthehej. Kështu, pati mundësinë të studionte me Marcuse. Ndërkohë, tek ajo filloi të zhvillohej një ndërgjegjësim politik gjithnjë e më i theksuar. U zhvendos në Kaliforni, ku mori profesionin në universitetin e Los Anxhelosit. Në qytetin e engjëjve, Angela u bashkua me SNCC-në, komiteti që koordinonte luftën kundër dhunës së studentëve dhe më pas në lëvizjen “Panterat e Zeza”. Në 1969, u përjashtua nga universiteti, sepse ai i përkiste Partisë Komuniste dhe emri i saj bëri aty për aty xhiron e botës. Një vit më pas, në vitin 1970, për të njëjtat arsye, emri i saj përfundoi në listën e FBI-së mes dhjetë të kërkuarve më të rrezikshëm në Shtetet e Bashkuara.
Ishte një proces i tërë që e çoi emrin e saj në qendër të vëmendjes. Në të vërtetë, ajo u akuzua për konspiracion, për rrëmbim dhe vrasje në lidhje me përpjekjen e dështuar të një grupi aktivistësh të “Panterave të Zeza” për të liruar të burgosurin Xhorxh Jackson, dashurinë e madhe të Angelas. Davis u arrestua, sepse arma e përdorur gjatë aktiit ishte e regjistruar në emrin e saj. E drejtoi vetë mbrojtje e saj në procesin gjyqësor, gjatë të cilit pati mundësinë t’i përhapte dhe t’i bënte të njohura idetë e saj në katër cepat e botës. Komitetet dhe organizatat ndërkombëtare i përkrahën menjëherë mendimet e militantes së të drejtave të njeriut. Sot Davis jep Historinë e Ndërgjegjjes në Universitetin e Los Anxhelosit, ku drejton edhe Institutin e Grave. Megjithëse nuk është më e regjistruar në Partinë Komuniste Amerikane, ajo vazhdon të luftojë dhe të mbështesë idealet e barazisë gjinore, për të cilat ka luftuar gjatë gjithë jetës së saj.