MENU
klinika

Muzika, histori dhe kujtesë

Anri Sala në “Do, re, mi, fa, sol”

01.03.2019 - 18:08

Muzeu i Artit Bashkohor pranë Kështjellës së Rivolit organizon për të parën herë, një ekspozitë personale të Anri Salës. Artisti i rëndësishëm me origjinë shqiptare, që ka përfaqësuar Francën në Bienalen e Venecias, më 2013-ën, Anri Sala ka marrë pjesë në ekspozita të rëndësishëm në Kështjellën e Rivolit, mes tyre ato kolektive “Fytyra në turmë”, më 2005-ën dhe “Emocioni i ngjyrave të artit”, më 2017-ën. E ideuar enkas për hapësirat e katit të tretë të Kështjellës, projekti ekspozues mbledh një rrugëtim novator organik mes disa prej veprave më domethënëse filmike të realizuara nga Anri Sala, si “Ravel, Ravel” (2013), “Take Over” (2017) dhe “If and only if” (2018). Kjo ekspozitë ofron mundësinë për prezantimin parë në nivel botëror në një muze publik të “If and only if”, vepër filmike në të cilën vëmendja e artistit përqendrohet tek marrëdhënia mes lëvizjes së një kërmilli dhe atë të muzikantit Gérard Caussé, ndërsa interpreton në violë “Elegji për violë solo” të Igor Stravinsky-it . Me një delikatesë të skajshme poetike, filmi përshkruan rrugëtimin e kërmillit në harkun e muzikantit dhe variacionet e ndërmarra nga lëvizjet minimale të kafshës, apo nga pauzat dhe ekzekutimi, duke krijuar muzikë në bashkëpunim mes humanit dhe johumanit.

Në instalacionin “Ravel Ravel” dy pianistë shfaqen në ekran në të njëjtën kohë, duke luajtur dy versione të “Koncert për piano për Dorën e Majtë”, nga Maurice Ravel-it, me pianon, që luan në tempe të ndryshëm. Vepra e Ravel-it, u kompozua më 1929-ën, për një muzikant që kishte humbur dorën e djathtë në Luftën Parë Botërore. Projekti i Salës është interpretimi i të njëjtës pjese muzikore nga dy muzikantë. Secili film është fokusuar në koreografinë e dorës së majtë duke përfshirë të tërë tastierën ndërsa dora e djathtë qëndron e palëvizur. Dy filmat projektohen njëherazi duke krijuar përshtypjen e një gare muzikore, për shkak të mospërputhjes mes tempeve të tyre, që janë përgatitur nga Sala dhe kompozitori dhe dirigjenti Ari Benjamin Meyers. “Kur luan në piano me të dy duart, qendra e trupit është përballë qendrës së pianos. Por, kur nis të luash vetëm me dorën e majtë, i gjithë trupi duhet të lëvizë në skajin e djathtë të pianos si për të plotësuar diçka që mungon. Kështu, përpjekja e trupit për të plotësuar humbjen flet rreth shoqërisë, rreth luftës,” – do të shprehej artisti i njohur shqiptar, për ‘Neë York Times’.

Në projektin “Take Over” janë dy vepra të mirënjohura muzikore, të shoqërizuara me historinë e ngatërruar politike dhe kulturore, Marsejeza dhe Internacionalja. E shkruar më 1792-shin, Marsejeza ka qenë e lidhur me Revolucionin Francez dhe shpejt u përhap edhe në shtete të tjera, duke u bërë simbol i rrëzimit të regjimeve shtypës. Kështu, lirika e Internacionales së 1871-it u vendos fillimisht me tingullin e Marsejezës, deri më 1888-ën kur muzika origjinale u kompozua dhe kënga u bë himn standard i lëvizjes socialiste. Të dy himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në konotacionet e tyre politike; nga revolucionet, rimëkëmbjet, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, me shoqërime shtesë si kolonizimi dhe shtypja në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare të Francës dhe Bashkimit Sovjetik, respektivisht). “Take Over” e bën të dëgjueshme marrëdhënien e afërt të këtyre dy himneve politike dhe eksploron ngjashmërinë muzikore për gjumë të këtij ndryshimi domethënie simbolike. Vepra manifestohet si një strukturë e përmbajtur arkitekturore që konsiston në një mur qendror me panele xhami në kënde. Dy këngët duket sikur dyfishohen në dy filma komplementarë. Secili i projektuar nga njëra anë e murit projektues, filmat shfaqin tastierën e pianos së Disklavier, interpretuar një instrumentist human, por i animuar në programim, një larmi veprimesh, e shndërrojnë tastierën në një peizazh të animuar bardhezi, me lugina dhe maja.

Duke nisur nga vitet 2000, Anri Sala krijon instalacione filmike dhe muzikore, skulptura, fotografi dhe dizajne që hetojnë frakturat dhe mospërputhjes përmes të cilave shpaloset historia. Artisti përdor hapësirën arkitektonike për të moduluar elementë pamorë, zanorë dhe taktilë, me qëllimin për të gjeneruar interpretime të reja dhe mundësi të padëgjuar nga brenda një vizioni emancipues të gjuhës dhe kulturës. Duke na distancuar nga “logjikja”, kuptimi direkt i bazuar në gjuhë, vepra e tij hap dyert e perspektivave të shumëfishta dhe interpretimeve. Në kontrast me kinemanë tradicionale, përdorimi i dallueshëm i sfidave të filmit sfidon epërsinë e imazhit, duke i lejuar tingullit të shërbejë si një aluzion i rëndësishëm narrativ: muzika i flet historisë dhe memories, bën bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shikuesit në një përvojë të vetme filmike. Kjo “e tashme e vazhdueshme” e gjetur në veprën e Salës ka një efekt të mbërthyerit të audiencës në një moment specifik sesa t’i projektonte ata në iluzionin e asaj çka shohin. Duke krijuar këtë gjendje vetëdijesimi, artisti propozon një ushtrim në rezistencën civile me implikime politike; vepra e tij na lejon të rimarrin në konsideratë marrëdhënien e hapësirës sonë dhe kohën drejt vendndodhjes dhe momentin historik të përshkruar në film.

“Po e rafinoj paradën sa më shumë që mundem këtu në studio. Mezi pres t‘ju bashkohem në Rivoli, për pak realitet, sepse po kaloj shumë kohë në simulime dhe virtualitet. Po mendoja t’i jepja ekspozitës një titull; ‘As you go’. Në anglisht ose italisht – ‘Mentre vai?’. Vizualisht, më duket anglishtja më muzikore (megjithëse italishtja është gjuhë më melodioze. “As you go”, ngjan si ‘Do re mi fa sol”… Përmes kësaj parade, ekspozita si e tërë bëhet një instrument muzikor që mbështetet në qëndrimin e vizitorëve për të përftuar dimensionin e saj të plotë… Jam i interesuar në idenë se nuk ka destinacion për t’u arritur, se finalja është tek trajektorja”, – është shprehur artisti.

Si përbërës të një orkestre të pazakontë, tre veprat në ekspozitën e Kështjellës janë rimodeluar nga artisti duke përdorur si instrument realitetin e shtuar, për t’u ofruar vizitorëve një përvojë me impakt të lartë emotiv dhe sinestetik. Ekspozita do të ketë formën e një parade, me një fluks imazhesh në lëvizje dhe narracione të shumëfishta. Më shumë sesa një prezantim të tre veprave filmike të gërshetuara, në tërësinë e saj ekspozita mund të interpretohet si diapozitiv i aftë të transformojë projektimet në një skulpturë gjigante në lëvizje.