Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me seli pranë Gjykatës së Lartë, shpalli si kufi të fundit kohor datën 20 mars për konkurrentët që do të synojnë postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga ky afat rezultojnë vetëm 6 aplikime.
Për në ILD janë aplikuar: Marsida Xhaferrllari, për të cilën Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk dha asnjë vendim nëse duhej të shkarkohej apo konfirmohej në detyrë, por u shpreh me një vendim neutral, duke hequr dorë nga gjykimi.
Gjithashtu edhe anëtari i Gjykatës Administrative, zoti Artur Malaj, për të cilin është apeluar vendimi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pavarësisht se KPK-ja e konfirmoi në detyrë, si dhe zonja Lefterie Lleshi. Ndërkohë që ditën e nesërme pritet që KED të publikojë kandidaturat e plota.
ILD duhej të kishte nisur nga puna në qershor të vitit 2017 dhe diçka e tillë nuk është bërë ende e mundur.
Nëse do të funksiononte ILD-ja, do të ishte shqyrtuar ankesa ndaj 3 gjyqtarëve që hoqën vendimin e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, apo ankesat e opozitës për prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, zonjën Arta Marku.