MENU
klinika

Protesta e radhës

Basha këmbëngul në zgjedhje të parakohshme

26.03.2019 - 19:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur pakënaqësi për angazhimin e ish-deputetëve të PD-së dhe anëtarëve të Kryesisë në organizimin e protestave të opozitës.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura me anëtarët e Kryesisë dhe ish-deputetë, Basha analizoi krizën politike në vend dhe kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit politikë më të lartë në PD.

Pakënaqësia e kreut të PD-së lidhej me angazhimin e anëtarëve të Kryesisë dhe ishdeputetëve të PD-së në protestat e fundit të organizuara nga opozita. Më konkretisht, rezervat e kreut të PD-së lidheshin me protestat e munguara në rrethe dhe pjesëmarrjen e protestës së 21 shkurtit përpara Parlamentit.

“Jemi përballë një situate të paprecedent. Qeveria po përpiqet ta tregojë situatën si normale, por të gjithë e dimë se njerëzit e përbuzin dhe përçmojnë arrogancën e kësaj maxhorance. Ajo që duhet është që gjithsecili prej jush të jetë në terren. Të jetë te qytetarët. Kam kërkuar edhe më herët nga kryetarët e degëve dhe të deleguarit e partisë që të evidentojnë problematika në zona dhe qytete të caktuara dhe të organizohet protesta. Nuk dua nga ju të rrini në kafe me njëri-tjetrin. Dua të zhvilloni takime intensive me qytetarët. Të jeni në ballë të protestave që do të organizojmë”, mësohet të ketë deklaruar Basha.

Basha kryesia e PD-konica.al

Protesta e radhës nga opozita do të jetë këtë të enjte përpara Parlamentit, ku shumica do të jetë në seancë plenare.

Por porosia për organizimin e protestave nuk ishte e vetmja që Basha u dha ish-deputetëve të tij dhe anëtarëve të Kryesisë. Kur foli për krizën politike që vendi po kalon, Basha ofroi si të vetmen mënyrë për zgjidhjen e këtij ngërç, zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i PD-së kërkoi që krahas punës organizative me protestat, strukturat të jenë të përgatitura për zgjedhje të parakohshme.

Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, sipas Bashës nuk kanë një kohë të përcaktuar, por janë një realitet i pashmangshëm i kësaj maxhorance.

“Protestat tona duhet të jenë sa më masive. Por krahas protestave, askush nuk duhet të harrojë se zgjedhjet e parakohshme janë pas dere. Të gjitha strukturat të jenë të përgatitura për zgjedhje, krahas organizimit te protestave”, mësohet të ketë thënë Basha.

Nga protesta kombëtare e thirrur nga opozita më 16 shkurt, janë zhvilluar 6 protesta përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit. Pas një vendimi të marrë me Kolegjin e Kryetarëve, PD-ja do të jetë në protestë përpara çdo seance plenare që do të thërrasë maxhoranca, ndërkohë që ka nisur puna për organizimin e një tjetër proteste kombëtare, e cila do të zhvillohet më 13 prill.

Në ndryshim nga protestat e organizuara deri tani, protesta e thirrur më 13 prill përpara Kryeministrisë do të zhvillohet pasdite në orën 18:00.