MENU
klinika

Bllokimi i reklamave

BE gjobit Google me 1.49 miliardë euro për kompaninë AdSense

21.03.2019 - 08:15

Google u gjobit me 1.49 miliardë euro për bllokimin e reklamave të rivalëve, gjoba e tretë për shkeljen e rregullave të konkurrencës nga ekzekutivi i BE-së në dy vitet e vetme. Problemet për Google-in nuk përfundojnë këtu, pasi ekzekutivi po vazhdon të shqyrtojë sjelljen e kompanisë në lidhje me tregun e kërkimit në internet.

Komisioni Europian gjobiti të mërkurën gjigantin amerikan të internetit Google, pas akuzave të përsëritura për abuzim me pozitën dominuese në tregun e reklamave.

Këtë herë gjoba lidhet me kompaninë e reklamave AdSense. Ky sanksion financiar prej 1.49 miliardë euro është i treti i vendosur në më pak se dy vjet nga rregullatori europian i konkurrencës.

Në lidhje me AdSense, Komisioni e kritikon Google-in se ka vendosur një sërë klauzolash kufizuese në kontratat e mëparshme me ueb faqet, duke penguar shfaqjen e reklamave të konkurrentëve në to.

Komisionerja e BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager:

“Këto praktika janë të paligjshme kundrejt rregullave të Bashkimit Europian dhe bien ndesh me praktikat e konkurrencës së drejtë. Google nuk kishte arsye pse t’i përfshinte këto klauzola shtrënguese në kontratë, qëllimi i vetëm ka qenë mbajtja e rivalëve jashtë tregut.”

Çështja për kompaninë e reklamave të Google-it, u ngrit pas një ankese nga Microsoft në vitin 2010. Më vonë në vitin 2016, kompanitë kanë paraqitur ankesa ndaj njëra tjetrës.

Por problemet për Google-in nuk përfundojnë këtu. Komisionerja Vestager tha se ekzekutivi po vazhdon të shqyrtojë sjelljen e kompanisë në lidhje me tregun e kërkimit.