MENU
klinika

Profil

Bill Clinton, njeriu që shpëtoi kosovarët nga gjenocidi

16.03.2019 - 16:13

Bill Klinton është presidenti amerikan më i dashur i shqiptarëve për ndikimin e tij në çlirimin e Kosovës, dhe konsiderohet shpëtimtar i kosovarëve nga gjenocidi.

Me këto fjalë Clinton iu kishte drejtuar asokohe popullit amerikan dhe gjithë botës:

“Të dashur amerikanë. Sot Forcat e Armatosura të SHBA-së, u janë bashkuar atyre të NATO-s, në sulmin kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Ne morëm këtë vendim për shumë arsyeje, mirëpo kryesorja për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga agresori ushtarak serb”.

Jeta e hershme

William Jefferson Clinton, i njohur si Bill Clinton u lind më 19 gusht në vitin 1946 në Arkansas të Amerikës. Babai i tij, të cilin ai nuk e njohu kurrë, ishte agjent tregtar dhe humbi jetën në një aksident tre muaj para se të lindte Billi. Pas vdekjes së të atit, nëna e tij e kuptoi se ai kishte qenë i martuar edhe së paku me tri gra të tjera në të njëjtën kohë, dhe se Billi kishte edhe një vëlla dhe motër nga babai, të cilët nuk i takoi kurrë. Billi jetoi me të ëmën dhe me prindërit e saj. Jeta për të dhe nënën e tij nuk ishte aspak e lehtë. Njerku i tij ishte alkoolist dhe e rrihte e keqtrajtonte gruan e tij, ndërsa Billin dhe vëllaun e tij më të vogël Roger, i keqtrajtonte verbalisht.

Hapat e parë drejt politikës

Clinton, vazhdoi dy vite në shkollën katolike para se të regjistrohej në shkollën publike. Ai ishte nxënës shumë i mirë. Në vitin 1963 pas vitit të parë të shkollës së mesme, ai u zgjodh si njëri nga përfaqësuesit nga Arkansasi në programin e qeverisë për studentët. Kjo edhe i ndihmoi që ti bëjë hapat e parë drejt politikës amerikane.

Clinton studio në Universitetin Georgetown në Washington, ku pati goxha interes lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë viteve të shkollës ai u angazhua në punët e komitetit të Senatit për punët e jashtme.

Ai ishte simpatizues i lëvizjes së personave me ngjyrë të zezë gjatë viteve të 60-ta. Pas vrasjes së Martin Luther King, Clinton ishte vullnetar për të ndihmuar me ushqim dhe veshmbathje për persona të cilët kishin mbetur pa shtëpi.

Gjatë studimeve ai fitoi bursë dhe shkoi në Oxford të Anglisë, ku kaloi plot dy vite. Nëvitin 1970 vazhdoi studimet në Fakultetin Juridik në universitetin e Yale.

Clinton guvernator

Clinton u zgjodh guvernator i Arkansas në vitin 1978, duke u bërë kështu guvernatori më i ri në vend, në moshën 32 vjeçare.

Ai punoi mbi reformën arsimore dhe rrugët e këtij vendi ndërsa gruaja e tij udhëhoqi një komitet të suksesshëm në reformën e kujdesit shëndetësor urban. Më pas, ai iu bashkua firmës së avokatëve të mikut të tij, Bruce Lindsey Wright, duke e kaluar shumicën e dy viteve të ardhshme të punës, për tu përgatitur për fushatën e re zgjedhore.Klinton, sërish u zgjodh guvernator në vitin 1982, duke mbetur në këtë detyrë për plot dhjetë vite.

Clinton, “presidenti i begatë”

Bill Clinton i fitoi zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor të vitit 1992 me 43 për qind të votave kundër republikanit George Bush dhe miliarderit Ross Perot. Ish-Presidenti Bill Clinton, i njohur si president i begatisë dhe rritjes ekonomike për amerikanët, bëri shumë jo vetëm për vendin e tij.

Më 5 nëntor të vitit 1996, Clinton rizgjedhet president i Amerikës edhe për një mandat 4 vjeçar. Në vitin 1996 fushata e Klintonit kushtoi më tepër se 50 milionë dollarë. Më 16 nëntor të vitit 2000, Bill Clinton, u bë Presidenti i parë që vizitoi Vietnamin, që nga Lufta e Vietnamit.

Vitet e fundit të jetës

Në janar të vitit 2001, ish-presidenti u diagnostifikua me sëmundjen e kancerit, por të cilën për fat mjekët e zbuluan me kohë dhe arritën ta largonin nga trupi i tij. Por problemet shëndetësore të tij nuk përfunduan këtu. Në vitin 2004, ai përjetoi një sulm në zemër, ku mjekët ia vendosën bajpasin, pasi disa prej arterieve të zemrës së tij ishin bllokuar 90 për qind.

Pas përfundimit të mandatit të tij të fundit, ai hapi në Nju Jork një zyrë që merrej me probleme juridike të qytetarëve të asaj pjese.

Ish-presidenti mori pjesë në shumë organizime për t’iu ndihmuar njerëzve të varfër në mbarë botën, duke hapur donacione të shumta vetëm që t’iu dilte në ndihmë këtyre personave.

Në botë ai njihet si një person që bëri shumë për të ndaluar luftërat. Ai u bë një ithtar global për ta zgjeruar NATO-n, për të krijuar një tregti sa më të hapur, dhe bëri fushatë në mbarë botën kundër trafikimit të drogës.

Gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për emrin e tij. Kosovarët me siguri do ta kujtojnë gjithmonë si njeriun që bëri që paraardhësit e dëbuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Dhe si arsyen pse Kosova sot vepron e lirë.