MENU
klinika

NBA

Bind Milwaukee, Harden fantastik

29.03.2019 - 08:46

Janë luajtur tetë ndeshje të NBA, ku spektakli ka vijuar, me skuadrat e kreut që kanë treguar se jo rastësisht janë mbi të tjerët, sidomos në Konferencën e Lindjes.

Kështu, Milwaukee Bucks ka fituar në fushën e vet 128-118 kundër Los Angeles Clippers, një ndeshje që është vendosur në periodën e dytë, kur vendasit e fituan 39-21.

Spikati Middleton për Bucks-at, me 39 pikë, ndërsa ylli i skuadrës, Antetokounmpo realizoi 34 pikë. Milwaukee kryeson bindshëm në Lindje dhe po pret me qetësi fazën “play-off”.

Fiton bindshëm edhe Toronto Raptors, që mposht New York Knicks 117-92. Kanadezët, edhe pse udhëtues, nuk e kanë pasur problem, duke mbajtur vendin e dytë në Lindje.

Kamerunasi Siakam për Toronton shënoi 31 pikë, duke qenë më i miri i ndeshjes. Raptors duhet të kënaqen me vendin e dytë, pasi Bucks-at janë 4 fitore para dhe nuk mund t’i arrijnë.

Houston Rockets dhuron një tjetër shfaqje të bukur para tifozëve të vet, duke fituar bindshëm 112-85 kundër Denver Nuggets. Ishte ndeshja më e dobët e sezonit për miqtë, që mbajnë vendin e dytë në Perëndim.

Houston mban vendin e katërt dhe e ka siguruar tashmë një vend në play-off. James Harden mbetet fantastik me paraqitjet e tija, teksa realizoi 38 pikë.