MENU
klinika

Gjeniu me sindromën e Aspergerit

Bobi Fisher, shahisti i të gjitha kohërave

10.03.2019 - 11:34

Bobi Fisher (Robert James Fischer) lindi më 9 mars 1943, në Çikago të Amerikës dhe vdiq më 17 janar 2008 në Reikjavik të Islandës. Mjeshtri amerikan i shahut, u bë mjeshtri më i madh në histori me marrjen e titullit në vitin 1958, pasi fitoi të tetë kampionatet amerikane. Mospërmbajtja rinore dhe loja e shkëlqyer në shah tërhoqën vëmendjen e publikut amerikan, veçanërisht me fitoren e kampionatit botëror të vitit 1972. Kampioni i 11-të Botëror i Shahut dhe lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Aftësia mahnitëse që ai shfaqte kur luante shah mbetet mbresëlënëse: ai ishte mbreti i të gjithëve. Bobi filloi të luante shah që në moshën 13-vjeçare. Ishte profesionist që në krye të herës, nuk i nevojitej asnjë trajnim për të provuar veten. Spikati si mjeshtri më i ri në moshën 15 vjeçare, dy vjet pas debutimit në lojën e shahut. Tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 1956 me fitoren mahnitëse ndaj Donald Byrne në turneun e Nju Jorkut. Në atë që u quajt “Lojë e shekullit”, Fisher flijoi mbretëreshën e tij në lëvizjen e 17-të të Byrne për të ngritur një kundërsulm shkatërrues, që çoi në shah-mat. Qe lojtari i vetëm që fitoi me rezultat të pastër kampionatin amerikan, duke i fituar të 11 ndeshjet në turneun e 1964-ës. Në vitin 1972, Fisheri u bë i pari amerikan i lindur në Amerikë që mbrojti titullin kampion bote, kur mposhti Boris Spassky të Bashkimit Sovjetik në një ndeshje të mbajtur në Reikjavik të Islandës. Turneu bëri jehonë botërore, pasi deri atëherë ishte Bashkimi Sovjetik ai që dominonte sportin e shahut, kampionët e botës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore ishin sovjetikë. Kështu që ndeshja Fisher-Spassky u bë një betejë metaforike në Luftën e Ftohtë. Në vitin 1975 Fisher refuzoi të takohej me sfidantin sovjetik, Anatoli Karpov, për këtë arsye FIDE (Federata Ndërkombëtare e Shahut) e skualifikoi nga gara dhe shpalli kampion Karpovin. Më pas, për 20 vjet Fisher u tërhoq nga garat zyrtare, duke u rikthyer vetëm për të mposhtur Spassky në një lojë të organizuar privatisht në vitin 1992 në Sveti Stefan, Mal të Zi, Jugosllavi. Më 21 mars 2005 Fisheri mori shtetësinë islandeze. Përveç gjenisë në shah, Bobi kishte edhe fakte të tjera interesante:

Ishte shumë kontroversial. Nëse ekziston dikush që gjithmonë kishte diçka për të thënë për gjithçka, ai emër do të ishte Bobi Fisher. Ishte shumë i vetëdijshëm dhe kishte bindje të forta. Ndante pikëpamje antisemitike, madje aprovonte nazizmin. Besonte se në botë gjithçka kontrollohej nga dora e fshehtë e qeverisë botërore sekrete satanike. Madje, Bobi iu kundërvu edhe sanksionit ekonomik që Presidenti Bush i imponoi Jugosllavisë. Në dhjetor 1992, u padit nga qeveria e SHBA-së, pas marrjes së mesazhit shkoi të qetësohej në Evropë. Bindjet e Bobit ishin kaq të shumta, sa edhe frikërat e tij. E përndiqte frika se mos e vriste qeveria ruse. Kishte frikë se mos agjentët sovjetikë mund t’i transmetonin rreze të dëmshme në tru, nëpërmjet impiantit metalik që kishte në dhëmbë, prandaj u detyrua të zëvendësonte mbushjet dentare.

Thuhet se vuante nga sindroma e Aspergerit. Sindroma e Aspergerit është një çrregullim i zhvillimit neurologjik, që ndikon në perceptimin dhe bashkëveprimin e individit me botën. Mbartësit e kësaj sindrome janë vërtet të zgjuar dhe shpeshherë priren të jenë të fiksuar pas një teme, aftësie ose veprimtarie të veçantë, gjë të cilën e bëjnë pareshtur e pa u lodhur. Po ashtu kanë tendencën për të qenë asocial. Sipas testit zhvilluar në Stanford-Binet, kur Bobi ishte vetëm 15 vjeç, rezultoi se ai kishte IQ mbi 180-187 dhe kjo është larg mesatares. Kishte një kujtesë fotografike. Të parën herë që udhëtoi për në Islandë, ai përgjoi një bisedë telefonike në gjuhë të pastër islandeze. Interesante, pasi nuk e kishte dëgjuar apo mësuar kurrë më parë atë gjuhë, megjithatë e kuptoi madje përsëriti gjithçka që u tha. Dukej sikur ishte ulur në një skermë midis gjeniut dhe marrëzisë.

Bobi nuk ishte tifoz i arsimit. Mendonte se shkolla ishte humbje kohe dhe sigurisht nuk do e harxhonte kohën me të. E braktisi shkollën në moshën 16 vjeçare. Më pas, u vetë shkollua. Mësoi të fliste disa gjuhë të huaja vetëm nga dëshira për të lexuar botime të huaja. Botoi edhe një libër shahu: “Bobby Fisher Teaches Chess” (“Bobi Fisher mëson shah”). Libri përmbante 275 ushtrime shahu që lexuesit mund t’i zgjidhnin vetë. Mbi 1 000 000 kopje të librit u shitën brenda disa muajsh.

Bobi Fisher kishte probleme me ligjin. Mos u habisni, pasi edhe lordi i shahut kishte të meta. Dosja e tij në FBI arrinte deri 900 faqe. Çfarë kishte bërë për të pasur një rekord kaq të gjatë kriminal? Bobi u arrestua si i dyshuar në një vjedhje banke në moshën 38 vjeçare. Më vonë, doli me një garanci 1000 dollarë. Kur ishte rreth të 30-ve, i arratisur, u fsheh në Kaliforni, Pasadena dhe San Francisko, pasi refuzoi t’i paguante qeverisë së SHBA-së  taksën e  fitimit nga lojërat e shahut. Mendonte se nuk meritonin të shijonin qoftë edhe një kacidhe nga të ardhurat e tij. Bobi Fisher kaloi 6 muaj në një burg japonez, pasi u akuzua se  kishte përdorur një pasaportë të pavlefshme.

Vuante nga veshkat. Bobi u diagnostikua me dobësim të veshkave, por kokëfortësia e tij nuk e lejonte t’i nënshtrohej trajtimit. Së fundi, ishte më shumë kokëfortësia, se sa insuficienca e veshkave që i kushtuan jetën. Bobi nuk kishte besim tek mjekët dhe drogat. Vdiq në moshën 64-vjeçare, që për koincidencë përkon me numrin e kutive të fushës së shahut. Jeta e Bobi Fisherit ishte një telenovelë klasike.

Në vitin 2008, Garry Kasparov u shpreh: “Fisher mund të konsiderohet fare mirë themeluesi i shahut profesional dhe dominimi i tij, megjithëse me kohëzgjatje shumë të shkurtër, e shndërroi atë në lojtarin më të shquar të të gjitha kohërave”.