Ndaj Turqisë nuk do të luajë vetëm Kombëtarja A, por edhe ekipi Shpresa, që do të presë nesër në “Elbasan Arena” bashkëmoshatarët 21-vjeçarë.
Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka dalë në një konferencë për shtyp para ndeshjeve kualifikuese, teksa skuadra e tij e nis nesër ndaj Turqisë.
Numri një i stolit e pranon hapur se ekip kuqezi nuk synon kualifikimin, por të paraqitet sa më mirë dhe të furnizojë ekipin e parë me elementë cilësorë.
Turqia – “Do të luajmë ndaj një kundërshtari mjaft të fortë si Turqia dhe më pas udhëtojmë drejt Andorrës. Presioni është mbi ta, pasi ata e kanë detyrim fitoren duke qenë se janë favorit dhe jo ne.
Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Ekipi është i përgatitur ndërsa kemi mungesa si Selmani apo Hebaj. Do të donim t’i kishim, pasi do të na ndihmonin”.
Rezultati – “Do të firmosja për një barazim, pasi do të ishte rezultat pozitiv. Nëse fitojmë do të ishte super. Nuk duhet të futem në presion, pasi duhet të luajmë futboll dhe do e bëjmë si zakonisht me futboll sulmues dhe të bukur.
Djemtë nuk duhet të demoralizohen dhe nëse humbim, pasi ne nuk kemi si objektiv vendin e parë, apo të dytë. Nëse humbim të paktën ta bëjmë me futboll dhe ta bëjmë kundërshtarin të vuajë”.
Mungesat – “Asnjë trajner nuk do të donte të kishte mungesa. Do të doja ta kisha grupin e plotë, por duhet të përshtatemi”.
Formacioni – “Do të kemi 1-2 ndryshime në formacion dhe mendoj të bëjmë mirë. Këtë herë do të bëjmë 5 ndërrime, pasi mund të ndryshojmë më shumë lojtarë dhe jemi më të freskët gjatë lojës”.