MENU
klinika

Si po ecën ekonomia?

Buxheti “me gropë” i 2018, po në 2019?

31.03.2019 - 11:08

Me 12.5 miliardë lekë më pak është “kyçur” arka e shteti për vitin 2018-ën  duke “rrëzuar” parashikimet dhe deklaratat optimiste të Ministrisë së Financave.

Referuar treguesve fiskale të konsoliduar të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2018 janë realizuar në masën 97 për qind, duke arritur në rreth 449.4 miliardë lekë, nga 461.7 që ka qenë plani vjetor.

Luhatjet e shumta në kursin e këmbimit përgjatë gjysmës së dytë të vitit dhe zhvlerësimi i ndjeshëm i valutave kryesore kundrejt lekut kanë dhënë goditjen kryesore në buxhetin e shtetit gjatë 2018.

Efektet më të ndjeshme negative janë vënë re në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Sipas financave, humbjet nga kursi gjatë këtij vitit llogariteshin në rreth 10 miliardë lekë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat në tërësi janë realizuar në nivelin 98 për qind, apo 6.6 miliardë lekë më pak se plani, ku janë mbledhur në total 304.3 miliardë lekë. Po ashtu, pavarësisht ndryshimeve fiskale dhe përfshirjes së bizneseve me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë në skemën e TVSH-së, kjo politikë duket se nuk ka pasur efekt, pasi zë ka ndikuar negativisht në të ardhurat në buxhet ku kanë mbetur pa mbledhur rreth 3 miliardë lekë.

Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar është realizuar në masën 98 për qind apo në rreth 143.5 miliardë lekë. Ndërsa janë rimbursuar rreth 14.4 miliardë lekë.  Mbledhja e akcizës nga karburanti dhe renta minerare gjithashtu ka qenë në nivele të dobëta, ku është realizuar vetëm 93 për qind e planit, apo 45 miliardë lekë. Ky sërish edhe nga ky zë, buxheti i shtetit ka sakrifikuar rreth 3.5 miliardë lekë. Edhe në këtë rast duket se shkak kryesor është forcimi i lekut. Performancë më të dobët në këtë drejtim kanë pasur taksat doganore me realizim 89 për qind, me nivel të ardhurash 6.2 miliardë lekë nga 7 miliardë që ishte parashikimi.

Ndërkaq, edhe tatimi mbi të ardhurat personale është mbledhur në nivelin e 99 për qind, apo rreth 36.5 miliardë lekë, ku mungojnë 315 milionë lekë.

Gropa “100 milion euro”

Si përfundim buxheti i shtetit për vitin e kaluar u mbyll me 100 milionë euro të ardhura më pak se plani, por mosrealizimi i shpenzimeve ishte edhe më i madh duke bërë që qeveria të marrë më pak borxh nga sa kishte planifikuar. Sipas statistikave të detajuara, gjysma e mosrealizimeve ishte nga të ardhurat jotatimore dhe ndihmat, ndërsa gjysma tjetër ka ardhur si pasojë e ecurisë së dobët në mbledhjen e akcizave dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Të dy këto taksa qenë 7.4 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro më pak se plani vjetor të ndikuara kryesisht nga rënia e euros ndaj lekut, por edhe ulja e papritur në zhdoganimin e cigareve. Në krahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, mosrealizimet kanë qenë edhe më të mëdha se sa tek të ardhurat. Sipas të dhënave nga financat, shpenzimet faktike të buxhetit ishin gati 147 milionë euro më të ulëta se plani.

Për shkak se mosrealizimi i shpenzimeve ka qenë më i madh se sa ai i të ardhurave, qeveria ka marrë më pak borxh nga kufiri i caktuar me ligj. Deficiti buxhetor për vitin e kaluar rezultoi 47 milionë euro më pak se plani, duke sinjalizuar se borxhi publik në raport me prodhimin kombëtar është ulur edhe më shumë nga sa pritej. Por sipas tabelave të financave e gjithë rënia e deficitit ka ardhur në kurriz të investimeve publike, të cilat vitin e kaluar u realizuan 7 për qind më pak se plani. Investimet janë zëri më produktiv i shpenzimeve të buxhetit, pasi nxisin ekonominë dhe krijojnë punësim. Por edhe për këtë vit, realizimi i tyre ka rezultuar problematik, veçanërisht tek projektet me financim të brendshëm.

“Zërat” që mbushën arkën

Ministria e Financave ka pasur performancë pozitive në mbushjen e arkës së shtetit me të ardhurat nga tatim-fitimi mbi bizneset dhe taksat nacionale, duke tejkaluar planin. Konkretisht të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 34.5 miliardë lekë dhe realizim në masën 102% të planit.

Pavarësisht efekteve negative të dhëna nga kriza energjetike e vitit 2017,  e cila ndikoi në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjetik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar për periudhën Janar-Tetor 2018.

Ndërsa taksat nacionale dhe të tjera, në masën 101% e planit, apo rreth 38.6 miliardë lekë të mbledhura për vitin 2018. Me tejkalim në masën 106 për qind kanë rezultuar edhe të ardhurat nga pushteti vendor, ku bashkitë kanë mbledhur  në total 21.9 miliardë lekë, apo 1.3 miliardë lekë më shumë se plani.

Si u investuan paratë?

Përveç se të ardhurat nuk u mblodhën në masën 100 për qind të planit, edhe shpenzimet kapitale, apo investimet “çaluan” gjatë vitit që lam pas.  Kështu,  2018 është mbyllur  me mosrealizim në masën 93 për qind dhe apo me rreth 5.8 miliardë lekë të pashpërndara dhe defiçiti buxhetor llogaritet në pothuajse të njëjtën vlerë.  Por çfarë ka ndodhur? Nga 84.2 miliadrë lekë të parashikuara për likujdimin e faturave për punët publike, janë disbursuar 78.4 miliardë lekë.

Dhe ajo që vihet re nga analizë e shifrave muaj pas muaji, është se qeveria ka zgjidhur “qesen” në muajin Dhjetor 2018, ku është disbursuar një shifër rekord prej 20.9 miliardë lekësh, të cilat deri në muajin Shtator mbaheshin të ngrira pasi buxheti në 9 mujor rezultoi me sufiçit prej 3.23 miliardë lekësh, çka përkthehej në më pak qarkullim të parasë në ekonomi.

Ndërsa mesatarja e dshlyerjes së faturave muaj pas muaji, ka rezultuar në rreth 3 miliardë lekë. Çka do të thotë se në Dhjetor 2018-ë janë disbursuar 7- fish më shumë para apo sa 7 muaj të vitit, të marra së bashku.

Po 2019?

Viti 2019 është një vit zgjedhor. Për më tepër që në nisje të tij kriza politike që nisi me protestën studentore ka ardhur vetëm se duke e shtuar presionin. Kulmi ishte largimi i opozitës nga Kuvendi, duke e future vendin në një spirale protestash.

Në këtë mënyrë angazhimi i administratës fiskale ndikuar nga zhvillimet politike është në tendencë rënie. Por po aq me probleme janë edhe planet e investimeve, të cilat ndonëse në letër mund të jenë optimiste, ne realitet kanë vështirësi të tjera për tu realizuar.

Ndërlidhja mes investimeve dhe të ardhurave buxhetore kështu pritet të jetë e ndikuar nga këto zhvillime dhe nuk do të jetë çudi që 2019 të jetë një vit më i dobët fiskal. Aq më shumë kur në vendet fqinje, partnerët kryesorë tregtare të Shqipërisë, problemet ekonomike kanë dalë në sipërfaqe.

SCAN MAGAZINE/ ELISABETA DOSKU