MENU
klinika

Shanset për punë

Ç’duhet të dini për procedurat e azilit në Gjermani?

14.03.2019 - 09:47

Instituti i Hulumtimit të Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB), ka kryer një studim në përfundim të të cilit bëhet me dije se refugjatët në Gjermani mund të fillojnë më shpejt punë ose një kurs gjuhe nëse procedurat për azil do të ishin më të shkurtëra.

Po u zgjat procedura e azilit për gjashtë muaj, shanset për për gjetje të punës ulen për 11 për qind”, thuhet në studimin e institutit në fjalë, të prezantuar të martën.

Sipas autorëve të studimit refugjatët nga vendet me perspektivë të mirë për mbetje në Gjermani, si Siria, kanë investuar fuqishëm në mësimin e gjuhës, gjë kjo që çon në dyfishim të kohës së ndërmjetme deri në gjetjen e një vendi pune.

Ndërkohë sipas autorëve e kundërta e kësaj ndodh me refugjatët nga vendet me shanse të ulëta si Shqipëria, të cilët sipas tyre fitojnë më shpejt një vend pune.

Konsiderohet se refugjatët me shanse të vogla ose pa shanse fare për të mbetur në Gjermani bëjnë më shumë përpjekje drejt tregut të punës, në mënyrë që të përmiresojnë shanset e tyre të qëndrimit dhe nga ana tjetër, kohën e tyre të mbetur, ta shfrytëzojnë për të fituar para”, sqarojnë autorët e studimit.

Tri të katërtat e numrit të të anketuarve kanë deklaruar se e kanë filluar ose madje, e kanë përfunduar tashmë një kurs të gjuhës.

Sikur njohja e kërkesave për azil ashtu dhe fitimi i statusit “Duldung” (tolerim) shpejtojnë vendimin për të ndjekur një kurs gjuhe. Kështu, duket se i rëndësishëm është më shumë absolvimi i kursit se sa rezultati i procedurës së azilit”, thonë autorët e studimit.

Procedura e azilit aktualisht në Gjermani zgjat gjysmë viti. Në tremujorin e tretë të vitit 2018 ka zgjatur mesatarisht 6.1 muaj periudha në mes të shtrimit të kërkesës për azil dhe vendimit të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF). Ndërdsa në vitin 2017 kjo periudhë ka zgjatur dukshëm më shumë, 10.7 muaj.