MENU
klinika

Çfarë thotë rregullorja?

Dënimi i Kamzës, 25 futbollistë në “rrugë”

06.03.2019 - 15:43

Komisioni i Disiplinës në FSHF vendosi që Kamza të përjashtohet nga Kategoria Superiore për këtë sezon, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit Eldorian Hamitaj në ndeshjen ndaj Laçit.

Gjithashtu, presidenti Naim Qarri dhe dy drejtorët (Andi Matraxhiu dhe Albert Bana) janë pezulluar 3 vjet dhe i fundit 1 vit e gjysmë. Ndërsa Gjykata ka vendosur arrest shtëpie për Qarrin dhe detyrim paraqitje për 2 drejtorët.

Ndërkohë, lojtarët dhe trajneri Gentjan Stojku kanë qenë duke kryer stërvitjen që e filluan në orën 14:00 kur kanë mësuar vendimin e Komisionit të Disiplinës në FSHF.

Menjëherë sapo është mësuar masa e marrë ndaj tyre, lojtarët kanë lënë stërvitjen, duke mos pasur më arsye për të vijuar më tej. Tashmë fati i 25 lojtarëve të federuar është i paqartë.

Mundësia e parë është që të shkojnë në vende të huaja ku kampionati fillon këtë muaj (vendet nordike dhe aziatike). Mundësia e dytë është që federata të bëjë lëshim për këtë rast dhe t’i lejojë të luajnë me skuadra të tjera në Shqipëri.

Përjashtimi i Kamzës nga të gjitha aktivitetet ka hapur edhe disa çështje të tjera, që prekin edhe skuadrat e tjera të kampionatit. Më kryesorja është çfarë ndodh me skuadrat, që ndeshjen e radhës sipas kalendarit do ta kishin me Kamzën.

Këto skuadra i marrin tri pikët në tavolinë. Sipas rregullores, ndeshja konsiderohet e fituar 3-0 nga ekipi kundërshtar i Kamzës, pasi në këtë moment është luajtur 2/3 e kampionatit.

E konfirmojnë këtë gjë edhe drejtues pranë FSHF-së. Luftëtari është ekipi i parë që do të marrë tri pikët, pasi ndeshjen e radhës në kalendar e kishte pikërisht me Kamzën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN