MENU
klinika

"Qershori i negociatave"

Ekspertja për Ballkanin: Shqipëria në regresion politik, negociatat nuk hapen

29.03.2019 - 19:56

“Shqipëria është në krizë politike, por kursi konfrontues nuk është i ri”, thotë ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel.

“Kur ishin socialistët në opozitë akuzohej Partia Demokratike për korrupsion e lidhje me struktura kriminale. Tani është PD, që akuzon Edi Ramën për lidhje të tilla. Akuzat për blerjen e votës u ngritën që pas zgjedhjeve 2017, por asgjë nuk u bë”, kujton ajo.

“Për fat të keq, kursi konfrontues e karakterizon për një kohë të gjatë Shqipërinë, ndërsa nuk mund të jetë mjet i përballjes politike bllokimi i Parlamentit dhe minimi i punës së tij”, thotë Deimel, në një intervistë për “Deutsche Welle”-n.

Dorëzimin e mandateve të 57 politikanëve të opozitës, ajo e konsideron të papërgjegjshëm dhe tregues të gjendjes së brendshme në parti.

NEGOCJATAT-DEIMEL-konica.al
NEGOCJATAT-DEIMEL-konica.al

“Këta deputetë janë përfaqësues të zgjedhur nga populli, e në një demokraci parlamentare i detyrohen zgjedhësve të tyre. Nga ana tjetër, duket se nuk doli llogaria e PD-së së Bashës dhe e LSI-së për të çuar në paralizim të plotë të jetës parlamentare. Disa deputetë e kanë refuzuar këtë porosi nga lart. Fakti që pasuesit nga LSI apo nga PD, apo ata që duan të marrin mandatin tani do të përjashtohen nga partia, tregon edhe nevojën urgjente për Reformën Zgjedhore”, tha Deimel.

“Nëse opozita nuk ka mjet tjetër veç rrugës, kjo është provë varfërie e botëkuptimit politik. E nëse kësaj i shtohet edhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, atëherë unë e shoh Shqipërinë në regresion politik”, shton Deimel.

Po çfarë mendimi ka ekspertja e njohur për mundësinë e negociatave të anëtarësimit në muajin qershor?

“Me gjendjen e tanishme nuk ka për të pasur negociata anëtarësimi. Nëse do të kishte një gjuhë të përbashkët, do të kishim pasur prej kohësh Reformën Zgjedhore. Edhe Reforma në Drejtësi do të kishte ecur më përpara. Do të kishim pasur edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, për shembull”, tha Deimel.