MENU
klinika

Atentati tek Liqeni

Ekzekutoi 62 vjeçarin në sytë e djalit, vetëdorëzohet vrasësi i Baçinozit

20.03.2019 - 20:54

Disa ditë pas vrasjes tragjike të 62-vjeçari Haxhi Buxhinoski, Islam Myftari është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.

Policia e kryeqytetit bën të ditur se pas negociatave, autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Islam Myftari, 61 vjeç nga Fieri, është vetëdorëzuar rreth orës 19:30 minuta të mbrëmjes së sotme në policinë e Tiranës, i shoqëruar nga avokati i tij.

Baçinozi,ishte ish-i përndjekur politik dhe u vra me armë zjarri mbrëmjen e 16 marsit në sytë e djalit të tij.

Deklarata e policisë:

Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale, të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më datë 16 mars 2019, rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi H. B., 62 vjeç, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe dokumentimi me prova ligjore i autorësisë së kësaj ngjarje.

Pas trysnisë së madhe të ushtruar nga Policia e Tiranës, kontrolleve të shumta për kapjen e autorit, si dhe negociatave të bëra mes Policisë dhe avokatit të autorit të dyshuar, autori i dyshuar, shtetasi I. M., 61 vjeç, nga Fieri, rreth orës 19.30 është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet e mëtejshme proceduriale.