MENU
klinika

Diplomati i parë shqiptar

Ëngjëllorët e Drishtit

24.03.2019 - 12:47

Pal Ejlli (tosk./standart Engjëlli) (1416 – 1470) ishte një klerik katolik arbër që shkroi fjalët në gjuhën shqipe (arbërisht), të quajtura Formula e pagëzimit, më 1462. Ka qënë mik, bashkëpunëtor dhe këshilltar i ngushtë i cili i ka shërbyer edhe si diplomat i Gjergj Kastriotit. Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit është ndër pinjollët e parë të dokumentuar nga dera fisnike e njohur si Familja e Ëngjëllorëve, e cila nga vëllai i tij, më vonë u njohën si Ëngjëllorët e Drishtit. Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti jep këtë karakterizëm për Pal Engjëllin:

“Ky kryepeshkop qe epirot, nga kryeqyteti i Drishtit, bir i Andrea Engjëllit për të cilin folëm më lart, burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të folur (në gojtari), me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë e zakone… burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit…”

Në vitet 60-të të shekullit XV, Pal Engjëlli, si diplomat e këshilltar për punët e jashtme i Skendërbeut, qe aktivizuar shumë. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën katërditore që bëri në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461. Dihet historikisht se Republika e Raguzës pati marrëdhënie të mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë kohës që Shqipëria kalonte provën e rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e pushtuesve osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzanë për Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon Marin Barleti, iu përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë, duke lavdëruar zhvillimin kësaj republike dalmate, shkencën humaniste dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër të tjera në fjalimin e tij, ai tha: “… Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha artet e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe disiplinat e tjera… Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat që na keni bërë, kujtimi juaj, emri juaj dhe i qytetit tuaj do të jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri, do të jenë ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona”. Vërtetë se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijim i penës mjeshtërore të Marin Barletit, po dihet gjithashtu mirë fort se në farkëtimin e miqësisë mes Raguzës dhe shtetit të Arbërit, një rol me rëndësi ka luajtur Pal Engjëlli. Natyrisht të dy shtetet fshqinje ishin të interesuara për një bashkëpunim në luftrat mbrojtëse kundër hordhive osmane.

Dihet gjithashtu se Pal Engjëlli qe një humanist dhe konsiderata e tij për lëvizjen humaniste përparimtare të njerëzimit qe e madhe. Imzot Pal Engjëlli, si diplomat, u përpoq të afrojë shtetet e interesuara në aleancën kundërosmane. Shqipërisë në atë kohë i interesonte të kishte marrëveshje e aleanca me Raguzën, Hungarinë, Venedikun dhe me vende të tjera. Në këtë drejtim përpjekjet nuk munguan, e sidomos nga ana e Pal Engjëllit. Autoritetin e tij fetar e shfrytëzoi plotësisht në dobi të atdheut. Kështu, si shoqërues i Skënderbeut në vizitën në Itali më 1461, ai u tregua i shkathët në marrëveshje me mbretërinë e Napolit, me Papatin dhe në takime me princër të tjerë. Gjithashtu edhe Traktati i Gaeta-s është vepër e Pal Engjëllit (1461). Shteti i përqëndruar i Arbërit nën udhëheqjen e Skënderbeut kishte nevojë për ndihma materiale e morale, kishte nevojë për aleatë në luftën e pabarabartë kundër pushtuesve osmanë që derdheshin çdo vit kundër kështjellave tona me sulmet e tyre të tërbuara. Më 1464, Pal Engjëlli, si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut, kreu një sër misionesh diplomatike pranë kontit Sforza të Milanos e në Raguzë. Në letërkredencialet e paraqitura shprehet qartë misioni i tij i rëndësishëm në kërkim të një aleance dhe të ndihmave materiale, dhe vlerësimi që kishin oborrtarët e vëndeve mike ndaj tij. Skënderbeu, siç na e tregon dhe Fan Noli, kishte pasur letërkëmbim me kontin Sforza që në vitin 1461. Siç duket, misioni diplomatik i Pal Engjëllit pati sukses fillimisht, po më vonë nuk dihet përse ndihma materiale për Shqipërinë trime qe reduktuar.

Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në Milano, humanisti i shquar italian, Françesk Filelfo u drejtonte letra princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit, në të cilat shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e drejtë që bënin shqiptarët. Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se Pal Engjëlli e ka takuar edhe Françesk Filelfon, njëri me influencë dhe humanist i përmendur. Në letrat e tij Filelfo shkruan: “Skënderbeu është shpirtmadh dhe i stërvitur në mes të turqve që në moshë të re… Pas tij janë shumë kalorës dhe këmbësorë shqiptarë nga më trimat. Midis gjithë kombësive të tjera ndërmjet Danubit e Adriatikut dhe kufijve të Italisë, shqiptarët qenë të vetmit që u bënë ballë turqve me trimëri të madhe…” Dhe më poshtë: “Skënderi pra, do të ketë mundësi të japë një kontribut jo të vogël në çështjen tonë të përbashkët…

Fuqive të tij do t’i vinë në ndihmë dhe fuqitë ushtarake të Kontit Sforza, të këtij princi trim e të përmendur…” Pal Engjëlli diti të mbrojë drejt çështjen shqiptare dhe të bëjë përkrahës edhe në principata të tjera të Italisë. Kështu, në Mesjetë edhe Dante e Bokaçio qenë ambasadorë, po ashtu si matematikani e astronomi shqiptar, Gjon Gazulli, presbiter, (prift i nderuar) qe për disa vite sherbeu si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut në Republikën e Raguzës, radhazi me vëllezërit e tij Pali dhe Andrea. Në dokumentet e kohës: “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) qe edhe profesor i Universitetit Al’Bo’ të Padovës.

Formula shkruan: “Unte’ paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit”- këto radhë janë shkruar në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi latin. Formula u gjet në një letërkëmbim mes priftërinjsh drejtuar Kishës së Trinisë së Shenjtë në Mat. Letra daton më 8 nëntor 1462. Në Bibliotekën Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në 37 fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara të kësaj biblioteke të kohës së Rilindjes Europiane.

Formula ishte drejtuar me qëllimin që të përdorej nga priftërinjtë arbër që të ishte e kuptueshme për njerëzit që nuk dinin latinisht. Ka mundësi që të kishte qëllimin gjithashtu të përdorej nga banorët e zonave të thella, që kishin të pamundur t’i pagëzonin fëmijt në ndonjë kishë, duke përdorur ujë mund ta bënin edhe në kushte shtëpiake. Formula u pranua nga një këshillë në Mat, 1462. Dokumenti që e përmban gjindet në Biblioteca Medicea Laurenziana, Firence, Itali. U zbulua më 1915 nga studiuesi rumun Nicolae Iorga. Dhe u konsiderua si shkrimi i parë i gjuhës shqipe, që ra poshtë pas zbulimit të shkrimeve të Teodor Shkodranit më 1998.