MENU
klinika

The Guardian

Është koha që italianët të zgjohen!

19.03.2019 - 16:52

Ky muaj shënon një vit që nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Itali. Tre muaj më vonë, Lidhja e Matteo Salvinit dhe Luigi di Maio erdhën në pushtet. Dhe sot vendi ndodhet në një situate të dëshpëruar.

Para së gjithash, ne jemi në një emergjencë demokratike. Disa mendojnë se nuk ka nevojë për alarm; pasi të gjithë mendojnë se qeveria gëzon një nivel të lartë mbështetjeje popullore. Por vetëm për shkak se një qeveri gëzon përkrahje, nuk do të thotë se po bën gjithçka në rregull. Një demokraci liberale nuk bëhet autoritare brenda disa muajsh, por ka shenja, sado të vogla dhe në dukje të papërfshira, që duket se drejt kësaj rruge po ecën.

Disa javë më parë mediat italiane  u alarmuan nga një raport që shërbimet sekrete i kishin dorëzuar parlamentit. Pamja që ajo pikturoi ishte jashtëzakonisht serioze, sidomos në dy fusha: rritja e incidenteve raciste teksa i afrohemi zgjedhjeve evropiane në maj dhe pamundësia për të frenuar zbarkimet e fshehta të anijeve, të cilat mund të sjellin pasagjerë të lidhur me grupe terroriste.

Lista e incidenteve raciste të raportuara në Itali që nga fillimi i këtij viti është tronditës. Shumë incidente nuk raportohen, por kjo nuk fsheh faktin se ajo që po ndodh në Itali është një shenjë e barbarizmit.

Shumë emigrantë që kanë leje qëndrimi zyrtare jetojnë në varfëri. Merrni, për shembull, qytetin e vogël të San Ferdinando, në provincën Reggio Calabria në jug të thellë të Italisë, ku Salvini, ministri i brendshëm, u zgjodh senator. San Ferdinando strehon deri në 2,000 emigrantë që fitojnë 50 cent për kuti me portokall, ose 1 euro për kuti me mandarina. Jo vetëm që njerëzit i shfrytëzojnë; por ata vdesin edhe atje, nga të ftohtët dhe zjarret. Vitin e kaluar tre emigrantë vdiqën në San Ferdinando, të djegur.

Politika që nxit urrejtjen ndaj migrantëve nuk bën asgjë për të lehtësuar këto kushte, sepse sigurisht që këta punëtorë janë të dobishëm sidomos në sektorin e agroushqimit: një forcë punëtore me kosto të ulët pa të drejta.

Pra, në Itali: po përhapet një klimë e agresionit racist, një racizëm që drejtohet jo vetëm kundër migrantëve, por ndaj atyre që nuk kanë lëkurë të bardhë, madje edhe ndaj fëmijëve të adoptuar nga familjet italiane.

Strategjia për të ushqyer klimën e urrejtjes është e dyfishtë. Para së gjithash, grupet ekstremiste “përmbytin” rrjetin me gënjeshtra dhe lajme të rreme. Më i madhi është “pushtimi” i supozuar i Italisë nga të huajt.

Por sipas Istat (instituti kombëtar i statistikave), migrantët, duke përfshirë ato të BE-së, përbëjnë 8.7% të popullsisë së përgjithshme. Në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për një pushtim, dhe megjithatë kjo është melodi që dëgjojmë përditë.

Së dyti, ata që argumentojnë për një vizion të ndryshëm dhe një vend tjetër, përjashtohen nga elita. Edhe gazetarët sulmohen.

Sulmi ndaj Radio Radical, i cili për 40 vjet ka transmetuar punimet e parlamentit dhe institucioneve kryesore të vendit, është një ilustrim i gjallë i transformimit të lëvizjes “Pesë Yjet”, i themeluar nga Beppe Grillo. Kjo është emergjenca më e madhe në Itali. Po bëhet një vend ku është gjithnjë e më e vështirë të publikohet informacioni dhe nëse kritikoni qeverinë, ju bëheni një objektiv.

Asnjëherë nuk theksohet se nga 600 njerëz që marrin mbrojtje në Itali, vetëm 20 janë gazetarë. Si mund të ekzistojë liria e shprehjes në një vend qeveria e të cilit sulmon njerëzit që shkruajnë dhe raportojnë çdo ditë?

Sot, në prag të zgjedhjeve evropiane të muajit maj, gjërat janë përkeqësuar. Është qeveria që sjell propagandën. Çdo rast i një varke emigrantësh të kthyer nga brigjet tona nuk shkakton indinjatë, por njësoj zemërim si ai që shihni në stadiumet e futbollit.

Qëndrimi anti-migrant përdoret për të maskuar problemet që të dyja palët kanë me përkrahësit e tyre përkatës.

Ndërkohë sipërmarrësit kryesorë në veri janë të zhgënjyer nga politikat ekonomike. Por vlerësimet e Salvinit vazhdojnë të rriten, sepse çdo ditë ai gjen një kokë turku për njerëzit që të ta fyejnë dhe të përdorin dhunën.

Kundërshtarët e kësaj qeverie ndjehen më të qetë se kurrë. Si mund t’i bëjmë njerëzit të shohin se janë viktima të një magjie të keqe? Sepse ekonomia me siguri nuk do të shërohet nëse bëhemi më të izoluar nga Evropa, ose falë aleatit tonë rus apo miqve tanë të rinj hungarezë. As nuk do të ringjallë duke hequr të drejtat nga emigrantët që jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksat në vendin tonë.

Ajo që ne kemi nevojë për progres nuk është vetëm optimizëm, por një vizion tjetër i së ardhmes. Por partitë nuk dëgjojnë; ato janë të përqendruara në zgjidhjen e problemeve të tyre të brendshme dhe duken indiferente ndaj kërcënimeve alarmuese për demokracinë tonë.

 Sot, kushdo që përpiqet të përshkruajë një vend që duhet të marrë veten, një vend që duhet të qëndrojë i vendosur dhe të rizbulojë virtytet e veta, është vetëm. Krejtësisht i vetëm.

Roberto Saviano është një gazetar italian dhe autor i “Gomorrah”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga New York Times

A po gabon BE me Italinë?

Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”

Tuneli hekurudhor franko-italian

BE: Italia do të ndëshkohet nëse heq dorë