MENU
klinika

Reagimi

FSHF: Shteti ynë kundër futbollit!

04.03.2019 - 13:48

Sekretari i Përgjithshëm në Fshf, Ilir Shulku, ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të folur për skandalin në Kamza-Laçi.

Shulku ka kërkuar ndërhyrjen e policisë në stadiume: “Kërkojmë që policia të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjeve, kërkojmë që klubet të organizojnë si duhet ndeshjet dhe kërkojmë që komisionet përkatëse të tregohen sa më të ashpra me këto ngjarje. Policia nuk ka marrë përgjegjësitë që i takojnë për incidente të ndryshme, duke nisur nga ndeshja Skënderbeu-Tirana në fillim të sezonit.

“Asnjë masë, asnjë dënim, as në ndeshjet ku ka pasur probleme, si në Kamzë ku u godit me gur anësori, apo në Tiranë, ku u sulmua zyrtari i Flamurtarit.

“Shteti shqiptar u ka ngarkuar klubeve edhe barrën e pagesës së forcave të sigurisë private. Bëhet show nga policia si në derbi, ku vetëm në fund të ndeshjes u futen forcat speciale.

“Tani lind pyetja: A është i interesuar shteti shqiptar të vijojë futbolli në këtë vend, sepse kështu nuk mund të vazhdohet. Situata mund të vijë duke u agravuar, tensioni dhe presioni shtohet. Nëse nuk ka reagim, do shihet seriozisht ndërprerja e kampionatit.

Më pas foli edhe Shefi i Shoqatës së Arbitrave, Tahir Kastrati: “Jeta e gjyqtarëve është në rrezik dhe kjo është më e rënda. Ne si shoqatë kërkojmë me forcë që të ndalet dhuna në stadiume, që vjen si rrjedhojë e mosveprimit të policisë së shtetit. Presim përgjigje urgjente, të shohim, duam diskutim dhe takim me krerët e policisë së shtetit, nuk mund të vazhdohet kështu, kur ligji e thotë qartësisht që policia merr përsipër mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive.

“Të shqetësuar dhe të pambrojtur nga çdo dukuri në Shqipëri, në kërkojmë urgjentisht kthimin e policisë në stadiume. Në rast të kundërt, mund të bojkotojmë aktivitetin, vendim që do të diskutohet në vazhdim nga Shoqata e Arbitrave”.