MENU
klinika

Arti dëshmi e gjallë

Gjergo ekspozita me 24 artistë

01.03.2019 - 13:16

Muzeu Historik Kombëtar ka hapur dyert për “Ekspo Art Tirana”, gjatë edicionit të tij të tretë. Me 24 artistët pjesëmarrës nga artet pamore, ekspozita përmbledh punime në teknika të ndryshme, si: natyra e qetë, peizazh, kompozime dhe vizatime. Rrugëtimi artristik i kësaj here, vjen me dinjitet e jo pa profesionalizëm, si risi e jetës kulturore kryeqytetase.

Ekspozita hapet me tri punë që mbartin emocione, duke shërbyer si rekuijem për kohën dhe artitët, të cilët provuan të jetonin e krijonin nën trysninë e diktaturës. Ajo vjen si shenjë mirënjohjeje e thellë e organizuesve të saj, për një prej personaliteteve të veçanta në artit pamor shqiptar; Edison Gjergo, artisti rebel, shpirti me ndjeshmërinë e lartë prej artisti.

(Pikturë nga Edison Gjergo)

Gjergo ishte piktori i talentuar, njohësi i shkëlqyer i muzikës, që krijonte duke dëgjuar Bethovenin, Mozartin, tokatat e Bahut… “Një tel kitare i këputur nga regjimi”, me gjithë mungesën fizike, artisti nuk e njeh kohën, vepra e tij mbetet gjithmonë prezente. Vepra e Edison Gjergos nuk është thjesht homazh, por më së shumti një kujtesë, siç e përshkruajnë organizatorët: – “Në ndeshjen me diktaturën apo pushtetin, artisti mund të thyhet, tjetërsohet, dhunohet e burgoset, si artisti në fjalë, por në fund është vepra e tij, që ngadhnjen”.

(Pikturë nga Meri File)

Diktatura një ditë ia lë vendin lirisë, ajo mbetet e harruar diku në histori. Arti dhe artisti jetojnë përjetësisht. “Ekspo Art” shpërfaq vlerat e individualitete të veçanta, të cilëet e kanë shprehur personalitetin e tyre, në stil dhe formë. Paçka se një pjesë e tyre vijnë nga emigracioni dhe vendet ku jetojnë, si Greqia, Gjermania apo Hollanda, ata i bashkon identiteti dhe psikologjinë shqiptare. Ajo ndihet në ngjyra, linja vizatimore, profile dhe plastikë vëllimore. Është i njëjti atdhe, që i ka bërë këta artistë ta ruajnë në kujtesë për ta zgjuar sërish e sërish mallin e vendit të tyre.

(Pikturë nga Zaim Elezi)

Prej hiperealizmit të thellë të Gëzim Zotos, tek akuarelet plot dritë të Fatmir Dardhës; nga muzikaliteti i Agron Mezit, në psikologjinë e portretit të Mikel Temos; nga kompozimi dramatik i Roland Runës, në atë tragjik të Meri Files; nga shpërfaqja plot ngjyra e Zaim Elezit, në dallimet stilistikore të Genti Prokos dhe Romeo Kallcos; nga brishësia fine e Arben Brahimajt, te koloriti i shqetësuar i Gjergji Metës dhe Leon Cikës; nga shpërthimet koloristike me regjistër të bukur të Ervis Kotës, tek ato të Foti Kllogjerit, Ergys Demos apo trajtimet e Artan Kolës dhe Albert Pinës, për të parë ngritjen artistike të Anteo Gremit, portretin e bukur të Gëzim Hysës dhe për t’u zhytur në blunë e thellë të Mali Pleshtit. Këto thyerje plot energji frymëzuese përbëjnë tablonë e madhe, me punimet e piktorëve të kësaj ekspozite.

(Punim i Skënder Idrizit)

Veçohet piktori nga Mitrovica, Skënder Idrizi, i cili me një ndjeshmri tejet të thellë grafike, dëshmon atë lidhje kulturore në artet shqiptare si një vijueshmëri e genit shqiptar në shpërfaqen e tij artistike. Edhe skulptura edhe pse e paktë në numër, zë një vend të veçantë në ekspozitë, në trajtimin abstragues origjinal të formave nga Erjon Laro, si dhe trajtimin silistikor specifik të Leonard Lekajt, në projektimin e një monumenti të ardhshëm.

Ekspozita, që bashkoi emra të spikatur të arteve pamore, ata bashkohorë apo tashmë të përfaqësuar përmes veprës së tyre, është një ftesë për të njohur më mirë dhe me më shumë kujdes pikturën shqiptare, tiparet dhe cilësitë që e dallojnë atë.