Pas humbjes në Durrës ndaj Teutës, u përfol si i shkarkuar, por Armando Cungu vijoi të drejtojë Kukësin. Por humbja e fundit në kampionat ndaj Skënderbeut i ka kushtuar vendin e punës trajnerit shkodran
Presidenti Safet Gjici ka vendosur që të shkarkojë trajnerin Armando Cungu për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit.
Shkarkimi i Cungut vjen vetëm pak javë pasi u rikonfirmua në krye të stolit nga vetë presidenti Safet Gjici i cili kishte premtuar edhe premio në rast se skuadra fitonte 4 ndeshjet e radhës, por pa arritur të fitojë.
Vendin e Cungut do ta zërë Ramadan Ndreu i cili ka qenë në të kaluarën trajner i Kukësit dhe njëkohësisht kohët e fundit ka qenë pjesë e stafit verilindor.
NJOFTIMI I KUKËSIT
“Njoftim! Futboll Klub Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Armando Cungu.
Si pasojë e rezultateve negative te javëve të fundit, drejtuesit e Klubit dhe Armando Cungu kanë arritur me mirëkuptim përfundimin e bashkëpunimit.
Falënderojmë trajnerin Cungu për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës sonë dhe i urojmë suksese në karrierë!
Që nga dita e sotme në krye të pankinës sonë do të jetë Ramadan Ndreu, i cili mbante detyrën e drejtorit të menaxhimit te klubi ynë”.