MENU
klinika

Parregullsitë në zgjedhje

Gjykata Penale jep dënimin për ish-zyrtarët maqedonas

08.03.2019 - 22:19

Gjykata Penale në Shkup i caktoi të premten dënimin me burg Menduh Thaçit, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe 5 ish-anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për shkak të parregullsive në procesin e zgjedhjeve vendore në vitin 2013.

Thaçit iu caktua dënimi me 3 vjet e dy muaj burg ndërsa ish anëtarit të KSHZ-së, Bedredin Ibrahimit iu dha dënimi 4 vjet e gjashtë muaj burg. Ish-anëtarët e tjerë të KSHZ-së, Aneta Stefanova, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev u dënuan me 3 vite burg.

Edhe ish-drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov i është dhënë dënimi me 3 vite burg.

Ky i fundit, në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, i kishte kërkuar Thaçit që të ndërhynte tek Bedredin Ibrahimi për të votuar prishjen e procesit të votimit në komunën e Strumicës. Mijallkov u dënua për veprën “përfitim të shpërblimit përmes ndikimit të paligjshëm”.

Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme, Fatime Fetai kërkoi masën e paraburgimit për Mijallkov dhe Ibrahimi deri në hyrjen në fuqi të dënimit, për shkak të mundësisë së arratisjes së tyre. Nga të gjithë të akuzuarit, në gjykatë mungonte vetëm Menduh Thaçi.

Të dënuarit mund të paraqesin ankesat e tyre tek Gjykata e Lartë në lidhje me masat e dënimit ndaj tyre brenda një afati të caktuar.