MENU
klinika

"Armiqësor dhe subjektiv"

Goya, një gjeni në zemër të errësirës

30.03.2019 - 14:21

Francisco Jose de Goya Lucientes, lindur më 30 mars 1746 dhe vdekur më 16 prill 1828, ishte piktori i kurorës spanjolle i konsideruar edhe si i fundit i Mjeshtërve të Vjetër dhe si i parë i pikturës moderne. Elementi armiqësor dhe subjektiv në artin e tij, si dhe trajtimi i guximshëm i bojës, shërbeu si model për punën e brezave të artistëve të mëvonshëm, sidomos për Manet dhe Pikaso.

Lufta për Pavarësi, që shpërtheu në Spanjë në vitin 1808, ndërpreu karrierën e Francisco de Goya. Përballë katastrofës së armëve dhe supersticionit, ai kundërvuri një pikturë të zymtë, si një antidot të brishtë ndaj tragjedive të epokës së tij. Kur shpërtheu Lufta e Pavarësisë më 1808, ai ishte artisti spanjoll më i famshëm dhe më i kërkuar. Qëkurse u transferua në Madrid në vitin 1775, në moshën 29-vjeçare, mjeshtri aragonas lulëzoi me shpejtësi në oborrin madrilen, duke pikturuar fillimisht modele tapicerie në kartone destinuar për dekorimin e pallateve mbretërore dhe portretizuar gjykata dhe elitën aristokrate të vendit.

Kulmin e karrierës profesionale Goya e arriti me emërimin si piktor i Dhomës nga Mbreti Charles IV në vitin 1789. Porositë e shumta që pati gjatë këtyre viteve e lejuan të përmirësonte financat dhe të frekuentohej me ajkën e shoqërisë. Në letrat që i shkruante mikut, Martin Zapater, ai i shkruante se kalëronte në La Alameda me dukeshën e Osunas, si dhe i rrëfen me qesëndi zënkat me dukeshën joshëse të Albas:

“Do kisha dashur të ishe me mua për të më ndihmuar të pikturoja dukeshën e Albas, e cila, dje, më zbarkoi në studio që t’i pikturoja fytyrën”.

Për një çast konsideroi edhe mundësinë e marrjes së një titulli fisnikërie, mirëpo rrugëtimi i jetës i mori një kthesë krejt të papritur në vitin 1793. Ndërsa ishte në Sevilje, sëmuret rëndë dhe qëndron njëfarë kohe regjim shtrati. Sipas Goyas, kishim të bënim me një apopleksi, mirëpo sot mendohet se mund të ketë qenë sifiliz. Sidoqoftë, rezultati i gjithë kësaj situate ishte shurdhimi i përhershëm, i cili do të ndikojë thellësisht në karakterin dhe në vizionin e tij për botën. Nga kjo krizë vetjake lindi një artist i ri, i cili interesohet jo vetëm për projektet artistike të kohës së vet, por njëherazi zgjedh të eksplorojë botën e brendshme dhe vendos të pikturojë i shkëputur kryekëput nga klienetela e përhershme.

Në jetën e Goyas, atëherë rreth të gjashtëdhjetave, Lufta e Pavarësisë (1808-1814) përfaqëson një krizë të re, që, këtë herë, ai e ndan me bashkatdhetarët e tij. Piktori është dëshmitar i pushtimit francez të Madridit, viziton Saragozën e shkatërruar pas dy rrethimeve të Napolonit dhe ndjek me shqetësim vështirësitë e konfliktit. Ndjenjat e veta i transkriptoi në serinë e gravurave titulluar “Fatkeqësitë e luftës”, të cilat i përfundoi rreth vitit 1815, por që do bëheshin publike vetëm në vitin 1863.

Përtej vlerave dokumentare, kjo seri ishte një reflektim mbi universalitetin e dhunës dhe mizorisë njerëzore. Në fund të konfliktit, realizoi dy nga tablotë e tij më të famshme: “Dy maj 1808 në Madrid” dhe “Tre maj 1808 në Madrid”, kjo e fundit njihet si nga të parat piktura të epokës moderne. Sfondi i pikturës vendoset në agun e mëngjesit të paskryengritjes së 3 majit të vitit 1808. Masa e njerëzve është e ndarë më dysh, njëra vënë përballë skuadrës së pushkatimit dhe tjetra që ndjek me tmerr momentet që përpëliten në peshën e vdekjes. Me mjeshtëri të rrallë piktori ka arritur të realizojë një kontrast të atillë drite që shpërfaq heroikën e ballafaqimit me vdekjen, tytave, bajonetave dhe mizorinë e skuadrës vdekatare.

Në të njëjtën kohë, Goya demistifikon madhështinë e pikturës historike, duke i kompozuar veprat si skena të shikuara nga një dëshmitar, duke gjeneruar kështu ndjeshmëri më të madhe nga ana e spektatorëve. Vjen me një qartësi natyrale duke shfletuar historinë e memorizuar në tablo që zë rend me portretet dhe profilet. Edhe pse ishte i detyruar të punonte në një mjedis ku pak e vlerësonin, ai nuk reshti së skalituri me gërma zjarri gjeniun. Gdhendjet grafike të Goyas janë shpikje teknike, stilistike e tematike, që e bëjnë piktorin e parë modern.

Goya kërkon që e vërteta “të shfaqet e t’u tregohet të tjerëve, përfshirë ata që nuk duan ta shohin… Sepse i verbëri në shpirt ngul sytë në aspektin e jashtëm të gjërave, prandaj këto aspekte të dukshme duhen deformuar e nxjerrë vendit derisa të klithin për atë që përpiqen të thonë”.

Piktori e urrente mbretin dhe mbretëreshën, prandaj u bënte piktura të shëmtuara. Ai ishte pjesë e shpirtit të popullit spanjoll që luftonte për liri. Po ky piktor i shurdhër ndikoi tek mjeshtri i shquar i pikturave heroike Eugjen Delakrua si dhe impresionistët e mëvonshëm. Piktura e Francisco Goya është manifestimi i një zemërate që kërkon gjithnjë gjithëkohjen e vet, edhe pse tashmë është zemra dhe zëri i kujtesës së të shkuarës.