MENU
klinika

Vallet e kënduara shkodrane

“Hajde lule moj shebojë”

31.03.2019 - 13:36

Këngët qytetare shkodrane janë një monumet kulture; plot pasuri folklorike dhe larmi artistike. E lindur në mjedise dhe rrethana të caktuara historike, këto këngë ka fituar tipare të përcaktuara mirë si gjuhë muzikore. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhën e kohërave nga populli dhe, një pjesë e tyre, janë pastruar dhe pasuruar me elementë gjithnjë e më autoktone.

Në këngën qytetare shkodrane bëjnë pjesë këngët e ceremonialit të dasmës dhe ahengu qytetar. Përveç këtyre, kemi edhe këngë të tjera si këngët mitunore (“Nina-nana”), këngët e fëmijëve (“Mirë dita per kollana”), etj. Më të lashtat janë këngët e dasmës ose vallet e kënduara. Ato përbëjnë një nga dukuritë më të bukura folklorike muzikore jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë trashëgimisë shpirtërore dhe artistike të popullit tonë. Muzika e tyre shumë e brishtë, elegante dhe delikate është ruajtur mjaft mirë.

Këngët e dasmës shkodrane

Në qytetin e Shkodrës këngët e dasmës këndohen kryesisht në tre raste: në dasëm, pra në martesë, në festat e pranverës ose shrregullat dhe në shëtitje. Rituali i martesës është ai më i bukuri dhe më i pasuri. Dasma shkodrane, deri para 60-70 vitesh, zhvillohej sipas një ceremoniali të përcaktuar mirë, i njohur dhe i zbatuar me përpikmëri si nga ana e shtëpisë së djalit, ashtu edhe nga ana e vajzës. Të gjithë, burra dhe gra, shoqëronin me këngë e valle momentet e ndryshme të këtij ceremoniali.

Para se të vazhdojmë me parashtrimin e veçorive kryesore letrare dhe muzikore të valleve të kënduara të qytetit të Shkodrë, dy fjalë mbi kuptimin që ka, në kontekstin e dhënë, përdorimi i termit “valle”. Në Shkodër vallet nuk kërceheshin, nuk dancoheshin, por këndoheshin. Megjithatë, në repertorin e këngëve të dasmës shkodrane kemi ndonjë valle që këndohej e shoqëruar edhe me lëvizje. Dy janë llojet e lëvizjeve me të cilat interpretoheshin këto valle:

Formohej një rreth i madh ku çdo njeri i vinte krahun tjetrit dhe, të gjithë së bashku, këndonin duke lëvizë hapin sipas ritmit të këngës, së parit nga e djathta, pastaj nga e majta. Në këtë mënyrë interpretohej, ndër të tjera, kënga “Sillet vallja rrotull-o, moj syzezë”.
Formohen dy rrjeshta prej tetë apo dhjetë vetësh që, të kapur sup më sup, qëndronin përballë njëri-tjetrit në largësi prej dy ose tre metrash. Njëri rrjesht ishte i formuar prej burrash, tjetri prej grash. Burrat fillonin të këndonin vargun e parë të këngës dhe njëkohësisht lëviznin, sipas ritmit të këngës, në drejtim të grave. Me të njëjtën lëvizje dhe duke kënduar të njëjtin varg, ktheheshin, pa u sjellë, me hapa mbrapa, në pozicionin e nisjes. Po të njëjtën lëvizje, melodi dhe fjalë përsërisnin edhe gratë. Në këtë mënyrë interpretoheshin pothuajse të gjitha këngët me ritmin karakteristik 7+5/8, ritëm që sipas studiuesve të folklorit tonë muzikor, mendohet të jetë origjinal i yni.

Në tërësinë e shfaqjes së tyre (përmbajtja, muzikë, vargje), vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës nuk janë thjeshtë një fenomen artistik, por tregues i gjallë i një jete ku ballafaqohemi me mënyra të menduari, me të dhëna etnografike, me marrëdhëniet midis pjesëtarëve të familjes, me të afërmit, miqtë dhe rrethin shoqëror. Përmes tyre ne njihemi deri në hollësitë më të vogla që kanë të bëjnë me urimet, dëshirat, gjellët e dasmës, bestytnitë, mallkimet etj. Ato përfshijnë një hark aq të gjërë veprimesh të shprehura me një thjeshtësi e natyrshmëri fjalësh, figurash, melodish; sa që në një trajtim dhe ekzekutim të plotë të tyre, çdo sektor studimi i pasurisë materiale dhe shpirtërore të popullit tonë do të gjente një material të prekshëm dhe të ndjeshëm. Të gjithë këtë bagazh vlerash të padiskutueshme artistike, populli e ka skalit, plotësuar në çdo detaj, pa përsërit asgjë dhe, ajo që është më e rëndësishme, e ka ruajtur të plotë, duke ua përcjellë brezave gjithnjë të freskët dhe me po atë dendësi emocioni.

Në vargjet e këngëve të dasmës shkodrane ndeshemi me thënie popullore të një karakteri të thellë përgjithsues si dhe me një fond gjuhësor të pasur dhe të virgjër. gjithashtu, disa nga këto këngë i përshkon një humor i hollë që, përgjithësisht, i përgjigjet një morali të shëndoshë.

Në qendër të këngës së tekstit poetik është djali e vajza që sapo kanë vendosur të bashkojnë fatet e tyre në jetë. Veçanërisht i goditur është portreti i vajzës dhe nuses shkodrane. Poeti anonim e shëmbëllen atë me “zambakun e bardhë” si shenjë e pastërtisë dhe fisnikërisë, me “trëndafilin” si shenjë e zjarrtë e dashurisë; me “lulen e allit”, “shebojën”, “gjyljakun”, “marangjylin” e plot lule tjera që ai ka zgjedhë me kujdes për t’i kënduar bukurisë së saj. Më tej poeti anonim e krahason nusen me trupin e një “selvie”; e çmon si “dardhë”, si “mollë”, si “pjeshkë”, si “portokall”, si “limue” etj.; ia përshkruan synin si “filxhan”, vetullen si “gajtan”, faqet si “gurabi”, gojen si “kuti”, dhëmbët si “inxhi”, gushën “farfuri”, hunden “miskali” e plot shprehje tjera, njëra më e bukur se tjetra ,që së bashku plotësojnë portretin e gjallë e plot jetë të vajzës dhe gruas shkodrane.

Edhe pse të pakta në numër, nuk mungojnë gjithashtu këngët që i këndojnë hijeshisë dhe virtyteve të djalit. Kujtojmë këtu këngët “Broj një pëllumb i bardhë”, “Bini karajfili i bardhë”, apo këngët ku djali krahasohet me “bilbilin” këngëtar, “lejlekun” shtegtar, trimin “sokol me fletë” etj si këto.

Nga ana muzikore vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës ruajnë karakteristikën e një stili unik, qoftë për sa i përket ndërtimit melodik, modal e ritmik. Meloditë e tyre të shkurtëra kufizohen brenda pak notave. Në një veshtrim të parë, të krijohet përshtypja sikur këto këngë janë krijuar brenda një dite, nga të njëjtit autorë dhe se ruajnë pak a shumë të njëjtat emocione. Por mjafton edhe një lëvizje e vogël në planin melodik, qoftë thjeshtë edhe në atë harmonik për t’i dhënë çdo njëres prej tyre fizionomi të veçantë. Një gjë e tillë flet jo vetëm për faktin se ato janë shumë të vjetra sepse, sa më parake të jetë një muzikë, aq më pak ndryshime elementesh melodikë vërejmë në te; por edhe për nuhatjen e hollë prej artisti të popullit tonë që, me mjete muzikore shumë të kursyera, ka ditur të derdhë me mjeshtri në këto këngë dufin e shpirtit të vet.

Këngët e dasmës shkodrane paraqesin interes për qartësinë melodike, për thjeshtësinë dhe për arkitekturën e ndërtimit. Zakonisht ato janë të ndërtuara në formën e periudhës, të përbërë prej dy fjalish. Fjalitë janë të barabarta ose përsëriten duke u lidhur njera me tjetren me lidhëse ose karakteristika tjera muzikore si kthesa harmonike etj. Kadencat përfundimtare janë pothuajse të njëllojta. Ato realizohen në zbritjen graduale nga terca minore në tonikë. Përjashtim bëjnë këngët e ndërtuara kryesisht në ritmin 3+2/4 të cilat kadencojnë me zbritjen e menjëhershme nga kuarta në tonikë.

Meloditë e valleve të kënduara kanë një shtrirje të kufizuar që nuk e kalon kurrë kuinten. Seksta maxhore që vërejmë në kulminacionet e disa këngëve, ndërtohet jo mbi primen e tonikës, por mbi basen e tingullit nentonik. Shembull këngët “Moj maranxhë e moj limue”, “Lanë vasha te guri i lumit” e ndonjë tjetër si këto.

Shtrirja e kufizuar e melodisë së këtyre këngëve tregon më së miri edhe për faktin se ato nuk janë ndikuar gjatë kohës nga bashkëjetesa me muzikën e kultivuar, qoftë edhe nga manifestimi tjetër muzikor popullor që lulëzoi më vonë në qytetin e Shkodrës po në të njejten ceremoni, pra në dasem, siç është “ahengu” me të cilin vallet e kënduara të qytetit të Shkodrës, me përjashtim të ritmit 7+5/8, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Vallet e kënduara fillojnë zakonisht me gradën III (terca minore), apo me tingullin nëntonik (grada VII e ulur). Rrallë takojmë këngë që fillojnë me gradën IV; kurse në asnjë rast me gradët I,II dhe V. Të gjitha këngët, pa përjashtim, përfundojnë në tonikë. Grada II është krejtësisht e paqendrueshme dhe luan gjithnjë rolin e tingullit ndihmës ose kalues. Një rol i tillë i dytë arsyetohet me faktin se akordi që ndërtohet mbi këtë gradë është akord disonant.

Veçori tjetër e pjesës më të madhe të këngëve të dasmës shkodrane janë edhe shtesat e vargjeve, kryesisht me mbaresa herë urimi, herë humori, herë thirrje apo grimca fjalësh me kuptim ose pa kuptim. Kujtojmë disa prej tyre: “bini, moj bini”, “moj e hollë”, “moj beqare”, “moj lule”, “moj lajle”, moj mollë e kuqe”, “moj nana ime”, “o babë loci”, “marshalla, marshalla”, “lum, lumi unë”, “rashë e vojta”, “tintananja, moj tintananja”, “rring rringexhing, moj rring rringexhing”, etj. Zgjerimi që pëson në këto raste fjalia e dytë, ndikon dukshëm në përforcimin e mendimit muzikor që mbartë kënga. Në rastin kur shtesa është e vendosur në fillim të fjalisë së parë, ajo zë vendin e një ekspozicioni të vogël. Shembull këngët “Broj nji sokol”, “Moj maranxhë e moj limue” e cituar më lart etj. Gjithashtu kemi raste kur përsëritet një rrokje e brëndshme e vargut, këndohet dy herë rrokja e fundit apo futet një rrokje e huaj në mes të fjalës si, p.sh., “thu-ve-ja”, “lu-ja-ga” etj.

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit