MENU
klinika

Bahu i paradokseve

“I detyrohem vetëm Zotit”

21.03.2019 - 12:12

Muzika është art më vete, pasi atë as mund ta shohim dhe as mund ta prekim. Ajo na lejon të themi hyjnoren dhe të papërshkrueshmen. Muzika është një udhë drejt të shenjtës. Vetvetiu lind pyetja: nga buron emocioni që na frymëzon muzika? Nga qëllimi i kompozitorit? Nga perceptimi i dëgjuesit?

Kur dëgjojmë Bahun apo një melodi gregoriane, gjithë ndjesitë shpirtërore heshtin dhe tendosen për të kuptuar atë gjë tmerrësisht të bukur, secili në mënyrën e vet. Mbi të gjitha inteligjenca; ajo nuk gjen asgjë për të pohuar apo mohuar, thjesht ushqehet me të. A nuk duhet të jetë edhe besimi një adhurim i kësaj natyre? Misteret e besimit kanë degraduar në një çështje afirmimi ose mohimi, ndërkohë që duhej të ishin objekte meditimi” – shprehet Simone Weil.

Kompozitori dhe organisti gjerman lindi më 21 mars 1685 në Ajzenah dhe vdiq në Lajpcig 1750. Me Johan Sebastian Bahun fjala u bë muzikë, organist virtuoz, mjeshtër i palodhur i kapelës, krijues i gjenisë, ndërtoi një punë monumentale kushtuar tërësisht lavdisë së Perëndisë. Muzika e gjeniut është dëshmi e një sinteze themelore në periudhën baroke: nga tradita gjermane dhe nga ndikimet italiane e franceze, si dhe nga të gjitha proceset muzikore të përbërjes polifonike, me një vend mbizotërues të rezervuar melodisë.

“Nëse është dikush që Bahu i detyrohet për gjithçka, është Perëndia”, – shkruan shkrimtari dhe filozofi, Emil Cioran.

Bahu ishte në gjendje të vëzhgonte dhe të bashkonte stilet, format dhe traditat kombëtare që kishin evoluar gjatë gjeneratave të mëparshme dhe, në saje të sintezës së tij, t’i pasuronte ato. Rreth 50 vjet pas vdekjes së Bahut, muzika e tij u mbulua nga pluhuri i harresës. Kjo ishte më se e natyrshme, pasi në ditët e shkëlqimit të Haydnit dhe Moxartit, askush nuk pretendonte të merrej me një kompozitor, i cili tashmë konsiderohej i shkuar në modë. Bahu i paradokseve! Një muzikant i panjohur, i pajisur thjesht me reputacionin provincial të epokës së vet, i njohur në të gjallë vetëm nga disa specialistë, porse sot konsiderohet një nga gjenitë e muzikës klasike. Një kompozitor i detyruar të kryente punën e përditshme të dobishme, rraskapitëse dhe nganjëherë të bezdisshme, në një mjedis shpesh armiqësor dhe që megjithatë ndërtoi një monument muzikor me dendësi të jashtëzakonshme, që mban emocionet më të forta të imagjinueshme. Një artist i harruar me vdekjen e tij, i njohur fare pak nga publiku i gjerë, po ashtu i luajtur fare pak gjatë shekullit XIX dhe fillimshekullit XX, ndërkohë që paraardhësit e tij: nga Moxarti te Stravinski, nga Shumani te Webern, thuajse të gjithë kompozitorët e talentuar e adhurojnë, në mënyrë eksplicite pretendojnë ose, të paktën, sigurohen të luajnë disa nga faqet e tij çdo ditë, siç ndodhte me pianistët më romantikë dhe modernë.

kolana e librave

Misteriozi Johan Sebastian Bah, tradicionali, besnik i truallit sakson, ithtar i besimit luterian, vendosur në gjirin e trashëgimisë muzikore të familjes (paraardhësit e tij kompozitorë dhe interpretues të talentuar), shndërrohet në domosdoshmërinë e rëndësishme të evolucionit të muzikës perëndimore. E filloi karrierën në moshën 18 vjeçare, si organist në Arnstadt në 1703, më pas në 1707 në Muhlhausen. Një vit më vonë, u vendos në Weimar, qyteti i ardhshëm i Gëtes dhe Liszt, ku u emërua organsit në 1708. Në Lajpcig, Bahu krijoi kryeveprat e tij: “Pasioni” sipas Shën Gjonit dhe “Pasionit” sipas Shën Mateut. Kontributi i tij instrumental është i jashtëzakonshëm: sonata dhe partitura për violinë solo, suita për violonçel solo, faqe për flaut, klaviçembal, lahutë, prej një shekulli ato përbëjnë Biblën e përditshme të instrumentistëve virtuozëve. Muzika e Bahut lartëson Krijuesin dhe qëndron pranë qenieve njerëzore, pranë vëllezërve të tij, që mbajnë çdo ditë kryqin e tyre të lidhur me zemrën, besimin në një jetë më të mirë.

Albert Shvaicer, duke folur për Bahun dhe duke komentuar fjalët e Johan. T. Mozavius, në vitin 1845, thotë: “Uroj që Bahu të ndihmojë që epoka jonë të arrijë në përqendrimin shpirtëror dhe në brendësinë që i mungon”. Johan Sebastian Bah është njeriu që ka lënë shenjat e tij të thella në kohën dhe në vendin, jo vetëm të muzikës apo të artit, por të vetë historisë së njerëzimit”.