MENU
klinika

Seria A, Java 28

Inter triumfon në derbi dhe parakalon Milanin

17.03.2019 - 22:27

Pas 5 fitoreve radhazi, Milan është thyer pikërisht atëherë kur nuk duhet, në derbi. Ndërsa Inter është “rehabilituar” në momentin më të volitshëm.

Zikaltrit kanë fituar 3-2 në derbi, duke rimarrë vendin e tretë, teksa parakalojnë pikërisht Milanin. Dueli mes skuadrave të Milanos ka dhuruar spektakël, me shumë gola, penallti, kartonë, episode dhe me një stadium të mbushur plot.

Inter ka kaluar në avantazh pas vetëm 3 minutash lojë kundër Milan-it. Vecino ka dërguar topin në rrjetë pasi është lënë i vetëm në mënyrën të pashpjegueshme në zonën e rreptësisë.

Zikaltrit dyfishojnë rezultatin me golin e De Vrij pak minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Pas krosit të Politano-s, qendërmbrojtësi holandez godet bukur me kokë, duke dërguar topin në rrjetë.

Ndërsa Milan ka ngushtuar diferencat falë një goli me kokë të Bakayoko.  Mesfushori i kuqezinjve, më i miri në fushë për lojtarët e Gattuso-s, ka mposhtur Handanovic me një goditje perfekte.

Në minutën e 66’ ndodhi një episod interesant në derbin e Milanos. Politano rrëzohet brenda zonës pas një faulli të kundërshtarit, në të njëjtën kohë edhe arbitri rrëshket dhe bie në tokë.

Sapo çohet në këmbë ai akordon një penallti, e cila shndërrohet në gol nga Lautaro Martinez.

Rezultati nuk ndryshon më, pavarësisht se rastet kanë qenë të shumta për të dyja skuadrat. Pesë gola e justifikojnë më së miri luftën sportive që u zhvillua në derbi.