MENU
klinika

Fundi i Shtetit islamik?

ISIS “u zgjua”/ Trump: Do të zhduket brenda natës

21.03.2019 - 13:45

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ISIS do të “zhduket brenda natës” dhe tregoi disa harta për gazetarët, ku ai pretendonte se shfaqej reduktimi dramatik i pranisë së Shtetit Islamik në Siri që nga zgjedhja e tij në 2016.

“Këtu është ISIS në ditën e zgjedhjeve, këtu është ISIS tani. Kur erdha unë ishte një lëmsh i madh. Tani ka mbetur një pikë e vogël që do të pastrohet brenda natës”, tha Donald Trump.

Trump njoftoi në mënyrë të papritur në dhjetor se ai do të tërhiqte mijëra trupa amerikane nga Siria dhe Afganistani, një lëvizje që mori kritika nga ligjvënësit dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare. Megjithatë, plani ka ecur tepër ngadalë, që kur ai lajmëroi se 400 trupa do të largoheshin nga Siria.

Trump ia përsëriti këtë vendim të mërkurën gazetarëve, duke thënë se dy grupe prej 200 trupash do të mbeten në Siri të stacionuar në pjesë të ndryshme të vendit.

Forcat siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e një kampi ISIS të martën pasi qindra luftëtarë u dorëzuan brenda natës, njoftoi AP. Fitorja ishte një përparim i madh, por jo humbja përfundimtare e grupit në Baghouz, fshati i fundit i mbajtur nga ISIS në Siri.

ISIS kishte qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë, por ngjarja e Zelandës së Re ku humbën jetën plot 50 persona, ka bërë që të thyejë heshtjen gjashtë mujore.

 ISIS u ka bërë thirrje ndjekësve të saj që të marrin hakun e muslimanëve të vrarë. Abu Hassan al-Muhajir, një nga figurat kryesore të ISIS përmes një video plot 44 minutëshe ka bërë thirrje për hakmarrje për rastin ku një person hyn në një xhami dhe vret besimtarët myslimanë.

“Kjo masakër në këto dy xhami nuk është më shumë se një tragjedi tjetër mes tragjedive të së kaluarës dhe atyre që do të vijnë,” është shprehur ai gjatë fjalimit të tij, dhe ka vijuar më tej duke thënë: Skenat e vdekjes në dy xhamitë mjaftojnë që të prishim gjumin dhe të nxisim mbështetësit e kalifatit që jetojnë atje, që të hakmerren për besimin e tyre, që po vriten gjithandej në botë.

Sulmi në Christchurch të Zelandës së Re, la të vdekur 50 njerëz në dy xhami gjatë faljeve të së premtes. Policia arriti të kapë autorin e ngjarjes duke e vënë në pranga.